MENU
klinika

Tatim-fitimi/ Të vegjlit e biznesit në “parajsë” fiskale!

Rreziqet dhe pritshmëritë nga prekja e TVSH-së dhe tatim-fitimit

13.07.2020 - 13:34

Pa laps dhe letër, pa një skemë të qartë dhe pa bërë llogaritjet e duhura të efekteve, qeveria nxitoi të shpallë nismën për heqjen e tatim-fitimit për bizneset e vogla deri në vitin 2029, dhe më pas për heqjen e TVSH-së, edhe pse Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar, në fakt njihet si taksë mbi konsumin dhe jo taksë mbi biznesin.

Duket se ky “guxim” i qeverisë u nxit nga marrja e huasë prej 650 milion euro përmes emetimit të Eurobondit të ri, ku përmes kredisë do të synohet të lehtësohet barra fiskale mbi biznesin e vogël, në mënyrë që të përballohen më lehtë “shenjat” e lëna nga pandemia COVID-19.

Por në kahun tjetër, në kushtet kur të ardhurat në buxhetin e shtetit janë goditur rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe pandemia e COVID-19, dhe investimet publike gjithnjë e më shumë kanë rënë pre’ e gërshërëve, qeveria nuk ka një plan se si do t’i zëvendësojë në afatgjatë të ardhurat e munguara nga prekja e këtyre dy taksave.

Të “lirë” nga tatim-fitimi

Në fillim të muajit Qershor, kryeministri Edi Rama bëri me dije iniciativën për heqjen e tatim-fitimit për biznesin e vogël me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë deri në vitin 2029. Edhe pse rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare, kryesisht të Fondit Monetar Ndërkombëtar, janë që qeveria të jetë e kujdesshme në ndryshimin e shpeshtë të politikave fiskale, në vendin tonë vijon që paketa fiskale të rishikohet çdo vit.

Aktualisht bizneset me xhiro vjetore 0-5 milionë lekë nuk paguajnë tatim fitim në buxhetin e shtetit, ndërsa bizneset me xhiro vjetore nga 5-14 milionë lekë paguajnë 5 për qind tatim-fitim, normë e cila ka hyrë në fuqi më 1 Janar 2019, pasi kjo fashë me herët paguante 15 për qind. Në grupin e biznesve që paguajnë aktualisht 5 për qind tatim-fitim janë rreth 10.850 subjekte në të gjithë vendin, të cilat tashmë parashikohet të çlirohen nga kjo barrë fiskale për 9 vitet në vijim. Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici e sheh këtë iniciativë si tejet pozitive për ecurinë e jetës ekonomike në vend.

“Heqja e tatim-fitimit është një masë pozitive dhe lehtësuese për biznesin sepse një nga kërkesat e vazhdueshme të biznesit ka qenë një lloj lehtësimi përsa i përket disa taksave dhe tatimeve që ai paguan dhe aq më tepër në këtë situatë, i plagosur rëndë sa ç’ka dalë nga kjo krizë, është një masë që e ndihmon edhe për të marrë veten shpejt, por edhe për të krijuar mundësi për t’u zhvilluar më shumë në të ardhmen”, argumenton Civici.

Ndërsa sipas ekspertit Zef Preçi, këto iniciativa ndërmerren në kontekst electoral dhe të pa konsultuara. “Unë personalisht nuk e shoh si ofertë ndaj biznesit, por e shoh në kontekst elektoral dhe korrigjim të gabimeve të bëra më herët. Askush nuk ulet të thotë sot se cilat janë kostot që i janë shtuar biznesit të vogël gjatë dekadës së fundit, se çfarë kapacitetesh ka administrata tatimore për të zbatuar masat që janë ende në fuqi, dhe njëkohësisht askush nuk thotë sot se cilat janë efektet e pritshme. Pra nuk është pyetur biznesi dhe unë nuk mendoj që biznesi është i pa kënaqur për këto taksa. Biznesi është ankuar për burokracinë, për korrupsionin, për mungesën e klimës së përshtatshme dhe mungesën e besimit të konsumatorëve”, thekson Preçi.

