MENU
klinika

Samiti virtual i Parisit/ Vuçiç: Serbia s’pranon ultimatum!

Hoti: Territori i Kosovës dhe Kushtetuta të paprekshme!

10.07.2020 - 11:39

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka marrë pjesë në Samitin e Parisit që është organizuar nga Merkel dhe Macron përmes një video-samiti.

Në fjalën e tij, kreu i Qeverisë së Kosovës ka prezantuar tri parimet kryesore, në të cilat thuhet se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe s’mund të jetë pjesë e negociatave, rendi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe se marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, kreu i Qeverisë ka thënë se marrëveshja finale Kosovë-Serbi duhet të ketë si rezultat edhe fitimin e ulëses në OKB për Kosovën.

Përveç kësaj, Hoti ka thënë se duhet të zgjidhet edhe fati i personave të pagjetur dhe të vendoset drejtësi për të gjitha viktimat e të gjitha formave të dhunës që janë ushtruar nga Serbia gjatë luftës.

Hoti ka thënë se mbi bazën e këtyre parimeve dhe synimeve, Kosova është e gatshme që të vazhdojë tutje dialogun

Vuçiç thotë se Serbia s’pranon ultimatum!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar të premten se shteti i tij është i gatshëm të flasë rreth hapave për përmirësimin e marrëdhënieve, por jo edhe për ultimatume, duke paralajmëruar se të dielen do të organizohet një video-konferencë, si fillim formal i dialogut Kosovë-Serbi, teksa të enjten edhe takimi zyrtar në Bruksel, raportojnë mediet serbe.

“Pala shqiptare ka dalë me kërkesa që janë: ruajtja e integritetit territorial dhe kushtetues të Kosovës, njohja e qëndrueshme të ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”, ka thënë presidenti i Serbise.

Vuçiç ka thënë se do të jenë nën presion të madh dhe njëkohësisht po përballen me “me çasje totalisht joreale të shqiptarëve të Kosovës që duan çdo gjë, e Serbia të mbetet pa asgjë”.

“Ne marrim pjesë në dialog nën ombrellën e BE-së, është e rëndësishme për ne”, ka shtuar presidenti serb. “Pala shqiptare kanë thënë se asociacioni komunave serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e tyre. Nëse nuk jeni në gjendje ta plotësoni këtë për shtatë vjet e gjysmë, si mendoni të plotësoni gjërat tjera.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sot ‘takimi’ i shumëpritur

Ballafaqohen Hoti dhe Vuçiç