MENU
klinika

Dilema

Promete i vuajtur apo Narcis i kënaqur?

27.07.2020 - 06:41

Një dilemë e ngjashme me dilemën migjeniane të derrit që përballet me Sokratin. Si derri, edhe Sokrati aq sa të kundërt, aq edhe të ngjashëm. Të dy janë të skajshëm. Radikalë në qëndrimet e tyre. Një litar që në majë e në fund ka nga një nyje. Njëra nyje përfaqësohet prej derrit e tjetra prej Sokratit. A përfaqëson të parën a të fundit Sokrati? Ka vend për diskutim.

Çdo derr që të marrësh e të pyesësh për këtë dilemë, do të thotë “Dua të jem Sokrat!”. Madje do të thotë “Derr i kënaqur? Blleh!” me një neveri që i shkon fort për shtat, si çdo derri tjetër të neveritshëm. Pse? Se nuk e njeh Sokratin. Edhe sepse e di, se sado që të duan për t’u çderrëzuar, përsëri derr mbetet.

Derr hajt! Ku ta marrësh! Halli është mos të jetë derr i egër. Derri i butë sheh punët e veta, ha në një cep nga pak pleh, e kur plehrat i ka me shumicë, bëhet derr i kënaqur. Halli qëndron te derri i egër. Derri i egër i cili ha me shumicë e nuk ngopet. Sado që ha, do përsëri. Është i gatshëm të hajë vetveten. Derrin e egër që turret në një pyll, vështirë se mund ta zbusë ndonjë gjë.

Situata mes derrit e Sokratit që na shtron Migjeni është e njëjtë me një ndodhi që na ndodhi të gjithëve, kur vdiq Umberto Eko. Të gjithë, jam i bindur, pajtoheni me mua, se Eko është filozofi më i nadh modern. Si për gjithkënd pasi vdes, shprehjet i bëhen të famshme dhe ai fillon e merr famë edhe te ata që nuk e kanë njohur. Të gjithë navigojnë në internet dhe kërkojnë shprehje për të mbushur stomakun e derrit të egër të pangopur të quajtur rrjet social.

Ndër tërësinë e shprehjeve që ai kishte thënë, ishte edhe shprehja “Interneti barazon injorantin me inteligjentin”. E çdo injorant, me krenari e merrte ketë shprehje, ia jepte derrit të egër të pangopur, të quajtur rrjet, e ky, pasi e hante e jashtënxirrte në një trajtë krenarie të neveritshme. Ata nuk e kuptonin se me ketë shprehje po tallnin vetveten, por dëshira mbytëse për të tallur tjetrin, i nxiste për të gabuar. Diçka krejt normale për sojin shqiptar.

Pas një dileme të tillë mes dy nyjeve të litarit të botës, kalojmë në një tjetër dilemë. Olimpi në përceptimin tim, është një gjysmë lukuni këndesh, ku përballë njëri-tjetrit këndet janë të kundërt. Në një krah është Hera, nëna e të gjitha perëndive dhe perëndesha e lindjes, e në krahun tjetër është Hadi, perëndia e vdekjes. Ose në një krah është Apollo, perëndia e poezisë, jetës dhe artit, ndërsa në krahun tjetër është Aresi, perëndia e luftës, gjakut e dhunës.

Rasti më i bukur, mes dy figurave mitologjike, është ai që përbën litarin shpirtëror të njerëzimit edhe sot. Ai mes Prometeut dhe Narcisit. Njëri perëndi, tjetri gjysëm perëndi. Me gjenezë, të dy prej kësaj gjysëm lukuni këndesh. Historia e ndau njërin nga ana e lukunisë, ndërsa tjetrin e dërgoi në anën e kujtesës pozitive. Lukunia e një farë egoizmi që mbizotëronte zotat, e mbyti në pafundësi Narcisin, ndërsa pozitiviteti që s’mund të pranohej prej Perëndive, e çoi nga pozitiviteti Prometeun.

Një bukuri, një dashuri, një brrakë me ujë. Kaq ju deshën Narcisit për të vdekur. Një bukuri që ia lakmonte gjithkush. Bukuri e mbinjerëzishme, bukuri e denjë vetëm për Olimpin. Bukuria nuk e lejonte për të parë përtej saj. Nuk e lejonte të shihte se bota ishte plot me njerëz të bukur. Nuk e lejonte të shihte se kishte të tjerë që e donin. Bukuri që i mbylli sytë për dashurinë e të tjerëve.

Çfarë i duhej dashuria e të tjerëve? I mjaftonte dashuria e vet për veten. Dashuria për vete, e bashkuar me bukurinë, e bëri të tallej me plot e plot njerëz që e donin. E si qe fati i tij? Shkoi diku, i nxitur prej atyre çka të tjerët i thonin për sifatin e vet, u pa në të, e aq shumë iu shtua dashuria sa që ra në të, e u mbyt. U mundua të përpëlitej në atë brrakë me ujë, por fati s’deshi ta ndihmonte.

Të gjitha ato çka Narcisi zotëronte, ishin veçori e gjysmë lukunisë të perëndive. Egoizmi, bukuria e dashuria për veten. Si ka mundësi që nuk e ndihmoi kjo gjysëm lukunie pra? Apo mos ndoshta fati i jetës së tij ishte nga ana tjetër e shumëkëndëshit të Olimpit? Gjithsesi gjysëm lukunia e përfaqësuar prej tij, nuk mundi të qëndrojë, pa e nderu sado pak. I krijoi një lule krejt të ngjashme me atë e me ato. Një lule aq të bukur, sa lum kush e sheh, po një lule me erë aq të neveritshme, sa mjerë kush e nuhat.

Një zjarr, një thyerje rregullash, një shkabë. Këto u deshën që Prometeu të kalonte në anën e mirë të historisë. Ai mori një kreaturë të perëndive, u kujdes për të e ua dha njerëzve dhuratë. Mendoi për to, pastaj për vete. Prometeu ngjan më tepër me një hero të krishterë biblik, sesa me një hero politeist. Si nipi i Uranit, me kushëri Zeusin, Prometeu ishte i pabindur.

Pse të bindej? Kujt t’i bindej? Kushëririt? Kushëriri në fakt duhej ta kuptonte sepse edhe ai kishte ngritur krye, duke vrarë të atin që kishte dashur ta hante, kur Zeusi ishte foshnje. E Kronusi më pas u burgos, bashkë me Titanët e tjerë në gropën e Titanëve. Zeusi, me këtë lëvizje, fitoi dashurinë e respektin e Olimpit, por edhe zhyti në tokë të gjithë familjarët e tij, që mund t’i cënonin pushtetin. Por Prometeu shpëtoi. Meqë shpëtoi, si i një gjaku me Zeusin, atij i lejohej të futej në Olimp. Sapo u fut në Olimp, shikoi zjarrin dhe e mori. Zeusi, me inat që nuk kishte groposur edhe këtë bashkë me të tjerët, e mori dhe e çoi në majën e malit të Skithisë, ku një shkabë vazhdon ta torturojë akoma edhe sot.

Tani të gjithë jemi mes këtyre dy zgjedhjeve. Por jemi sot. Dje nuk ishim. Le të kujtojmë vetëm disa gjëra normale shqiptare, që kur i përmend duken si humor, ndërsa kur i krahason me zgjedhjet e lartpërmendura, të bëjnë të mendosh me keqardhje.

Shikoni gjithë muret rrethuese të shtëpive në Shqipëri. Çfarë dalloni të ndryshme prej vendeve të tjera? Në vende të tjera, nuk ke fare mure, ke një gardh të ulët, të bardhë, që është më tepër si rrethim për të mos u prishur lulet nga ndonjë pakujdesi fëminore.

Ndërsa këtu? Këtu është një mur, 2.5 metra i gjatë, ku në majë të tij, ka gastaret e shisheve të birrës të thyera, të ngulura nëpër të. Gastaret, që përbëjnë një mburojë fantastike për të mos lejuar hajdutin, që të kalojë matanë murit për të vjedhur. Çfarë do të vidhte matanë atij muri? “Matanë gardhit, asgja t’re” thotë Migjeni. Asgja e re nuk është matanë atij muri. Ndonjë pemë kumbulle, ndonjë tjetër qershie, e në fund tek-tuk ndonjë luleshtrydhe, sa të merren më të vjetrit me to.

Për fat të keq, kjo sjellje kakarele, të bën të kuptosh se çfarë pasojash të çmendura ka lënë komunizmi ndër ne. Një vuajtje e ngjashme me atë të Prometeut, për të ruajtur me fanatizëm diçka ashtu si e ruante Narcisi dashurinë e vet.

Për shqiptarin, sot edhe shqiptari është i huaj. Një ndër tre vetë, është spiun, propagandonte komunizmi. Normalisht, për të gjithë spiuni është i huaj. Dhe për t’u mbrojtur nga të huajt, shiu komunist la pas një çmenduri kërpurdhash të betonta. Por, edhe i huaji po të vinte çfarë mund të gjente në Shqipëri? Njësoj ndodh edhe me oborret e sotshëm të shqiptarëve. Ato me vrap nisen për të ruajtur me fanatizëm fanarin ndriçues të qytetit, i cili ndodhet mu në zemër të oborrit tyre.

Narcisët shqiptarë të pas ‘90 filluan të zënë ata çka Prometetë me mund kishin bërë. “Tokë e zanun” shkruhej nëpër copa druri, të ngulura në dheun e huaj. Narcisët e shquanin veten më lart se Prometetë. Në fakt, edhe pse të dy pësojnë një fat tragjik, Narcisi, të paktën ka mundësi vetëlavdrimi, ndërsa Prometeun nuk e lë sqepi i shkabës, as për t’u menduar. Ata e zhgarravitnin me shkronja atë copë dërrase, para se të ngulej, ngaqë komunizmi u kishte mësuar “Zëre, se ta zunë”. E sigurisht, mentaliteti i shqiptarit, nuk e lejonte që të zinte e të ruante më parë tokën e vet, por shkonin dhe zinin të tjetrit, sepse iu dukej më e mirë.

Narcisët shqiptarë, shkatërrojnë tabela e më pas bashkë me Prometetë, përfundojnë duke vdekur. Narcisët mendojnë për momentin, Prometetë për të ardhmen. Prometetë, që rrezikojnë jetën për t’i rregulluar këto tabela tallen prej Narcisëve, e pastaj, heqin dorë. Por duke hequr dorë, kujtoni se bëhen më mirë? Po. Bëhen Narcisë, e së bashku fillojnë e shkatërrojnë të ardhmen e tyre.

Pra ne sot e zgjedhim me vetëdije a duam të jemi Narcisë apo Promete. Duam të ngopemi me egoizmin tonë, apo duam të ngopim të tjerët me zemërgjerësinë tonë? Duam të hamë vetë mbi një tryezë të shtruar me safrabezë të punuar me fije të arta, apo duam ta ndajmë atë që na tepron ngopemi ndër mësalla të grisura që kanë mbushur sa rrugët, sa azilet, e sa spitalet?