Kuvendi sot do të ketë një seancë plenare të ngjeshur teksa në rend dite do të jenë disa çështje të rëndësishme. Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet sot vetëm për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të cilat janë nga marrëveshja e 5 qershorit e cila sot do të votohet në Kuvend dhe për të duhen 84 vota për miratim.
Por kjo do të jetë një mbledhje e veçantë paraprakisht në Konferencën e Kryetarëve pasi Kuvendi vetë do të fillojë me dy interpelanca, fillimisht me Shahinin të kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare për zgjedhjet në UT në 30 korrik teksa më pas një tjetër interpelancë me ministrin e jashtëm të Shqipërisë kërkuar nga Kostaq Papa.
Po ashtu në rend dite është dhe akti normativ për masën administrative në rast mosmbajtje të maskës në ambiente të mbyllura e cila parashikohet të shkojë në 20 mijë lekë të vjetra. Kodi ajror, ndryshimet në ligjin për sistemin e taksave vendore si dhe raportet vjetore të AMF, Këshillit të Ministrave për gjendjen civile dhe Institutit të Statistikave për vitin 2019 janë po ashtu pjesë e rendit.
Ndërkaq disa dekrete të Metës, përfshirë edhe atë për emërimet në Gjykatën Kushtetuese do të votohen sot. Komisioni i Ligjeve pranoi paraprakisht dekretin e Metës për Gjykatën Kushtetuese bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias, opinioni i së cilës i dha pikërisht të drejtë Presidentit për mekanizmin zhbllokues që miratoi PS në Kuvend.