MENU
klinika

A do të votohen ndryshimet?

Këshilli Politik mblidhet sot për listat dhe koalicionet

28.07.2020 - 09:48

Sot në orën 11:00 do të mblidhet sërish Këshilli Politik për të diskutuar për listat dhe koalicionet. Opozita jashtë parlamentit konfirmoi ftesën e Damian Gjiknurit për të qenë të pranishëm sot në tryezë.

Dy përfaqësuesit e opozitës, Vasili dhe Bylykbashi drejtohen për në pallatin e Kongreseve pas takimit në selinë blu me ambasadorët e SHBA-BE-së, Kim dhe Soreca. Diskutimi në Këshill do të fokusohet te hapja e listave dhe koalicionet. Sa i përket hapjes së listave PS-ja kërkon që të bëhet vetëm 2/3 për të mbrojtur përfaqësimin e grave në Kuvend, ndërsa PD-ja është e prerë duke kërkuar që të hapen 100%.

Kryeministri Edi Rama dhe Gjiknuri u shprehën të hapur që mund të diskutojnë që listat të hapen 100%, sikur kërkon PD-ja, por pika kryesore që i ndan palët janë koalicionet. PS-ja thotë se hapja e listave rrjedhimisht i bën të pamundura koalicionet sipas formulës aktuale, duke kërkuar që partitë të jenë në një listë unike.

Opozita jashtë parlamentit e kundërshton me forcë duke propozuar modelin e Kosovës, i cili në fakt është ai që kërkon edhe Edi Rama. Me apo pa konsensusin e PD-së, Edi Rama tha dje se kjo punë është e kryer dhe pas dy ditësh në 30 korrik në Kuvend do të votohen ndryshimet Kushtetuese për listat dhe koalicionet.