MENU
klinika

Ku u shfaq për herë të parë?

Në gjurmët e “Darkës së Fundit”, në Lezhë apo Milano

26.07.2020 - 06:51

Darka e Fundit është një ndër pikturat murale më të famshme të botës, kjo vepër mendohet të jetë komisionuar nga padroni i Leonardos, Duka i Milanos, Ludovico Sforza, përreth 1495-1496.

Në pikturë shfaqet, ashtu siç thuhet në Ungjillin e Gjonit, Jezusi me dishepujt e tij ku ai deklaron se njëri prej ndjekësve do ta tradhëtojë atë.

Por a ishte Leonardo da Vinçi i pari që do ta sillte kaq të gjallë për botën këtë pjesë të ungjillit?

Kisha e Shën Venerenda (Shën Premte) – Ky objekt kulti daton në shekullin e III-të. Ruhet e plotë me të gjitha elementet përbërëse arkitektonike me planimetri në formë drejtëkëndore. Veçantia e kësaj kishe vërehet që në momentin që e visiton pasi pasqyron lashtësi, mbijetesë dhe dëshmi historike.

Afresket ruajnë vlera me rëndësi jo vetëm rreth cilësise së realizimit të tyre por edhe për historinë e zhvillimit të saj në faza të ndryshme. Afresku “Darka e fundit” përbën veçantinë më të madhe pasi paraqet këndvështrimin për këtë ngjarje të rëndësishme kishtare dy shekuj më parë se të njëjtën pikëpamje të paraqiste edhe Leonardo Da Vinci.

Ajo është realizuar nga mjeshtërit nga Dalmacia, të cilët kanë qenë të lirë dhe kanë pasqyruar pikëpamjet e tyre në lidhje me këtë ngjarje të Krishtërimit. Në këto afreske, paraqitet Jezusi së bashku me dishepujt e tij ku bën pjesë edhe Juda, ndërsa ka vetëm 6 gota, ndryshimi me versionin zyrtar qe njihet edhe nga kisha katolike që ka 12 gota.

Ndodhet në kodrën e fshatit Balldre (Njësia Administrative Balldre) 5 km nga qyteti i Lezhës dhe vetëm 300 metra nga superstrada Balldre – Shkodër.