MENU
klinika

Pas dënimit nga FIFA

Si do të mbrohet Partizani dhe vetë Çinari në CAS

18.07.2020 - 13:54

Partizani është dënuar me 1 vit nga FIFA të mos kryejë merkato si pasojë e parregullsisë së blerjes së sulmuesit shkodran Erald Çinari në verën e 2018-ës. Por të kuqtë i kanë bërë parapritë të keqes për të zhbërë vendimin dhe do të kërkojnë gjykim të përshpejtuar në CAS.

Sipasi gazetarit të “Panorama Sport”, Ilir Cara, vetë futbollisti ka pajtuar një studio ligjore franceze për ta përfaqësuar në procesin që do të bëjë edhe ai vetë gjithashtu në CAS-in e Lozanës. Klubi i Partizanit nga ana tjetër do të përfaqësohet në KAS me juristin Gerard Burba, që është njëherazi edhe Sekretari i Përgjithshëm.

Përveç bllokimit të merkatos, që konsiderohet si ndëshkimi më i rëndë në procesin që kanë pasur me Istrën, të kuqtë dhe lojtari janë të detyruar të paguajnë edhe një dëmshpërblim prej 80 mijë eurosh për kroatët.

Ndërkohë, Çinari ka edhe një pezullim prej katër muajsh, ku gjithçka ka rrjedhur nga firmat që ka hedhur sulmuesi shkodran, fillimisht tek Alaves në Spanjë, më pas tek Istra në Kroaci, për të përfunduar te Partizani, ndërkohë që Çinari ka vendosur që në CAS të mbrohet nga avokatë francezë.

Ai do të kërkojë edhe heqjen e dënimit prej katër muajsh. Të kuqtë e ndjenë veten të pafajshëm në këtë proces, ndaj kanë përgatitur një dosje me fakte dhe argumente mbrojtëse në CAS.

Në kampin e kuq kanë shumë besim në zgjidhjen e problemit, ndonëse duket serioz, ndaj sipas parashikimeve të tyre, presin që brenda muajit gusht të heqin pezullimin për merkaton në hyrje.

Partizani do të kërkojë gjyq me procedurë të përshpejtuar në CAS, me kërkesë parësore pezullimin e efekteve vepruese të ndëshkimit të FIFA-s, që ka të bëjë me zhbllokimin e merkatos.

Por nëse për hapjen e merkatos ka optimizëm, ndryshe qëndron puna për fatin e lojtarit, i cili përveç përpjesëtimit të gjobës me klubin, është pezulluar edhe me katër muaj mosaktivizim në asnjë aktivitet sportiv.

Cinari
Cinari

Në periudhën që Çinari firmosi në Spanjë, nga klubi shkodran u hodhën akuza për falsifikim firmash, pasi letrat që pretendonte se kishte Alaves, nuk ishin me nënshkrimin e vërtetë të drejtuesve të bashkisë dhe të Vllaznisë.

Madje administratori Lici dhe klubi shkodran asokohe patën deklaruar se për firmat e hedhura te spanjollët do të hapej një proces hetimor, por edhe pas dy vitesh nuk ka asnjë vendim të zbardhur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN