MENU
klinika

100-vjetori i lindjes

Si dhe pse u arratis Arshi Pipa nga Shqipëria komuniste, më 1957?

28.07.2020 - 16:53

       Rrëfimi i nipit, Plator Kalakula, për dajën Arshi Pipa. Odiseja e disidentit të diktaturës, që nga dita e arratisjes deri në rikthimin pas ’90-ës. Çfarë ndodhi me familjen në Shqipëri dhe me krijimtarinë e Arshi Pipës në vite. Kalakula: Arshi Pipa u revoltua më shumë, pasi mësoi se i vdiqën të vëllanë Myzafer Pipën, nën tortura dhe i zhdukën eshtrat.

Ata që e njohin krijimtarinë dhe veprën e Arshi Pipës, shprehen se është i domosdoshëm organizimi i përvjetorit të lindjes së njërit prej shkrimtarëve dhe studiuesve më të rëndësishëm të letrave shqipe. Kujtesa për Arshi Pipën, s’do të duhej të mungonte, jo vetëm sepse ai është disidenti i viteve ’50 dhe i arratisur nga Shqipëria komuniste, por se ka një vepër ende të panjohur, e të papërkthyer deri në fund.

Një pjesë e rëndësishme e veprës së tij që është botuar në Shqipëri, u mundësua falë përpjekjeve të shkrimtarit të ndjerë Myftar Gjana, që u largua nga jeta dy muaj më parë. Ndërkohë, vepra e Arshi Pipës është shumë më e gjerë sesa ajo që është prezantuar deri më sot. Vepra dhe veprimtaria e Pipës janë shumëdimensionale. Të mos harrojmë, se ai la gjurmë si një profesor që ka ndriçuar mendjet e studentëve në universitetet amerikane.

E mbi të gjitha, Arshi Pipa është edhe pjesëtar i një familjeje të tërë disidentësh e patriotësh, përherë të përndjekur, aq sa shoqëria shqiptare dhe institucionet tona i janë në borxh, edhe për faktin që familja Pipa është nga të rrallat me dëshmorë të saj të lirisë, të kombit, dhe të së drejtës që kanë ngelur pa varre.

Arshi Pipa pas arratisjes nga Shqipëria, së bashku me të motrën Feime Pipa, në vitin 1957, jetoi si shtetas amerikan, por krijimtarinë e tij letrare, zgjodhi ta mbante të lidhur me vendin e tij të kodifikuar në gjuhë, në kohë dhe hapësirë.

Arshi Pipa u arratis nga Shqipëria, kur kishte realizuar pjesën më të rëndësishme të veprës së tij, kryesisht atë që lidhej me studimet albanologjike dhe çështjet kombëtare. Ndërkohë diktatori Hoxha nuk do t’ia falte arratisjen, duke e cilësuar profesorin e shquar të universiteteve amerikane si “kriminel lufte” apo “kreun e reaksionit dhe armik të popullit”.

Këto do të rëndonin me plot pasoja mbi familjen, siç tregon edhe nipi i tij, Plator Kalakula, në një intervistë ekskluzivisht për Report Tv .

Në këtë 100-vjetor, Plator Kalakula përcjell mesazhet e veprës së dajës së tij, duke e u shprehur se interesimi për këtë vepër është një mision që i shërben letërsisë dhe degës së studimeve albanologjike në Shqipëri.

Intervista e plotë:

Zoti Plator, unë ju marr në këtë intervistë për të kujtuar një nga personazhet më interesantë të letërsisë shqipe, një nga ata personazhe që ka trazuar opinionin publik në vitet e diktaturës me konceptet e tij të hapura për një letërsi moderne dhe të padoktrinuar, si dhe për një shoqëri të lirë. Një personazh që guxoi të ngrinte krye ndaj diktaturës dhe u arratis prej saj. Bëhet fjalë për Arshi Pipën, si ka ardhur në kujtimet e familjes tuaj historia e arratisjes së tij?

-Unë kam lindur mbasi është arratisur Arshiu. Për të kam dëgjuar fillimisht, ndërsa rritesha, nga mamaja ime dhe nga gjyshja, e ëma e Arshiut, e cila ishte një grua shumë e fortë, e shumë e urtë, tipike shkodrane. Arshiu vetëm mamanë ka pasur shkodrane, babai ishte libohovit.

Arratisja e Arshiut vjen në një kontekst historik interesant për vendin sepse ai u dënua me dhjetë vjet burg nga ‘46-’56, ku shumicën e e kohës e kreu në Burrel, por ka qenë në Gjirokastër në fillim, ndërsa në Durrës u arrestua. Ka qenë edhe në kampin e Maliqit. Aty bëri dhe poemën kanali, etj, etj. Pastaj u lirua në periudhën ku kishte një lloj zbutjeje të frymës së luftës së klasave.

-Nuk është se Arshiu besonte shumë se do të kishte një liberalizim të jetës së vend dhe për arsye dhe mund ndihej i rrezikuar e mund ta arrestonin prapë, ai vendosi të largohej nga atdheu. Më vonë e kam marrë vesh se neve si familje, pra gjyshi në Shkodër, i ati i Arshiut që ishte avokat, kishte pasur mes të tjerave klientë që i kishte ndihmuar. Kishte ndihmuar kështu edhe njërin prej tyre, që kishte fituar një gjyq me të drejtë, dhe ishin këta që u organizuan për ta ndihmuar në këtë rast Arshiun për të kaluar kufirin dhe këta njerëz unë i kam takuar vetëm në vitin 1992, sepse ishin të fshehtë. Edhe neve në familje nuk i dinim se kush kishin qenë. Pra, praktikisht Arshiu iku me të motrën, pra tezen time të madhe, e cila ishte ndërkohë e fejuar me një shtetas malazez nga ata që në Shkodër, i quajtën podgoricar. Ai u riatdhesua dhe ajo e kishte të pamundur ta ndiqte ndryshe. Kështu që Arshiu u detyrua të kalonte me not Bunën me të motrën dhe ata u bashkuan pasi njëri nga këta kaluesit e mori tezen si të fejuarën e vet dhe e përcollën deri kufi.

Kjo është ajo që unë kam marrë vesh gjatë viteve. Natyrisht, as mamaja ime nuk i dinte këto hollësira, sepse nuk kishte si t’i dinte. As gjyshja nuk i dinte. Unë i kam marrë vesh më vonë, pas vitit 1992. Di që gjyshja ime, pas ikjes së Arshiut dhe tezes mbeti e vetme sepse dy vajzat e tjera i kishte të martuara, pra mamaja ime ishte e martuar në Tiranë dhe tezja tjetër në Durrës. Ajo mori disa plaçka dhe shkoi në Degën e Punëve të Brendshme, sapo i dërguan një telegram ata matanë kufirit. Dhe ajo u thotë me ketë telegram mësova se më ka ikur djali dhe vajza dhe jam gati që të më internoni. Në atë kohë, në mos gabohem ishte kryetar Ilmi Seiti dhe i tha gjyshes: “Ik në shtëpi, ne na iku zogu nga dora, nuk kemi punë me ty! Nuk e internuan gjyshen dhe ajo filloi të jetonte në atë shtëpinë e vjetër të vajzërisë së saj në Shkodër, në lagjen Parruca, e cila fatkeqësisht sot nuk është më, sepse u prish për shkollë, pasi u internuam ne. Dhje pastaj, unë me gjyshen kam jetuar pas vitit ‘74 atje, kur na dëbuan nga Tirana. Praktikisht kur na morën forcërisht, që të na çonin në atë shtëpi që sapo e përmenda.

Pra, megjithëse gjyshes i thanë “ik në shtëpi e s’kemi punë me ty”, u internuan, apo jo?

