MENU
klinika

E drejta e ndjesive...

Shpirti i njeriut nën socializmin shqiptar

24.07.2020 - 06:15

Përpara se goma demokrate të fshinte yllin partizan nga flamuri kombëtar, populli shqiptar ishte i detyrar që të strehonte shpirtin nën socialializëm. Zemra e drejtuesve të kësaj strehe ishte aq e madhe saqë pranonte gjithkënd në strehë. Streha gjithnjë zbukuronte fasadën e jashtme me një bojë aq të mirë sa mjerimi migjenian të mos dukej brenda. Njeriu i cili e strehonte shpirtin te kjo strehë mbërrinte në kufinjt e “Mbinjeriut” të cilin Niçja na e shpjegon plotësisht te “Kështu foli Zarathaustra”. E është pikërisht koncepti i mbinjeriut i cili e frymëzon Migjenin në krijimtarinë e vet.

Kur kuptoj se si e detyronte socializmi njeriun që të kthehej në një mbinjeri më lindin dyshime se mos ndoshta socializmi nuk erdhi si fryt i bashkimit të ideologjisë së Marksit dhe të Leninit, por si një kopjim i shmëtuar i ideologjisë së Niçes për “mbinjeriun”. Mbinjeriu shfaqet në shumicën e të persekutuarve, duke filluar që nga martirët të cilët me qendresë mbinjerëzore u rezistojnë gjithë torturave. Nuk po merrem shumë me këtë rast sepse në rastin e martirëve mbinjerëzia e tyre duket sikur ushqehet nga e Mbinatyrshmja së cilës ato i shërbenin. Por a nuk është mbinjerëzore Drane Jakja e cila mban për disa javë djalin e vdekur vetëm e vetëm për ta nderuar si duhet? A nuk është mbinjerëzor dom Ernest Troshani i cili përloti mbinjerëzorin më të besueshëm që bota ka? A nuk janë mbinjerëzorë profesor Arshi Pipa, përkthyesi Jusuf Virioni, poeti Visar Zhiti, shkrimtarja Musine Kokalari, përkthyesi i “Iliadës” Gjon Shllaku apo përkthyesi i “Komedisë Hyjnore” si dhe i “Odisesë” Pashko Gjeçi? A nuk janë të gjithë këto njerëz të cilët e zotëronin mbinjerëzinë, por që nuk e shfaqën deri kur u pa se ishte e detyrueshmë?

Ndoshta fryti kryesor i gjithë Socializmit që ne kemi kaluar ishte pikërisht ky: shfaqja e mbinjerëzisë niçjane te populli shqiptar. Socializmi imponoi kthimin në më tepër se njerëz të gjithë këtyre figurave duke më bërë të dyshoj se ndoshta pa komunizmin këto figura do të kishin qenë ashtu si gjithë figurat e tjera “të shquara” të kombit tonë. Sepse kombi jonë vuan nga një mendësi e cila fatkeqësisht ka qenë dhe do të jetë e pandreqshme: nëse nuk ndjek apo militarizon në një parti, atëherë mundësia që të shfaqësh talentin tënd është e njejtë më mundësinë të gjesh një kokërr të caktuar rëre gjithë bregdetin tonë.

Por ndryshe nga ky fryt i mirë që socializmi i dhuroi gjithë këtyre figurave vërtetë të shquara të Shqipërisë, njerëzimi “jo i shquar” pësoi një krisje nga ngulja e thellë e sondës në koshiencën e tyre nga doktorët komunist. Socializmi synonte që të mbërrinte në një kolektivitet bamirës ku të zhdukej koncpeti “zotni-rob” por të vendosej koncepti i ri i vëllazërisë shoqërore “shokë dhe shoqe”.

Avantazhi kryesor që synonte të realizonte socializmi ishte të krijonte jetesën e përbashkët, jetesën për “njeri-tjetrin”, e më pas “njeri-tjetri” të punonte për të siguruar jetesën e elitës së vendit. Shoku më i dashur mes të gjithë shokëve, shoku Enver ishte fillimi i rrethit shoqëror Shqiptar, por ndryshe prej çdo rrethi ku në të njëjtën pikë fillon dhe mbaron, rrethi i shoqërisë tonë fillonte te shoku i shokëve, por nuk mbaronte aty. Ishte një rreth i veçantë, ashtu si çdo gjë në Shqipërinë e asaj periudhe. Shqipëria ishte kthyer në një fotokopje gjigante e cila pasi kopjoi yllin mbi të gjitha shkabat e gjithë flamurëve, filloi të kopjonte edhe buzëqeshjen e shtirur nga fëtyra e “elitës drejtuese” tek fëtyrat e të gjithë popullsisë.

