MENU
klinika

Cili është vendimi i radhës së AMF?

Masat e marra për shëndetshmërinë e tregjeve

23.07.2020 - 12:42

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete prezantoi sot, në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë, raportin mbi veprimtarinë e Autoritetit gjatë vitit 2019. Z. Mete u ndal në zhvillimet kryesore të vitit të kaluar, si edhe përmendi disa nga drejtimet kryesore për vitin në vazhdim, marrë parasysh efektet e pandemisë në tregjet nën mbikëqyrje.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se referuar ndikimeve vazhduese të pandemisë në ekonomi dhe në sektorin financiar është e rëndësishme për Autoritetin dhe për operatorët e tregjeve nën mbikëqyrje, marrja e masave për një përballim sa më të kujdesshëm të efekteve.

“Autoriteti u ka kërkuar të gjithë operatorëve të tregjeve nën mbikëqyrje që të përditësojnë dhe të kenë funksionale plane të vazhdimësisë së veprimtarisë dhe planet e përballimit të krizave, ku të detajohen të gjithë elementët teknikë, logjistikë, njerëzorë dhe financiarë për përballimin e efekteve të mundshme. Gjithashtu, në linjë me rekomandimet e autoriteteve rregullatore evropiane, ju është kërkuar operatorëve të tregjeve nën mbikëqyrje të vlerësojnë efektet e pandemisë për konsumatorët, por edhe për vetë shoqëritë,” theksoi z. Mete.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv bëri me dije se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka marrë vendim që deri në fund të vitit të mos ketë asnjë shpërndarje fitimi nga subjektet nën mbikëqyrje, në mënyrë që kapitalet të mbahen në sistem, duke vlerësuar këtë si një nga mënyrat më efektive për të rikuperuar luhatje të mundshme të treguesve.

Z. Mete informoi deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrje gjatë vitit 2019, ku dy tërmetet ishin ngjarjet madhore që shënjuan vitin e kaluar tregun e sigurimeve.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se drejtimet kryesore të veprimtarisë së Autoritetit gjatë këtij viti do të jenë menaxhimi i situatës dhe ruajtja e qëndrueshmërisë së tregjeve të mbikëqyrura, plotësimi dhe përmirësimi i kuadrit rregullator, arritja e standardeve të larta të mbikëqyrjes, digjitalizimi dhe modernizimi i infrastrukturës së teknologjisë së informacionit, si edhe hartimi i strategjisë së re për mbrojtjen e konsumatorit dhe investitorit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive

"Ngrin" pagesa e kredive, për 3 muaj

Bankat nuk do kërkojnë shlyerjen e kësteve