Nga Artur Ajazi
Sharje, fyerje, shpifje, akuza, ngritje gishti dhe dore mbi gjithçka njerësore dhe normale, tendencë për të mbajtur të aktivizuar panikun dhe zemëratën, kurajo e çmendur për të krijuar situata të jashtëzakonshme, dhe në fund, dhunë e pastër elektorale. Edhe pse opozita e vjetëruar, duket se ka nisur tanimë “fushatën” e saj elektorale, asgjë e re, nuk duket në horizont.
Emra të “gardës” së vjetër, ish-zyrtarë dhe drejtues të korruptuar, ftesë për “emra” të rinj me të shkuar e të tashme të përfolur, tek-tuk bij dhe bija të ish-sigurimsave, të konvertuar në “demokratë”, po bëhen gati të mbushin listat e një opozite të shpartalluar.
Por edhe diçka tjetër, mes saj dhe aleatëve, tashmë ka nisur çarja e madhe. Ata me parti të vogël, kurrsesi nuk mund të pajtohen me Partinë Demokratike, që ka të gjitha shanset dhe parashikimet të jetë edhe pas zgjedhjeve të 2021, në “stolin” e rezervave. Duke nisur nga LSI, PR, PAA, PDIU, PDK, dhe ndonjë tjetër partiçkë e vogël, që deri sot kanë qenë aleate të PD, me afrimin e fushatës, shumë prej tyre do të jenë më vehte, pasi duan jo vetëm “listat e hapura” por duan të provojnë vehten në zgjedhjet e reja.
Ndoshta duan të dinë, sa vlejnë, sa i duan, dhe sa i votojnë shqiptarët, përpara se të dalin në pension, pas 30 vitesh që janë kryetarë të përjetshëm partish. Por diçka tjetër, po shihet si “risi” e kësaj opozite të vjetëruar.
Ajo jo vetëm nuk ka mësuar asgjë nga periudha 8 vjeçare në opozitë, jo vetëm nuk ka kuptuar se, votat nga shqiptarët merren me prezantime serioze të projekteve për të ardhmen, dhe jo me shpifje dhe dhunë elektorale, por po tregon se është e pazonja edhe të ringrihet. Çdo ditë shihen dhe dëgjohen sharje, fyerje, dhunë verbale mbi kolegët, drejtuesit e institucioneve, shpifje pa fund mbi strukturat vendimarrëse dhe ligjzbatuese.
Një opozitë e shpartalluar, që nuk po gjen shtegun e daljes nga amullia, përpiqet të ndërsejë dhe përçajë shqiptarët. Një opozitë e shpartalluar, që po mbledh me kokrra, gjithë ish-eksponentët e akuzuar dhe të korruptuar, për ti përdorur në procesin e një dhune elektorale, e cila ka gjasa të degradojë në shkelje ligjore.
Të gjitha “trokitjet” derë më derë të Lulzim Bashës, po kërkojnë të ndjellin dhe mbjellin pasivitetin tek njerësit e thjeshtë, tek njerësit e punës, tek ata që çdo ditë merren me profesionin e tyre, biznesin e tyre, hallin e tyre, që duke zbatuar ligjet e shtetit, i janë kthyer normalitetit. Duke tentuar të prezantohet paksa “ndryshe” nga herët e tjera, shumë shpejt ish-opozita e shpartalluar, e ka treguar me vepra se nuk është ndarë nga e kaluara e saj e hidhur. Ajo ka mbetur siç ka qenë, dhe do të mbetet siç është edhe sot, parti që funksionon me ligjet e “xhunglës”.
Dhuna elektorale, që ka nisur më shpejt se herët e tjera, po tregon se ish-opozitën e vjetëruar e ka kapur paniku, pasi e ka kuptuar se çdo premtim për “reformim të partisë” apo dhe “ndryshim të situatës ekonomike për shqiptarët”, mbetet lodhje e kotë. Partia e atyre, që e quajnë akoma vehten “demokratikas” ka kohë, që ka marrë tjetër rrugë, ka tjetër “mision”, që nuk ka lidhje fare me premtimet boshe, videot, dhe fushatën e nisur nga kryetari saj.