MENU
klinika

Dëshmi të rralla të qëndrimit në Shpat të Elbasanit

Miqësia e Lef Nosit me Hasluck

27.07.2020 - 06:24

Shpesh kanë lindur pyetje nëse mes Lef Nosit dhe Margaret Hasluck kishte më tepër se miqësi. Nosi nuk u martua ndërsa Hasluck mbeti e ve në moshën 35-vjeçare

Studiuesja angleze, Margaret Hasluck, kaloi shumë vite të jetës së saj në Elbasan. Në një miqësi të ngushtë me Lef Nosin, Hasluck studioi folklorin dhe traditat shqiptare duke kaluar në lupë edhe zonën e Shpatit. Elbasani do të përbënte një pjesë të rëndësishme të studimeve që janë botuar në librin e saj “Ligjet e pashkruara të shqiptarëve”. Në Elbasan, të gjithë e njohin si angleska, gruan që e deshi aq shumë këtë qytet, por edhe shqiptarët. Hasluck jetoi gjatë në Shqipëri duke u vendosur për më shumë se 15 vjet në Elbasan. Madhështia e Margaret Hasluck u errësua me dashje nga sistemi totalitar pas kërkesës publike që i bëri në pranverën e vitit 1946 diktatorit Enver Hoxha, për anulimin e dënimit me vdekje të Lef Nosit, patriot dhe atdhetar por që u bë pjesë e qeverisë së regjencës gjatë pushtimit. Ishte e njohur si etnografe, sociologe dhe hulumtuese.

Zona e Shpatit për kulturën dhe trashëgiminë e pasur gjithashtu ka marrë një pjesë të rëndësishme të hulumtimit të studiueses angleze. Gjatë gjithë kohës, ajo shoqërohej nga Lef Nosi, duke u ndalur në një familje mjaft të njohur në Valësh, siç do të ishte familja e Konstandin (Sulë) Panxhit. Një mik i Lef Nosit, Sula nuk do të ishte rastësisht ndalesa e dy hulumtuesve. Ai ishte njohur me abetaren e Kristoforidhit, kishte vazhduar një shkollë profesionale dhe kushërinjtë e tij ishin bërë mësues të zonës së Shpatit, pasi kanë kaluar nga Normalja e Elbasanit. Familja Panxhi ishte e vetmja që kishte një shtëpi karakteristike në Valësh, shtëpi e cila priti Lef Nosin dhe Margaret Hasluck.

Nipi i Sulës, Irakli Panxhi, sjell kujtimet e familjes për këtë ngjarje që ka mbetur në kujtesë dhe madje është përforcuar pas vizitave të mbesave të Margaret Hasluck pak vite më parë në Valësh dhe në të gjithë zonën e Shpatit, ku u ndal dikur zonja angleze që e deshi shumë Shqipërinë. “Kjo banesë këtu është shtëpi e vjetër e familjes Panxhi, e Kolës dhe Lef Panxhit, të bijtë e Konstandinit ose Sulë Panxhit i njohur si mik dhe vëlla gjaku i Lef Nosit. Shtëpia jonë është ndërtuar në vitin 1927 me tavan dërrase dhe dritare xhami, e vetmja me tavan druri në zonë duke ndjekur modelin e Elbasanit në atë kohë. Për hir të miqësisë me Lef Nosin, kjo familje priti në vitin 1938 Margaret Hasluck, për të studiuar kulturën e Shpatit. Kanë qëndruar për gjashtë javë në zonën e Shpatit. Margaret kishte një kalë, të cilin e ushqente me tagji dhe kallam sheqeri. Këtë na e ka treguar gjyshi, pasi mamaja ime ka qenë dy-tre vjeçe. Gjatë drekës, ata qëndronin në një çadër, ku shkruanin e shikonin harta, studionin kulturën dhe zakonet e zonës së Shpatit”. Disa nga kujtimet e pasardhësit Panxhi tregojnë miqësinë dhe përkushtimin e studiueses dhe folkloristit në një zonë me mjaft traditë si Shpati.

