Raporti periodik i Nismës së Vienës për tremujorin e parë të këtij viti vë në dukje se emergjenca e Covid-19 pritet të sjellë sfida serioze për sektorin bankar në Europë. Sipas raportit, mes bankave ka një shqetësim në rritje se niveli i kredive me probleme do të pësojë një rritje të fortë, sapo efektet e krizës të fillojnë të materializohen në ekonomi.
Vala më e madhe e kredive me probleme mund të shfaqet në tremujorin e katërt të këtij viti, kur masat e përkohshme rregullatore të shfuqizohen dhe kur shumë huamarrës të mos kenë fuqi paguese. Një valë e dytë, më e ngadaltë, mund të shfaqet në gjysmën e parë të vitit 2021, ndërsa ritmi i falimentimeve të bizneseve dhe i shtimit të papunësisë do të varet nga shkalla e dëmit që ekonomitë do të pësojnë nga kriza. Një valë e tretë mund të vijë nga fundi i vitit 2021, nga pasojat e tërthorta të krizës mes sektorëve të ndryshëm dhe përcjellja e tyre në zinxhirin e vlerës në ekonomi.
Ndër sektorët që do të goditen më rëndë nga rritja e kredive të këqija priten të jenë turizmi, transporti, shërbimet e restoranteve dhe kompanitë e mikrofinancës.
Nisma e Koordinimit të Bankave Europiane ose Nisma e Vienës është një projekt që synon ruajtjen e stabilitetit financiar në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.
Kreditë me probleme, të parët pavarësisht përmirësimeve
Deri tani, Shqipëria vijon të mbajë kryesimin e palakmuar në renditjen e raportit të kredive me probleme mes vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Të dhënat periodike të publikuara nga Nisma e Vienës tregojnë se pavarësisht përmirësimeve, raporti prej 8.4% të kredive me probleme në Shqipëri ishte më i larti mes vendeve anëtare të kësaj nisme, në fund të vitit 2019. Vitin e kaluar, Shqipëria dhe Kroacia regjistruan uljen më të ndjeshme të raportit të kredive me probleme, me 2.7 pikë përqindje: megjithatë, kjo nuk i mjaftoi Shqipërisë për lënë pozicionin më të keq mes 17 vendeve anëtare.
Sipas të statistikave më të fundit, raporti i kredive me probleme po rezulton i qëndrueshëm edhe në muajt e parë të këtij viti.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky raport u rrit lehtë në 8.3% në prill, nga 8.2% që kishte qenë për marsin. Efektet e krizës së Covid-19 ende nuk po reflektohen në porfotolin e kredisë bankare, edhe për shkak të masave të Bankës së Shqipërisë, që ka pezulluar kërkesat për riklasifikimin e kredive deri në fund të muajit gusht.
Ky vendim mundësoi shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë për huamarrësit e prekur nga pasojat e krizës. Mbështetur në të dhënat e raportuara nga bankat, vlera totale e kredive të shtyra ishte më shumë se 2 miliardë euro.
Pezullimi i përkohshëm i kërkesave për riklasifikim dhe provigjionim të kredive do të bëjë që të paktën në muajt e parë të krizës të mos ketë rritje shqetësuese të raportit të kredive me probleme.
Megjithatë, në një analizë të këtij muaji, Banka Botërore shpreh shqetësim për ngrirjen e riklasifikimit dhe provigjionimit të kredive. Sipas analizës, një masë e tillë duhet të jetë e kujdesshme dhe e monitoruar me kujdes, sepse e bën të vështirë krijimin e një ideje të qartë për përmasat e ndikimit të krizës në portofolet e bankave. Nuk përjashtohet që banka të veçanta të ndjekin praktika më konservatore dhe të riklasifikojnë gjithsesi kreditë mbështetur në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar.
Ulja e pritshme e rritjes ekonomike pritet të godasë aftësinë paguese të bizneseve dhe familjeve, çka mund të reflektohet në një rritje të portofolit të kredive me probleme. Gjithashtu, rënia e prodhimit kombëtar do të sjellë edhe ulje të kërkesës për kredi bankare. Pritet që në gjysmën e dytë të vitit bankat të përballen menjë skenar sfidues, megjithatë pozitive është që kriza e radhës e gjeti sistemin bankar në pozita solide dhe të shëndetshme.
