Sa herë që përmendet emri i Messit, për ndonjë rekord apo në merkato, të gjithë mbajnë veshët hapur. Kjo ndodhi edhe ditën e djeshme kur me shpejtësi u përhap lajmi se babai i Messit, njëkohësisht edhe menaxheri i tij, zbarkoi në Milano për të blerë një shtëpi në qytetin lombard.
Ndoshta për t’u marrë me një shitje fantazmë tek Inter, ku ka pasur zëra se argjentinasi i Barcelona mund të largohet pas situatës së krijuar së fundmi te blaugranat. Sidoqoftë, entuziazmi i tifozëve zikaltër është shuar shpejt. Enturazhi i Messit e përcaktoi lajmin si “të rremë”.
Leo është duke shijuar javën e pushimeve që Quique Setien u dha lojtarëve katalanas para se të fillojnë përgatitjen për ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve kundër Napolit më 8 gusht. Lionel Messi ndodhet në Ibiza me gruan e fëmijët e tij, si dhe me miqtë Luis Suárez e Pepe Costa, me familjet e tyre përkatëse.
Messit i mbetet edhe një vit në kontratë me Barcelonën, por kohët e fundit janë shtuar zërat se ai mund të largohet, e ardhur kjo ndoshta që ekipi nuk është fitues si dikur. Vetëm nëse Barcelona do të fitonte Champions League, mund të kishim një përmbysje të situatës.