Në vitin 2012, nga Uellsi kanë udhëtuar për në Elbasan dy mbesat e Margarat Hasluck. Ato kishin informacion të plotë për të gjitha hulumtimet që Hasluck kishte kaluar në këtë pjesë të jetës së saj. Mbesat e saj përshkuan një pjesë të rrugës dhe familjeve ku kishte qëndruar. Në dorëshkrimet e saj, kishte shkruar edhe për familjen Panxhi. Ishin të bijat e motrës së Margaret dhe njëra mbante emrin e saj. “Panë banesën, madje i thanë mamasë që ne dimë më tepër nga ty për historinë e kësaj familjeje, sepse Margaret Hasluck i ka shkruar. Unë insistova që nëse keni mundësi të na jepni diçka, sepse doja të mësoja. Ajo shumë shpejt tha se do të botojmë të gjitha dorëshkrimet që ka lënë Margaret për zonën e Shpatit”, tregon ndër të tjera Panxhi.

Studimet e Hasluck me vlera për zonën

Filip Bërdufi, mësues, historian dhe i pasionuar pas zonës së Shpatit, shprehet se kanë qenë vlerat e zonës së Shpatit që e kanë sjellë Margaret Hasluck dhe Lef Nosin për të studiuar me imtësi kulturën dhe traditën e kësaj zone.

Bërdufi, çfarë vlerash mbart zona e Shpatit që ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e studiuesve?
Valëshi është një ndër fshatrat më të rëndësishëm të krahinës së Shpatit që shpalos vlera historike, kulturore dhe natyrore. Në veri të fshatit, mbi shkëmbin gëlqeror, gjenden rrënojat e kalasë ilire dhe pranë saj rrënojat e shumta të njohura si Qyteza. Në shekullin XVI, Valëshi ishte kryeqendra e krahinës. Me vlera të veçanta është kisha e Shën Premtes e zbukuruar me afreske nga piktori i madh shpatarak Onufri në vitin 1554. E tillë ka qenë dhe kisha e Shën Nikollit e ndërtuar në vitin 1604 dhe shpallur monument kulture, por çuditërisht e prishur nga fundi i viteve ’80 nga drejtuesit e kooperativës bujqësore të asaj kohe. E njëjta gjë po ndodh edhe sot me kishën e Shën Premtes, afresket e së cilës u shkatërruan barbarisht nga njerëz “të panjohur”, që shteti ynë nuk është në gjendje t’i gjejë. Valëshi është vendlindja e Papa Totasit, që na ka lënë dy alfabete origjinale të gjuhës shqipe të shekullit XVII dhe e piktorit të shquar Kostandin Shpataraku, shekulli XVIII. Një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë valshakët në luftën për liri dhe pavarësi kundër pushtuesve osmanë, nga çetat luftarake të drejtuara nga Ymer Dervishi. Patriotët valshakë arritën që të çelnin një shkollë greqisht në vitin 1898, ku mësohej edhe gjuha shqipe klandestine. Kur u dha leja për çeljen zyrtare të shkollave shqipe, valshakët dërguan në klubin “Bashkimi” në Elbasan, djem që kishin mësuar shqipen në mënyrë klandestine në Valësh, dy nga të cilët u emëruan mësues për shkollat e Shpatit në tetor 1908.

Çfarë ka lënë si studime Hasluck për zonën e Shpatit?

Etnografia dhe sociologia angleze, Margaret Hasluck, në studimet e saj mbi ligjin e pashkruar shqiptar ka lënë një material me vlera për krahinën e Shpatit mbi organizimin politiko-shoqëror të fshatrave të krahinës së Shpatit, organizimin administrativ dhe ushtarak, banesën dhe organizimin patriarkal për familjen, vëllazërinë, fisin, kufijtë e fisit, fshatit, kullotat, livadhet, pyjet etj.

Ju keni mundur të takoni mbesat e Hasluck. Çfarë kujtimesh keni ruajtur?

Kishin ardhur për t’u njohur me vendet ku kishte kaluar dhe qëndruar Margaret. Kur erdhën në gjimnazin “Kostandin Shpataraku”, mbasi biseduam për qëllimin e ardhjes dhe ndihmën që kërkonin nga shkolla jonë, ato u përballën me një surprizë të këndshme, kur iu prezantua një nga nxënëset e gjimnazit, Ana Oga, si një nga trashëgimtaret e familjes ku ka qëndruar Margaret Hasluck dhe komunikuan në gjuhën angleze. Pas dy viteve, ato erdhën sërish dhe vizituan shtëpinë ku kishte bujtur Margaret e shoqëruar nga Lef Nosi.