Fanellat e Barcelonës të këtij sezoni që lamë pas u kritikuan jo pak, ku shumë i krahasuan me një imitim të fanellës së kombëtares së Kroacisë. Por blaugranat në sezonin e ri i janë kthyer modelit të vjetër.
Duhet të ishin prezantuar disa ditë më parë, por për shkak të një problemi të materialit përbërës gjatë larjes, janë shtyrë për sot. Barcelona ka prezantuar uniformat për sezonin e ardhshëm në mënyrë zyrtare dhe i ka nxjerrë menjëherë në shitje. Katalanasit i janë rikthyer vijave vertikale klasike.
Është një uniformë, e cila në vija të përgjithshme i ngjan asaj të sezonit 2010-2011, ku përjashtim bëjnë vijat e verdha të holla dhe nuancat e errëta në vijat e trasha të uniformave. Tutat do të vazhdojnë të jenë ngjyrë blu dhe ndryshimin e përbën një vijë e kuqe në pjesën anësore të tyre.
Në rast se doni të keni një fanellë të stampuar me emrin e yjeve të Barçës, do të duhet të paguani 150 euro. Tutat kushtojnë 70 euro. Katalanasit pritet të zbresin në fushë me uniformat e reja në ndeshjen e ardhshme ndaj Osasunës.