MENU
klinika

Ngërçi për 2 anëtarët nga Presidenti e Kuvendi në Kushtetuese

Pse po bllokohet ngritja e Gjykatës Kushtetuese?

20.07.2020 - 07:53

Gjykata Kushtetuese do të vijojë të mos jetë funksionale, për të paktën deri në fund të këtij viti. Në mbledhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku në fokus ishte shqyrtimi i kandidatëve për 2 pozicionet në Gjykatën Kushtetuese, të 9 emrat që kishin shpalosur kërkesën, u rrëzuan.

TË TËRHEQURIT

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi theksoi se 3 nga 9 kandidatët ishin tërhequr nga gara, ndërsa për 6 të tjerët ishte marrë vendim për t’i përjashtuar, pasi nuk përmbushnin kriteret e vendosura. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi:

Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes për shkak të tërheqjes së tyre nga kandidimi, të kandidatëve; 1. Klodian Rado, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 21.08.2019; 2. Prel Martini, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 27.09.2019; 3. Envi Hicka, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 27.09.2019”, thuhet në njoftimin e KED.

TË PËRJASHTUARIT

Ndërsa për kandidatët që janë përjashtuar nga procesi, KED thotë se nuk i kishin plotësuar rregullat dhe kriteret që përcaktohen në Kushtetutë. Në listën e atyre që u ndalohet kandidimi për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese janë: Besnik Muci, Ardita Alsula, Shaqir Hasanaj, Vjosa Bodo, Vasil Bendo, Dedë Kasneci. Sipas rregullores, vendimet e plota dhe të zbardhura për ndalimin e kandidimit të tyre do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për KED. Pas publikimit, kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

NGËRÇI

Pas këtij bllokimi të radhës të procesit të plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit vijon të mbetet me 4 anëtarë dhe jofunksionale për të marrë vendime. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka 4 anëtarë, nga 9 që duhet të ketë në kushte normale. Përveç tre anëtarëve që do të shkojnë në Kushtetuese nga Gjykata e Lartë, janë edhe 3 kandidatë që do të përzgjidhen nga Kuvendi dhe Presidenti. Kuvendi ka edhe një emër për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, pasi më herët vendosi që votonte për Fiona Papajorgjin dhe Elsa Toskën, ndërsa Presidenti Meta ka edhe dy emra, pasi nga lista e tij në Kushtetuese ka shkuar vetëm Marsida Xhaferllari, sepse Besnik Muci u largua nga apeli i vetingut.

KANDIDATËT PËR NË GJYKATËN KUSHTETUESE QË U RRËZUAN

U TËRHOQËN

Klodian Rado, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 21.08.2019

Prel Martini, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 27.09.2019

Envi Hicka, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 27.09.2019.

U NDALUAN

Besnik Muci, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 27.09.2019,

Ardita Alsula, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 21.08.2019.

Shaqir Hasanaj, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 27.09.2019.

Vjosa Bodo, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 27.09.2019;

Vasil Bendo, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 27.09.2019;

Dedë Kasneci, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 27.09.2019;

Përplasja President-Kuvend për Gjykatën Kushtetuese

Përveç Vitore Tushës, të gjithë anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese nuk mundën dot ta kalojë vetingun. Në këto kushte, që prej dy vitesh kjo Gjykatë mbeti jofunksionale dhe që nga kjo periudhë procesi i plotësimit të vakancave të saj u bë “mollë sherri” mes Presidentit Meta dhe maxhorancës socialiste.

Çështja shkoi deri në Komisionin e Venecias, që në një përqindje të konsiderueshme ishte në favor të qëndrimit që kishte mbajtur Presidenti. Pas opinionit të “Venecias” u largua kreu i KED-it, Ardian Dvorani, që nga Presidenti Meta ishte cilësuar si njeriu, përmes të cilit maxhoranca po tentonte të kapte Gjykatën Kushtetuese./ Panorama