MENU
klinika

Veprat e tij

Kush ishte autori i librave shkollorë të periudhës së monarkisë?

26.07.2020 - 00:48

Gjuhëtari françeskan atë Justin Rrota lindi në vitin 1899 dhe vdiq në vitin 1964 nga një sëmundje që e mundoi gjatë. Studimet e para i kreu në qytetin e lindjes, ndërsa ato të lartat i përfundoi në degën e Teologjisë në Insbruck të Austrisë. Sipas Tefë Topallit, ai ishte një ndër njohësit më të mirë të mendimit gjuhësor teorik të kohës së tij.

Atë Justin Rrota (foto Marubi)
Vepra e tij më e rëndësishme është “Sintaksi i Gjuhës Shqipe”, botuar në vitin 1942 si libër i liçensuar nga Ministria e Arsimit për klasat II, III dhe IV të shkollës së mesme. Një vit më pas, u ribotua sërish.

Vepra e tij themelore e cila i përket një fushe që deri në atë kohë nuk ishte lëvruar nga askush, ishte “Leteratyra shqipe”, botuar në vitin 1925, gjithashtu si tekst shkollor.

Që me çeljen e revistës “Hylli i Dritës” ishte redaktor i saj, post që e mbajti vetëm për një vit. Gjatë kësaj kohe, kishte edhe mosmarrëveshje me studiuesit shqiptarë që vepronin jashtë. Edhe pasi nuk ishte redaktor, nuk e ndërpreu asnjë çast bashkëpunimin me “Hyllin e Dritës” e pastaj filloi të botonte edhe në “Zanin e Shna Ndout”.

Në vitet 1929-1930 filloi studimin e “Mesharit”, librit të parë në gjuhën shqipe, i cili ndodhej në Bibliotekën e Vatikanit. Edhe kur vdiq, kishte brenda vetes brengën që nuk ia kishte dalë të zgjidhte enigmat që kjo vepër mbante brenda.

Në këto vite, iu shfaqën dy sëmundje të pashërueshme të cilat e munduan deri sa vdiq në vitin 1964, duke lënë pas një pasuri të pashoq që do të shërbente gjithnjë për hartimet e teksteve shkollore të të gjitha kohëve.

U la në harresë për dhjetra vite, deri kur, pas viteve ’90 figura e tij nisi të vlerësohej si një prej më të rëndësishmeve dhe me kontribut të vlefshëm në studimin e gjuhësisë dhe letërsisë shqipe.