-Jo menjëherë. Për të qenë më të qartë: gjyshja ime rrinte vetëm dhe nuk e internoi njeri. Ndërkohë as mamaja ime në Tiranë nuk pati pati ndonjë pasojë imediate nga arratisja e Arshiut. Pasojat ishin pak më vonë, sepse u arrestua edhe im atë (Uran Kalakula) dhe u dënua fillimisht me vdekje dhe pastaj bëri 25 vjet burg, nga të cilat bëri 21. Kështu që u bënë shumë gjëra bashkë.

Pse u dënua babai juaj?

-Im atë u arrestua, sepse formoi bashkë me disa shokë të vet një bërthamë social-demokrate të një partie të ardhshme, që e mendonte që mund të krijonte klimën e prishjes së Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë, ku mendohej që regjimi komunist në Shqipëri do të mbetej pa mbështetje nga jashtë dhe mund të ishte i brishtë, por nuk ndodhi ashtu. U paditën, u zbuluan….

Kishte lidhje të fshehta babai, me Arshi Pipën, kur ishte në arrati?

-Ishte shumë e vështirë për të mbajtur lidhje, me sa mbaj mend, sepse kjo varej shumë edhe nga mënyra sesi shteti shqiptar i asaj kohe i trajtonte të arratisurit ose familjet e tyre.

Po si e merrnin vesh ju, që ishte gjallë Arshiu, që ishte mirë?

– Letrat përgjithësisht kanë ardhur, për një kohë të caktuar letra vinin. Natyrisht që i nënshtroheshin censurës; qoftë letrat që shkonin për atje, qoftë ato që vinin prej andej. Por lajme të tilla si “jemi gjallë”, “jemi mirë”, “jemi këtu…”, natyrisht që merreshin vesh. Dhe ai i shkruante mamasë së vet, gjyshes sime. Më kujtohet se gjyshja ime priste me padurim postierin, dhe mendo… që letrat vinin njëherë në gjashtë muaj, Ai vinte e ia silte në dorë, dhe më kujtohet që ishin ata zarfet a bardhë me vija blu e të kuqe anash, që ishin letra tipike që vinin nga SHBA. Më vonë, kur nisi modeli i revolucionit proletar kinez nga ‘67 e më pas u prenë dërgesat edhe të letrave edhe të parave dhe të plaçkave për të arratisurit. Pastaj më vonë u arrit të gjenim mënyra të tjera më të sofistikuara për t’u lidhur nga dashamirës, miq të familjes të Arshiut në mënyrë ilegale. Pastaj pati përsëri një liberalizim pas viteve ‘80 të letrave. Filluan të vinin letrat më direkt, por kjo për ne pati pak vlerë se në vitin 1983 gjyshja ime vdiq në internim.

Ku u internuat?

– Ne u internuam fillimisht në Spille të Kavajës, që sot është plazh, por në atë kohë ishte një fshat i humbur, ku nuk kishte as rrugë për të kaluar makinat. Aty vdiq edhe gjyshja, më 30 dhjetor të vitit 1983. U varros në varrezat e fshatit atje. Praktisht e varrosëm ne, sepse katër veta i erdhën në varrim. Më vonë, pas lirimit tonë, e zhvarrosëm gjyshen me leje, të ndihmuar nga një kushëriri ynë i dashur që nuk jeton më dhe e rivarrosëm në Sharrë, ku ishte i vetmi varr i familjes dhe këtë e tregoj se më duhet të bëjë një parantezë që familja e Arshi Pipës ishte një familje pa varre, sepse i ati i Arshiut vdiq në Durrës, diku nga viti ’45, kur këta i lëviznin nga një shtëpi në tjetrën, sepse duhet të them që edhe vëllai i madh i Arshiut ishte arrestuar në Shkodër dhe ishte vrarë nën tortura. Atë e vdiqën pa u dënuar.

Si quhej vëllai i madh?

-Myzafer Pipa… Kur Arshiu doli në gjyq praktikisht për t’u dënuar në vitin 1946, aty e mori vesh se të vëllanë ia kishin vrarë. Sepse trupa gjykuese dhe prokurori i thanë: “Do të përfundosh edhe ti si yt vëlla?!” Kjo gjë e bëri atë të shpërthente dhe nga dy vjet që ishin nisur ta dënonin e dënuan 20 vjet, dhe nga këto ai bëri dhjetë. Prandaj ai iku se e dinte mirë se ç’ishte burgu stalinist. Ai ndërroi jetë në ‘97-n, për fat të keq, sepse ai kishte vendosur të kthehej përfundimisht në Shqipëri. Ai i la bibliotekën e tij Muzeut të Shkodrës.

Çfarë ju ka mbetur në mendje ndonjë fragment nga korrespodencat?

-Korrespodenca e kohës së komunizmit ishte një korrespodencë e thatë. Më shumë merreshin vesh sesi ishin këto gjërat thelbësore të jetës. Merrej vesh në cilin vend të Amerikës ndodhej. Ai ka qenë në shumë shtete, deri në Uashington e Kaliformi, ku ka dhënë mësime në shumë universitete, ndërsa vitet e fundit ka dhën mësim në Minesota, ku ka dhënë mësim në një universitet gjerman.

Si ndihej gjyshja për birin e saj që s’mund ta shikonte e takonte. Si përshkruhej mungesa, dhimbja?

-Sytë e gjyshes sime ishin gjithmonë me lot, kur kujtonte Arshiun, por edhe kur kujtonte vëllain e madh. Ai nuk ka një varr të identifikuar. Ai u vra pa gjyq. Vdiq nën tortura dhe nuk ka një shenjë varri, ose mbase trupin e tij e kanë përdorur në studimet e mjekësisë, gjë që e bënin shpesh. Pra është e hidhur historia e familjes së tij pa varre…

A mund ta kujtoni atë moment të kthimit për herë të parë të Arshi Pipës në vendin e tij. Pra, do të doja një kujtesë të jetës familjare, por edhe të jetës shoqërore e politike. Çfarë ndodhte në atë kohë të trazuar në vendin tonë?

– Në mos gabohem, ka qenë qershor i vitit 1992, pas zgjedhjeve të 22 Marsit, kur ne e kishim përmbysur përfundimisht Partinë e Punës nga pushteti. Për njerëz si puna ime ishte një kohë e re, me mundësi të reja, dhe ajo që ishte me rëndësi ishte qartësia se shteti nuk mund të ndëshkonte më kot. Më kujtohet se dera e shtëpisë sonë, ai apartamenti ku ne jetonin në Shkodër, ishte hapur sepse kishte pa fund vizita, ishin shumë që donin ta takonin. Ishin nga ata që e kishin njohur, miq të vjetër të tij që kishin qenë në shkollë ose që kishin bërë vite burg me të. Ai takoi edhe personalite të asaj kohe e me ftesën e tyre, si Presidentin, Ambasadorin Amerikan. Dha dhe shumë intervista në medie.

Çfarë jete bëri ai në Amerikë dhe çfarë ju ka treguar për mënyrën e jetesës?

-Në fakt, Arshi Pipa është perceptuar gabimisht në Shqipëri; si njeri politik. Mënyra sesi e përcaktoi atë regjimi, duke u konsideruar e duke e etikuar si armiku numër një dhe duek i veshur histori të tjera të kota. Në fakt, Arshiu nuk ishte njeri politik. Mund të ishte pak i majtë në bindjet e tij “alla europiane”, duhet të ishte i bazuar tek social-demkracia, por ai ishte antikomunist, sepse ishte antitotalitar, ishte patriot.

Edhe porsa i përket artit, Arshi Pipa ishte një kritikë ose estet me një talent të veçantë?

-Po, po. Studimet e tij janë të thella. Për shembull, studimi i tij “Montale dhe Dante” i bën nder Shqipërisë. Arshiu ishte njohës shumë i mirë i letërsisë italiane, sepse studionte në Firence për filozofi.

