Kukësi e ka shfrytëzuar më së miri ndalesën e Tiranës në derbi. Verilindorët fituan bindshëm 3-0 ndaj Teutës dhe tashmë e shohin veten 4 pikë larg bardhebluve, kur mbeten edhe 3 javë nga fundi.
Ekipi i Shehit i ka larë hesapet që në pjesën e parë. Fillimisht një perlë e Vesel Limajt do të zhbllokonte rezultatin në minutën e 5-të, ndërsa vetëm 7 minuta më vonë Cooper dyfishon shifrat. Ky i fundit do të zëvendësonte më së miri mungesën e Shkurtajt, pasi do të ndëshkonte edhe një herë tjetër kundërshtarët.
Kukësi pati mundësinë të shënonte edhe golin e katërt, por Musolli humb duelin me portierin Frashëri nga pika e bardhë e penalltisë. Si për të mos mjaftuar rezultati, Teutës iu larguan me të kuq 2 lojtarë. Fillimisht Aleksi e më pas Beqja, që largoi me dorë topin e goditur nga Abazaj në vijën fatale.
Ndërkohë, Skënderbeu rikthehet te fitorja atëherë kur duhet, duke shmangur njëherë e mirë pozicionin për play-out. Korcarët mposhtën 2-1 Vllazninë, me këtë të fundit që me shumë mundësi do të duhet të luajë në play-out për të qëndruar në Superligë.
Pas kësaj humbje shkodranët mbeten 5 pikë mbrapa Bylisit dhe vendi i Play-Out është shumë i vështirë për t’u shmangur. Ardhja e Xhaferit si sponsor sjellë shpresë për ndryshim për sezonin e ardhshëm, por deri atëherë te Vllaznia duhet të punojnë që të jenë pjesë e elitës.
Gjithçka kthehet dhe padrejtësitë ndëshkohen. Shumë lojtarë të talentuar janë larguar si të padëshiruar nga vendi i tyre dhe sot një prej futbollistëve në fjalë mund ta ketë dërguar Vllazninë në makthet e vjetëra.