Sistemi bankar, më likuidi në rajon
Përkundrejt pasigurisë ekonomike në rritje, ana pozitive e medaljes është se sistemi bankar në Shqipëri ka nivele likuiditeti dhe kapitalizimi ndër më të lartët në Ballkanin Perëndimor. Të dhënat krahasuese të Bankës Botërore tregojnë se raporti mes kredive dhe depozitave në Shqipëri është shumë më i ulët se në vendet fqinje. Shqipëria e ka këtë tregues në nivelin 54%, ndërsa në vendet e tjera ai fillon nga 77% në rastin e Kosovës, deri në 92% për Serbinë.
Sistemi bankar shqiptar mbështetet gjerësisht në depozitat e publikut dhe ka një strukturë më të diversifikuar të aseteve, ku një peshë të lartë zënë investimet në letra me vlerë dhe vendosjet në banka të huaja. Këto janë instrumente shumë më likuide në krahasim me kreditë dhe do t’iu mundësonin bankave përmbushjen e nevojave eventuale për likuiditet. Shqipëria ka gjithashtu ndër nivelet më të larta të kapitalizimit në rajon. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka arritur në 19.1%, duke qenë i dyti më larti në rajon, pas Serbisë që e ka këtë tregues në nivelin 23.4%.
Rezervat e kënaqshme të likuiditetit dhe kapitalizimit e bëjnë sistemin bankar në Shqipëri të mbrojtur mirë ndaj pasojave negative që pritet të sjellë epidemia e Covid-19 në ekonominë reale.
Kredia e re jep sinjale inkurajuese
Ecuria e kreditimit dha shenja të përmirësimit në muajin prill. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e kredive të reja të dhëna për bizneset dhe individët ishte rreth 16.5 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, shuma e kredisë së disbursuar për sektorin privat regjistron një rënie me rreth 15%. Por, krahasuar me muajin mars, kur shpërtheu epidemia e Covid – 19, shifrat janë në përmirësim të ndjeshëm. Për marsin vlera e kredisë së re kishte qenë vetëm 11.3 miliardë lekë, çka tregon se gjatë prillit huadhënia është rritur me 46%.
Mbyllja e ekonomisë që nga mesi i muajit mars e paralizoi aktivitetin kreditues dhe për shumë javë fokusi i bankave ishte kryesisht në administrimin e procesit të shtyrjes së kredive. Megjithatë, shifrat tregojnë se gjatë prillit numrat kanë filluar të lëvizin. Besohet se, të paktën në kreditimin e ndërmarrjeve, një ndikim ka dhënë edhe skema e parë garancisë sovrane për pagat e punonjësve.
Ministrja Denaj tha të dielën se shuma e e disbursuar nga bankat në kuadrin e skemës së parë ka arritur në rreth 5.9 miliardë lekë. Kjo skemë u përshpejtua sidomos gjatë muajit maj, pasi qeveria mori përsipër të subvenciononte normat e interesit. Ndaj, ka të ngjarë që shifrat e kredisë së re për majin të jenë në rritje të mëtejshme nga prilli.
Për të nxitur kreditimin, Banka Botërore sugjeron një lehtësim të përkohshëm të kërkesave prudenciale të kapitalit, që shumica e vendeve kanë filluar t’i aplikojnë në vitet e fundit. Në Shqipëri, shtesat e para hynë në fuqi në mars të këtij viti. Gjithashtu, sugjerohet pezullimi i shpërndarjes së dividendëve dhe i shpërblimeve për drejtuesit e bankave. Banka e Shqipërisë ka vendosur tashmë pezullimin e fitimeve të pashpërndara të bankave, përfshi ato të realizuara në gjysmën e parë të këtij viti, por për momentin nuk ka vendosur kufizime në shpërblimet e drejtorëve ekzekutivë të bankave tregtare.