MENU
klinika

Komedia e tij...

Cili libër i Shekspirit duhet lexuar këtë verë?

26.07.2020 - 06:59

Si çdo periudhë pushimi, edhe këtë verë miqtë tanë më të mirë janë librat. Por cili nga librat e dramaturgut të madh Shekspir duhet lexuar pa diskutim këtë verë?

Pa diskutim, komedia e tij “Ëndrra e një nate vere”!

E shkruar në vitin 1595, (në periudhën e rinisë) “Endrra e një nate vere” është një nga komeditë e hershme të Shekspirit, por mund të dallohet nga veprat e tjera të këtij grupi duke e përshkruar si pjesë shoqëruese për ceremoni dasmash. Ndryshe nga pjesa më e madhe e veprave të tij (duke përfshirë të gjitha komeditë), në krijimin e kësaj historie, Shekspiri nuk u mbështet drejtpërdrejtë në ndonjë pjesë ekzistuese, poezi narrative, kronikë historike apo në ndonjë burim tjetër, por krijoi një pjesë vërtetë origjinale. Shumica e kritikëve janë të mendimit se edhe në qoftë se Shekspiri i ri nuk ishte në formën më të mirë të tij në këtë komedi, ai sigurisht është zbavitur gjatë kohës kur e ka shkruar atë.

“Ëndrra e një nate vere” shpreh në mënyrë jashtëzakonisht lirike disa prej temave më të shkëlqyera shekspiriane, ku më të dukshmet janë ato të dashurisë, të ëndrrave dhe të imagjinatës krijuese. Në fakt, studimi i detajuar i tekstit nga kritikët e shekullit të njëzetë, çoi në një ndryshim domethënës për statusin e veprës, i tillë që kapërcen pakuptimshmërinë e historisë së saj dhe përqendrohet te cilësitë e rralla lirike.

Nëse mund të thuhet se “Ëndrra e një nate vere” përcjell një mesazh, ai do të ishte që fantazia krijuese është në harmoni me botën mbinjerëzore dhe është përdorur më së miri për të paraqitur bekimet e Natyrës për njerëzimin dhe martesën.