MENU
klinika

Turneu prestigjioz i tenisit

Franca bën hap para: “Roland Garros” me tifozë!

03.07.2020 - 11:09

Tashmë është zyrtare! Roland Garros do të jetë turneu i parë i tenistit Slam me publik. Kjo u njoftua në një konferencë për shtyp nga presidenti i Federatës franceze të tenisit, Bernard Giudicelli, i cili zbuloi se gjatë gjithë turneut, në shkallët e impianteve do të jenë 20 mijë tifozë.

Çuditërisht, në finalen e madhe të turneut, numri i personave që do të jenë prezent do të zvogëlohet në 10 mijë. Giudicelli shpjegoi gjithashtu se si numri i spektatorëve brenda ambienteve do të jetë i kufizuar, duke adoptuar një parim që është aplikuar deri më tani në kinematë dhe teatrot franceze.

Në 3 fushat më të mëdha, distanca mes tifozëve do të jetë me një hapësirë bosh, ndërkohë që në ato më të voglat, hapësira do të zgjerohet në 2 vende bosh. Si rezultat, numri i spektatorëve të pranuar në ndeshjet e Roland Garros do të jetë midis 50 dhe 60% të kapacitetit normal.

Turneu francez, i shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit, do të mbahet nga 21 shtatori deri më 11 tetor, ndërkohë që biletat do të jenë në shitje duke nisur nga 9 korriku për sponsorët dhe organizatorët, ndërsa për publikun e thjeshtë një javë më vonë.