Boja që kjo fotokopje gjigande përdorte ishte hipokrizia. Njerëzit të cilët mbusheshin me hipokrizi filluan të bëheshin një rrezik jo për shoqërinë shqiptare, sepse për atë shoqëri vetëm me hipokrizi mund të jetoje, por për konceptin e sinqeritetit të të gjithë njerëzve. Aq shumë hipokrizia po zinte vendin e njerëzisë, saqë njerëzit filluan të besonin vërtetë se gjinia njerëzore ishte e gatuar në këtë formë, në formën ku mbizotëronte hipokrizia e cila zinte vendin e çdo tjetër ndjenje apo emocioni. Filloi të besohej se tekstili i botës shpirtërore ishte thurur nga hipokrizia. Hipokrizia përveç shpirtit filloi të mbulonte edhe çdo aspekt tjetër të jetës. E tani komunistët të cilët kishin ardhur për të ushqyer me bukën e kolektivitetit të gjitë shokët dhe shoqet e tyre të panjohur, përfunduan që t’ua kullufisnin gjithë banketin shoqërisë së tyre të mirë.

Njerëzit filluan të kolektivizonin jo vetëm pronat, gjënë e gjallë apo gjithçka çka u takonte, por edhe shoqërinë. Askush nuk kishte më shoqëri të ngushtë sepse ky koncept filloi të largohej me dhunë. Tani të gjithë ishin të njëjtë: shokë dhe shoqe, dhe aq shokë dhe shoqe të mirë ishin saqë kishin frikë të flisnin sepse u përhap furishëm lajmi se “1 ndër 2 shokë ishte spiun”. Statistikë e frikshme! Njerëzit ishin të detyrar ti thonin “shok” edhe spiunit që spiunllëkun e kishte profesion, edhe atij banakierit ose kamarierit i cili zgjaste veshin tinëz që të dëgjonte bisedat në kafene, madje edhe atij që i kishte dënuar padrejtësisht të afërmin. Tani Shqipëria dukej sikur po merrte vërtetë trajtat e një “shoqërie shqiptare”.

Por përveç konceptit së “shokë dhe shoqe” u vendos edhe koncepti i lavdisë. Lavdia nuk i takonte askujt, as njeriut, as mbinjeriut e madje as Zotit. Lavdia i takonte vetëm atij, shokut të shokëve Enver Hoxhës. Atë Çipirian Nika thotë se kur po e rrihnin mizorisht në përpjekje për të mohuar Zotin dëgjoi njerin nga mizorët duke thënë “Zoti jem asht Enver Hoxha”. Gjithçka tani simbolizohej nga Ai, shoku i shokëve. “Lavdi” dhe “Të na rrojë” ishin fjalë të cilat i përkisnin vetëm atij, askujt tjetër. Askush tjetër nuk mund të lavdërohej. Për askënd tjetër nuk kishte ndonjë rëndësi nëse do të rronte apo jo, rëndësi kishtë të na rronte shoku Enver dhe partia e lavdishme.

E gjithë kjo ndodhi për sa kohë shoku i shokëve ishte gjallë. Pas vdekjes së tij jo vetëm që “bëmat e tij të lavdishme” u mitizuan, por ai tanimë ishte kthyer në emërtimin e Shqipërisë. Gjysma e Shqipërisë pati marrë emrin e tij që nga porti, universiteti e deri te gjithë sheshet kryesore të gjithë qyteteve. Hrushovi kur erdhi në pushtet pas vdekjes së Stalinit e dënoi ashpër e më ashpër atë, ndërsa shoku Ramiz jo vetëm që nuk e dënoi shokun e shokëve, por e piedestalizoi. E bëri hero mes heronjëve. Gjysma e buxhetit shqiptar u përdor vetëm e vetëm për të shkrirë sa më shumë bronx që të shkëlqenin skulpturat e shokut të shokëve në mes të çdo qyteti.

Kështu tutela socialiste nën të cilën u strehuan shpirtrat shqiptarë u kthye në burgun e shpirtit të tyre duke mohuar të drejtën e të përjetuarit të ndjesive.