MENU
klinika

Relacioni për amnistinë fiskale dhe penale, nuk ka asnjë …

Qeveria tërhiqet nga falja e pasurisë për ish-zyrtarët

08.07.2020 - 16:34

Një muaj pas debatit që u bë për variantin e parë të qeverisë, që lejonte amnistinë e pasurisë së ish-zyrtarëve dhe pushtetarëve, qeveria tërhiqet.

Pas akuzave se ligji ishte bërë selektiv, sepse lejonte amnistinë e pasurisë dhe pronave të padeklaruar për zyrtarët dhe politikanët që kishin qenë në detyrë tre vjet para hyrjes së fuqi të këtij ligji, qeveria ka reflektuar duke i përfshirë edhe ata si jopërfitues, bashkë me zyrtarët në detyrë.

“Përjashtohen nga zbatimi i amnistisë subjektet, të cilat brenda tri viteve të fundit kanë qenë mbajtëse të detyrave apo funksioneve sipas përcaktimit të nenit 3 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, ‘Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë’, i ndryshuar, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhej në variantin e parë të projektligjit.

Pas reflektimit, drafti përcakton se nga amnistia nuk përfiton asnjë ish-zyrtar dhe familjar i tyre, që sipas ligjit ka pasur detyrimin ligjor të bëjë deklaratë të të ardhurave dhe pasurisë së tyre. “Përjashtohen nga zbatimi i ligjit të amnistisë subjektet, të cilat kanë qenë mbajtëse të detyrave apo funksioneve sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në nenin 6 të ndryshuar të ligjit.

FATURA

Ajo që bie në sy në draftin e qeverisë për amnistinë fiskale dhe penale vërteton akuzat e ngritura nga ekspertët e ekonomisë se projektligjit i mungon një studim i gjendjes reale të parasë informate, që pritet të amnistohet dhe të zyrtarizohet në banka. E vetmja shifër që shoqëron draftin është përkufizimi se ky projektligj nuk e rëndon buxhetin e shtetit, por nuk parashikon se sa do ta lehtësojë apo fuqizojë këtë buxhet.

“Ky projektligj nuk parashikon efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit”, thuhet në përfundim të neneve të këtij projektligji. Nëse do të shohim tatimin që duhet të paguajnë subjektet që do të aplikojnë për të amnistuar pasurinë e tyre, ai varion nga 5-10 për qind, në varësi të kohës kur subjektet do të zgjedhin për të aplikuar. Edhe pse në relacionin e qeverisë që shoqëron draftin thuhet se qëllimi i tij është rregullimi i të ardhurave të goditura nga tërmeti dhe pandemia e Covid-19, shifra financiare se sa do të përfitohet nga kjo nismë nuk jepet.

“Është e nevojshme që vendi, pas kapërcimit të dy eventeve tronditëse të ekonomisë, si tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia botërore për shkak të COVID-19, të mund të rimëkëmbet ndër të tjera duke zyrtarizuar tregun real të saj. Ky objektiv është i vështirë, pasi duhet të mbajë në vëmendje edhe zbatimin me përparësi dhe eficiencë, kjo pa dështuar në objektivat e saj ndaj luftës kundër trafikimit të të gjitha llojeve dhe luftës kundër korrupsionit në çdo nivel”, thuhet në relacionin që shoqëron draftin.

ISHTE

Neni 6 Subjektet e përjashtuara Janë subjekte të përjashtuara nga zbatimi i këtij ligji:

a) Subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të nenit 3 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

b) Subjektet, të cilat brenda tri viteve të fundit kanë qenë mbajtëse të detyrave apo funksioneve sipas përcaktimit të nenit 3 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

BËHET

Neni 6 Subjektet e përjashtuara Janë subjekte të përjashtuara nga zbatimi i këtij ligji:

a) Subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

b) Subjektet, të cilat kanë qenë mbajtëse të detyrave apo funksioneve sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji./PANORAMA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si do bëhet “pastrimi” i pasurisë?

Kategoritë që përfitojnë nga amnistia e re fiskale