Bizneset pa TVSH

Menjëherë pas konfirmimit të marrjes së huasë prej 650 milionë euro, kryeministri Edi Rama lançoi edhe heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për biznesin e vogël, por pa detaje se si do të funksionojë skema, kush do të përjashtohet, si do të bëhen pagesat, etj. Sipas kryeministrit me anë të kësaj kredie, mbase do të mbulohet edhe “gropa” që do të shkaktohet nga mungesa e të ardhurave në buxhet. “Me këtë rezultat, është e sigurt se ne do u heqim edhe TVSH-në, afatet dhe limitet do i konfirmojmë më tutje, deri në cilin nivel xhiroje. Nuk do të ketë më inspektorë të dera. Njerëz të lirë. Nuk e ka asnjë ven”, është shprehur Rama.

Kjo nismë lançohet në një kohë që qeveria në të gjitha vitet ka ndërmarrë fushata të ashpra antiinformalitet në terren ku kontrollonte subjektet të mëdha e të vogla për lëshimin e kuponit tatimor, për të bërë “kontrollorin” pagesë së taksës së TVSH-së, si dhe në një kohë kur në Shtator pritet të hyjë në fuqi projekti i fiskalizimit, apo faturimit elektronik i cili në thelb sërish ka kontrollin e zinxhirit të TVSH-së dhe shmangien e evazionit fiskal. Megjithatë kryeministri ka sqaruar se ky projekt nuk do të preket. “ Do të thotë riaxhustim i sistemit dhe detyrimi i biznesit të vogël për të qenë rrjeti më i madh dhe më i besueshëm i “inspektorëve” të shtetit në raport me biznesin e madh. Kjo do të shoqërohet me një sistem, i cili nuk përjashton absolutisht fiskalizimin biznes – biznes.

Që do të thotë, hapi i parë i fiskalizimit, pra, i gjithë dixhitalizimit të marrëdhënieve dhe transaksioneve do të jetë biznes – biznes, nuk do të jetë qytetar – biznes, apo biznes – qytetar, që do të thotë që biznesi i vogël nuk do të jetë më si ato kutitë kineze, apo kukullat ruse që hap një, del një tjetër, hap një, del një tjetër, duke u përdorur nga biznesi i madh, por do të jetë filtri për të parë gjithë lëvizjet e biznesit të madh. Në këtë aspekt është një sistem i tërë që duhet ngritur, por principi është ky”, është shprehur Rama.

Mendimet e ekspertëve

Por si e shohin ekspertët e ekonomisë këtë iniciativë? Sipas ekspertit Adrian Civici, ndërhyrjet në skemën e TVSH janë të rrezikshme dhe nxisin informalitetin. “Do të kisha rezerva për heqjen e TVSH-së, sepse TVSH-ja nuk ështe se lehtëson shumë biznesin, pasi atë e paguan direkt konsumatori në fund të fundit, por edhe po të kemi parasysh qe rekomandimet edhe të nënvizuara me të kuqe të Fondit Monetar Ndërkombëtar apo institucioneve të tjera kanë qenë kujdes me TVSH-në, kujdes me coptimin apo me favoret përsa i përket TVSH-së, sepse TVSH-ja është treguesi kryesor i të ardhurave në buxhet dhe natyrisht mund të ndikojë në një ulje të konsiderueshme të të ardhurave ç’ka pastaj do përkthehet në gjithë ato vështirësi për mbështetjen e sektorëve të shërbimeve publike, kryesisht arsimin , shendetësinë apo realizimin e investimeve publike të një natyre më të gjerë.

Përgjithësisht përjashtimet nga TVSH-ja shkaktojnë edhe probleme me informalitetin”, sqaron Civici. Në të njëjtën linjë është edhe eksperti Selami Xhepa, i cili e sheh si të nevojshme rishikim e të gjithë politikave fiskale, të cilat në këndvështrimin e tij janë përkeqësuar në vitet e fundit. Sipas Xhepës deformimet që janë krijuar në administrimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, janë problem serioz për të ardhurat e munguara të buxhetit të shtetit, gjë që duhet ta bëjë qeverinë ta shikojë me shumë kujdes këtë çështje. “Përjashtimet fiskale sot nuk bëjnë më pjesë në politikat e shëndetshme për shkak të deformimeve që krijojnë, sidoqoftë kur bëhet fjalë për biznesin e vogël mendoj që ne duhet të shikojmë edhe njëherë pragjet përjashtimore sepse këto krijojnë fraktura në sistemin ekonomik.