Me çfarë pune u mor konkretisht, për të mbijetuar në Amerikë?

-Ai ka dhënë mësim. E filloi karrierën në Amerikë në mësimdhënie, ku pas dhënies së mësimeve në shumë universitete ai fitoi titullin “Full Professor”, që në Amerikë është i vështirë për t’u dhënë. Por edhe atje kur ishte në Universitetin e Kalifornisë, u rreshtua me studentët amerikanë për lëvizjen e fjalës së lirë në Amerikë. Kjo flet shumë se kush ishte ai.

Me tezen tuaj çfarë ndodhi pas arratisjes, si shkoi jeta e saj?

– Tezja ime, ishte një grua shumë e fortë. Ajo jetoi në Sarajevë, rreth një vit e gjysmë me të fejuarin e saj, pasi ishin bashkuar dhe u martuan. Pati dhe një fëmijë, pastaj shkoi në Amerikë. Jetonte në Uashington në një shtëpi të thjeshtë, aty erdhi edhe Arshiu më vonë, pasi doli në pension. Ai erdhi nga Minessota. Pra, Arshiu në vitet e fundit, pak më shumë se një dhjetëvjeçar, jetoi atje.

Kemi parasysh këtu, sesa i ka kushtuar Arshi Pipës një ëndërr për lirinë e vendit, për modernizmin e kulturës, për lirinë e letërsisë dhe arteve, përpjekje që ka përkuar me vuajtjet që kanë pasuar në familjen tuaj, duke përfshirë jo vetëm motrën, por edhe burrin e motrës, babanë tuaj Uran Kalakulën, apo dhe të tjerë familjarë, por edhe tek ju që nuk e jetuan fëmijërinë dhe rininë si të gjithë moshatarët. Çfarë vendi mendon se duhet të ketë në këtë rast një personalitet i tillë, i cili ka vuajtur dhe për qëndrimin e tij ka vuajtur edhe një familje e tërë?

-Do doja t’i hiqnin etiketimet politike “i majtë” apo “i djathtë”. Këto nuk i shkojnë Arshiut…Për sa i përket rolit të tij kulturor, do të ishte shumë më tepër i pranishëm në kurrikulat mësimore në Shqipëri. Të bëhej botimi i veprës së tij që është një proces i mundimshëm, që është bërë në saj të dashamirësisë së disa njerëzve, por botimi i tij është ende i paplotë. Janë bërë disa përpjekje, por do ishte mirë që të kishte një ndihme nga instancat shtetërore për këtë punë.

Çfarë ka nga veprat që duhet botuar dhe duhet plotësuar nga vepra apo krijimtarie tij?

-Ai ka një studim mbi Gramshim. Arshiu e konsideronte Gramshin si një nga figurat më interesante të marksizmit. Është rreth 300 faqe në anglisht.

Çfarë e shtyu Arshinë Pipën që të merrej me studimin mbi Anatonio Gramshin?

-Besoj se Arshi Pipa e shihte Gramshin si filozof, si mendimtarin e fundit të linjës marksiste dhe ka hedhur dritë mbi këtë gjë. Por ka shumë punë për ta botuar dhe ka edhe shpenzime. Ai e mendonet Gramshin si të vetmin reformator të linjës marksiste.

Si e mban mend, takimin e fundit me Arshi Pipën?

-Ishte takimi i fundit, në vitin 1996. Ishte pak sëmurë. Ne bëmë një bisedë në shtëpinë e tij të vogël. Ai kishte lënë mjekrën e bardhë të rritej dhe dukej si një patriark. Nuk e pashë më pas kësaj, sepse ai u largua nga jeta, në qershorin e 1997-ës

Kishte ndonjë brengë?

Do donte që pluralizmi në Shqipëri, të kishte një jetë më të gjallë dhe një jetë kulturore më aktive…

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët