MENU
klinika

Nga firmosja e 5 qershorit, te negocimi me…

Loja me votat për Kodin dhe vendimi i PS për Kushtetutën

16.07.2020 - 10:40

Marrëveshja politike e arritur më 5 qershor për ndryshimet në Kodin Zgjedhor rrezikon të mos marrë votat e nevojshme, 84, pas tërheqjes së djeshme nga votimi të deputetëve të opozitës parlamentare në Komisionin e Ligjeve.

Por si arriti situata në këtë pikë, kur maxhoranca dhe opozita parlamentare ishin kaq bashkëpunuese?! Marrëveshja politike e arritur më 5 qershor u përshëndet nga i gjithë faktori i brendshëm dhe i jashtëm. I vetmi që nuk ishte entuziast për atë marrëveshje, e cila rikthente në vendimmarrjen politike PD-në, LSI-në dhe angazhimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme, ishte Kryeministri Rama.

Kreu i maxhorancës u shpreh se ajo që u arrit ishte të hynim në zgjedhje me kodin e vjetër dhe këtë e bëri vetëm për t’i shërbyer PD-së që të marrë pjesë në zgjedhje. “ODIHR është dakord që kjo nuk e cenon lirinë e zgjedhjeve. BE është e kënaqur, Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave”, u shpreh menjëherë Rama pas firmosjes së marrëveshjes në Këshillin Politik.

PROPOZIMET

Por vetëm pak ditë pas kësaj marrëveshjeje, një grup prej 29 deputetësh të opozitës parlamentare, me në krye nënkryetarin e Kuvendit, Myslim Murrizi, kërkuan ndryshime në Kushtetutë, duke filluar nga heqja e koalicioneve parazgjedhore, hapja e listave të kandidatëve për deputetë dhe rritja e pragut elektoral.kuvendi

Madje, këtë kërkesë ata e shoqëruan dhe me kërcënimin se nuk do të jepnin votën e tyre për Kodin Zgjedhor nëse maxhoranca nuk miratonte propozimet e tyre për ndërhyrjet në Kushtetutë. Mbështetja e Kryeministrit Rama ndaj këtyre kërkesave nuk erdhi menjëherë. Vetëm 5 ditë pas marrëveshjes me PD-në dhe LSInë për Kodin Zgjedhor, Kryeministri priti deputetët e opozitës parlamentare që kërkuan ndryshimet në Kushtetutë, Murrizi, Hajdari dhe Stojku.

Ata përfaqësonin një listë prej 29 deputetësh opozitarë. Në përfundim të këtij takimi, Rama doli i zhgënjyer se nuk kishte mundur t’i bindte deputetët e opozitës për të votuar Kodin, duke artikuluar për herë të parë se nuk i ka votat e nevojshme, 84, për të miratuar Kodin e ri Zgjedhor, sipas marrëveshjes së 5 qershorit me PD-në, LSI-në dhe ndërmjetësimin kërcënues të ndërkombëtarëve.

Në mungesë të plotë protagonizmi në këto negociata, një grup prej 11 deputetësh të tjerë nga opozita parlamentare iu drejtuan maxhorancës me kërkesa të tjera, të gatshme për negocim. 11 deputetë, kryetarë partish të vogla, kanë dolën më 15 qershor me 8 propozime të reja mbi Kodin e ri Zgjedhor dhe ndryshimet në Kushtetutë, duke kërcënuar me mosvotim të Kodit të ri Zgjedhor nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese.

Në këto kushte, Kryeministri Rama, në daljet e tij publike, ka deklaruar se nuk i ka votat në Parlament, vetëm 75 deputetë, për të votuar Kodin Zgjedhor, duke u detyruar që të marrë parasysh dhe kërkesat për ndryshimet kushtetuese. Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve në disa mbledhje të përbashkëta morën opinionin e shumë grupeve të interesit, duke hapur debatin publik për ndryshimet kushtetuese, ndërsa Kryeministri Rama doli në mbështetje të listave të hapura si një kërkesë e qytetarëve shqiptarëve, e cila duhet respektuar.

Këshilli i Legjislacionit miratoi brenda dy javëve diskutimet për ndryshimet Kushtetuese, duke pranuar listat e hapura dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Edhe pse reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar, si nga shumica qeverisëse në Gjermani, përmes Johan Wadelphul, por dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim, për miratimin e Kodit Zgjedhor pa ndryshime sipas marrëveshjes së 5 qershorit dhe tërheqjen nga ndryshimet kushtetuese, maxhoranca dhe Kryeministri Rama janë të vendosur për ta çuar paketën kushtetuese dhe Kodin Zgjedhor në seancën e 23 korrikut për miratim./ PANORAMA