Pra në qoftë se në do të bëjmë përjashtim për një kategori të caktuar, atëherë është e nevojshme që të ulim edhe pragun përjashtues që ta përfitojë vetëm biznesi fare i vogël, duke e bërë më shumë një masë sociale sesa ekonomike, ndërsa për bizneset e tjera mendoj që duhet të jemi më seriozë. Kjo mund të shoqërohet dhe me një lehtësim të barrës. Pra ne mund të lehtësojmë barrën, por njëlloj për të gjithë.

Krijimi i shmangieve apo deformimeve sektoriale nuk është i këshillueshëm. Pra ne bëjmë 5 për qind për një sektor, zero për një sektor tjetër, këto lloj politikash janë shumë të dëmshme sepse humbasin sinjalet e tregut në ekonomi, dhe për pasojë investimet në to nuk janë asnjëherë të shëndetshme”, thekson Xhepa. Edhe eksperti Zef Preçi e shikon me rezerva këtë lëvizje të qeverisë. “Pavarësisht faktit se jam kundër çdo lloj përshkallëzimi apo favorizimi që i behet sistemit të taksave dhe tatimeve të Republikës, pasi dihet që kjo nxit evazionin dhe ushqen informalitetin, sa i takon TVSH-ë duhet theksuar se kjo lloj takse nuk ka funksion vetëm të mbushë arkën e shtetit, por ka edhe funksion kontrolli, pra duhet të jemi shumë të kujdesshëm në çfarëdolloj ndërhyrje e cila zbeh kontrollin tatimor dhe mundësinë e përdorimit të inteligjencës tatimore për të mbyllur kanalet e evazionit. Ndoshta do të kishte qenë më mirë që qeveria të rrisë kapacitetet e ekspertizës së të administratës tatimore për të frenuar valën e grabitjes së taksave që ndodh përmes kompanive fantazëm të cilat grabisin qindra milionë euro në vit”, sugjeron Preçi.

Eurobondi, si do të përdoret dhe rreziqet

Përpos lehtësimit të barrës ndaj biznesve, huaja e marrë në tregjet ndërkombëtare prej 650 milionë euro me normë interesi 3.62 për qind dhe afat maturimi 7-vjeçar, mendohet të përdoret edhe në disa drejtime të tjera. 250 milionë euro pritet të shkojnë për rifinancimin e bondit të vjetër, ndërsa pjesa e mbetur do të përdoret duke shkuar për një paketë investimesh të synon të rigjenerojë ekonominë dhe të rrisë punësimin, për një paketë të zgjeruar sociale dhe për nevoja të tjera. Por cilat janë rreziqet që mund të presim nga kjo hua? Sipas ekspertëve të ekonomisë rritja përtej çdo lloj limiti i borxhit publik ështe shqetësues.

“Rreziku kryesor mbetet niveli i lartë i borxhit publik që ne kemi, që me këtë Eurobond të ri, por edhe me ato çka do vazhdojmë të marrim për eleminiminin e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit, Shqipëria shkon në një trajektore rritëse të borxhit të saj që mund të arrijë nivelet 80-82 për qind, që është shumë për një ekonomi të brishtë dhe në këtë situatë siç është ekonomia shqiptare. Dhe natyrisht, të gjithë politkat e menaxhimit të borxhit, të ristrukturimit të tij apo të plotësimit të kërkesave të detyrimeve që ka ky borxh, do të jetë vazhdimisht një këmbanë alarmi sa i përket këtyre detyrimeve” thekson Civici. Ndërkaq, përpos borxhit në rritje, eksperti Selami Xhepa, shikon edhe rreeziqe të tjera potenciale.

“Shqetësimi kryesor i Shqipërisë është së pari kudjesi që duhet të vendosim në raport me madhësinë totale të borxhit. Po ashtu problem mbetet fakti që kemi krijuar ndoshta një mbilikujditet për momentin në ekonomi sepse ne e dimë që sistemi bankar është në një farë kuptimi i asfikuar sepse projektet e investimeve nga sektori privat janë pothuajse inekzistente dhe interesat për investime private dhe në afatin e mesëm vazhdojnë që të mbeten shumë të kufizuara, kështu që gjithë ky likujditet që krijohet në ekonomi në fakt mund të mbetet i stokuar në sportelet e Bankës Qendrore, i papërdorur në mënyrë efektive”, argumenton Xhepa.

