MENU
klinika

Qindra role të dashura për publikun

Shuhet ikona e skenës dhe humorit, Fuat Boçi

21.07.2020 - 07:25

        Është ndarë nga jeta, në moshën 89-vjeçare, aktori i mirënjohur fierak, Fuat Boçi. Ikona e qindra roleve, ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij në qytetin e Fierit dhe përcillet për në banesën e fundit, këtë të martë në orën 12:00.

Fuat Boçi lindi në vitin 1931 në Voshtinë dhe në vitin 1938 familja e tij u shpërngul në Fier.

Boçi spikati për talentin e tij si aktor komik dhe si këngëtar në vitet e ushtrisë dhe është një ndër aktorët themelues të Estradës së Fierit, më 1957. Në vitin 1965, vijoi studimet në liceun artistik “Jordan Misja”.

Boçi ka marrë pjesë në rreth 160 premiera duke luajtur mbi 600 role. Krahas varietesë, ka luajtur shumë role edhe në pjesë për fëmijë, sikurse në teatrin e kukullave të qytetit.

U bë thuajse proverbial me ‘Belulin’ te monologu “A doni më për Belulin”, nivel të cilin e arriti edhe me rolin e Lipe Shtogut te skeçi, “Lipja prapa liste” e Pëllumb Kullës.

Boçi mbetet i dashur për publikun edhe në rolet e “Zenelit” te komedia “Pas vdekjes” e Çajupit, dajos te “shi në plazh”, Sotiri tek komedia “Një budalla e gjysmë” etj.

Fuat Boçi mban titullin “Qytetar Nderi i Fierit” dhe “Artist i merituar”.