MENU
klinika

'Vatër luftimesh e përgjakshme'

Çfarë shpëtoi pas bombardimit të Mosulit?

26.07.2020 - 06:57

Qyteti i Mosulit është kthyer në një vatër luftimesh të përgjakshme mes ushtrisë qeveritare dhe terroristëve të ISIS. Ndonëse forcat qeveritare arritën të merrnin Mosulin pas ditëve të tëra përleshjeje, qyteti vazhdon të jetë i mbuluar nga një pluhur i dendur i shkaktuar nga luftimet.

Për ato që nuk e braktisën Mosulin, “dita e çlirimit” ka qenë dita më e bukur, ndoshta në tërë jetën e tyre. Ndërsa, ato që e braktisën, tani duhet të mendojnë të kthehen aty pasi gjithçka po shkon drejt normalitetit.

ISIS po humbet territor ndërkohë që, sipas burimeve të mediave pranë organizatës terroriste, edhe kreu i saj ka vdekur. Nëse skenari do të jetë i ngjashëm me atë të organizatës tjetër teroriste Al-Qaeda, ISIS duhet të reshtë së vepruari, pasi Al-Qaeda nuk u dëgjua më, qysh pas vdekjes së Osama Bin Laden, liderit të saj.

Në mes të gërmadhave që luftimet e gjata kanë shkaktuar, një godinë gjendet aty, në mes të qytetit, thuajse e paprekur. Ushtarët e shohin me kureshtje, banorët me frikë, ndërsa të huajt me admirim. Kjo godinë është biblioteka legjendare, shumë e njohur për pasurinë e rrallë të dokumenteve me rëndësi të madhe, kryesisht historike, Biblioteka e Mosulit.

Siç duket, përveç fanatikëve që e deshën qytetin aq sa ishin të gatshëm të luftonin për të, librat nuk pranuan të largoheshin nga Mosuli, por qëndruan aty, ndoshta duke u lutur në heshtje, që të mos pësonin fatin e Bibliotekës së Aleksandrisë. Lutjet e tyre u dëgjuan dhe Biblioteka e Mosulit sot qëndron në këmbë mes gërmadhash duke u ngjitur deri lart në majën e historisë.

Biblioteka e Mosulit ngjan me Kullën e Babilonisë me një ndryshim të vetëm: Kulla e Babilonisë nuk arriti ta çonte zërin e saj deri lart te Krijuesi, ndërsa Biblioteka e Mosulit po!