Të mirat e pritshme nga Eurobondi

Suksesi i kredive, përpos normave preferenciale, është direkt i varur nga mënyra e përdorimit të tyre dhe se sa do ta kenë normën e kthimit të fitimit në ekonomi. Kështu, edhe në rastin e Eurobondit, ekspertët e ekonomisë shprehen se nëse përdoret siç duhet, përfitimet do të jenë pozitive. “Borxhi duhet përdorur në projekte efektive që janë me interes ekonomik dhe që krijojnë potencial për rritje ekonomike në mënyrë që borxhi të shlyhet më me lehtësi në periudhat e ardhshme. Ky borxh duhet përdorur për të adresuar edhe axhendën e tërmetit të vitit të kaluar por njëkohësisht edhe për mbështetjen e fortë për sektorin privat në mënyrë që ekonomia të riaktivizohet edhe njëherë për t’u kthyer në normalitetin e vet”, thekson Selami Xhepa. Në të njëjtën linjë qendron edhe eksperti Adrian Civici.

“Përveç faktit që kjo ishte një situatë e jashtëzakonshme ku ne morëm dy goditje të njëpasnjëshme dhe borxhi duket e vetmja mundësi për të pasur disponibilitet monetar dhe financiar për të bërë investime dhe financime të domosdoshme, e rëndësishme është që nëse borxhi nuk përdoret për shpenzime operative ose nuk shpërdorohet për shpenzime luksi dhe të natyrave të tjera, por përdoret siç duhet duke investuar në degët me produktivitet të lartë dhe me perfomancë të lartë në ekonomi, natyrisht që efeket e tij në punësim, në rritjen ekonomike, në rritjen e të ardhurave janë pozitive dhe krijojnë mundësi që në një përiudhë 5, 7 ose 10 vjeçare të mund të jesh prap në një strategji dhe politikë për reduktimin e borxhit publik në 60 për qind siç ka vitë që ne e kemi objektiv por vazhdimisht i shmangemi dhe nuk e realizojmë dot”, shprehet Civici.

Arka e shtetit, në vështirësi

Në 5 muajt e parë të vitit buxheti i shtetit ka mbledhur 160.7 miliardë lekë, duke bërë që të ardhurat të kenë një rënie drastike krahasimisht me të njëjtën perudhë të 2019-ës, me afro 27.7 miliardë lekë apo 222.6 milionë euro.

Po ashtu në raport me planin për periudhën, buxhetit i mungojnë afro 12 miliardë lekë apo 96.4 milionë euro. Duket se pasojat e masave të marra kundër COVID-19 kanë vijuar të shtrihen edhe në muajin Maj, duke bërë që arka e shtetit të jetë në perudhën e saj më të vështirë sa i takon mbledhjes së të ardhurave. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë zëri më problematik, pasi rezultojnë të jenë mbledhur 103.3 miliardë lekë apo 21.4 miliardë më pak se një vit më parë dhe me diferencë te theksuar nga parashikimet, me 9.5 miliardë lekë.

Të gjithë treguesit nga ky zë rezultojnë më rënie, si TVSH-ja që është tregues direkt i konsumit, ku rezultojn të jenë mbledhur 7 miliardë lekë më pak se 5-mujori i 2019-ës, Tatimi mbi fitimin me 6.3 miliardë lekë më pak, akcizat 1.2 miliardë lekë minus, tatimi mbi të ardhurat personale 4.9 miliardë lekë më pak dhe taksat nacionale dhe doganore që paraqiten me një rënie të lehtë. Me një rënie prej 4.4 miliardë lekësh paraqiten edhe të ardhurat nga pushteti vendor, në raport me 2019, ku janë mbledhur në total afro 7 miliardë lekë apo 38.4 për qind më pak.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Denaj thërret Këshillin e Investimeve

Biznesi: Na shqetëson papunësia, taksat e likuiditeti