MENU
klinika

Tenis

Rekord shpërblimesh në “Roland Garros”

25.03.2019 - 18:59

Këtë vit janë shtuar ndjeshëm premiot për tenistët. Pas Australian Open, janë organizatorët e “Roland Garros” që do të japin shpërblime rekord për tenistët pjesëmarrës.

Shuma që ata do të vënë në total në dispozicion për tenistët është 42.7 milionë euro. Kjo shumë është një rekord për këtë turne, krahasuar me 39.2 milionë euro të një viti më parë (rekordin e mban US Open, me 50 milionë euro vitin e kaluar).

“Roland Garros” do të nisë më 26 maj dhe do të përfundojë më 9 qershor. Kjo shumë e lartë do të thotë më shumë përfitime edhe për tenistët që eliminohen në raundet e para e deri për fituesin e tij.

Shuma minimale që një tenist do të fitojë është 46 mijë euro, në rast se eliminohet që në raundin e parë. Ndërsa fituesi i grand slam, që zhvillohet në Paris, do të fitojë 2.3 milionë euro (100 mijë euro më shumë krahasuar me vjet).

Organizatorët kanë bërë me dije gjithashtu se më 20 maj, kur nis faza para-eliminatore e turneut, do të kryhet edhe inaugurimi i një fushe të re, ajo e Simone Mathieu, e cila do të mbajë 5 mijë shikues.

Fusha qendrore e këtij grand slam, ajo Philippe Cartier, së shpejti do t’i nënshtrohet restaurimit dhe do të ndërtohet një çati lëvizëze, për të evituar shiun.