MENU
klinika

Sulmuesi kaloi tek Alaves

Falsifikimi, Çinari mbetet mes 4 rrugëve

30.08.2018 - 13:54

Nuk është totalisht faji i tij, ai mbase nuk e ka ditur që transferimi drejt kampionatit më të fortë në botë është bërë me letra të falsifikuara, e ka pësuar edhe Alaves, që ka paguar për të.

Kështu, Erald Çinari është rikthyer në Shqipëri. Lojtari ndodhet në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër dhe nuk dihet se si do t’i shkojë e ardhmja. Momentalisht, pa ekip dhe vetëm me stërvitje individuale.

Kalimi i tij nga Vllaznia te skuadra e Alaves dhe më pas huazimi te Istra në Kroaci duhet të ishte lëvizja e jetës, por nuk rezultoi e tillë. Për transferimin e tij është hapur një hetim, pasi klubi shkodran nuk ka vënë vulën në lejekalimin. Për pasojë, kemi të bëjmë me falsifikim.

Alaves deklaroi se afrimi i tij është bërë për 100 mijë euro, por në fakt ata kanë paguar 20 mijë euro. Vllaznia doli kundër publikisht dhe nuk dha lejen e kalimit për Çinarin, duke bllokuar lojtarin dhe transferimin.

Erald cinari
Erald cinari

Kuqeblutë deklarojnë se klubi spanjoll nuk u është përgjigjur korrespondencës së tyre dhe ka falsifikim e mashtrim, pasi paratë e pretenduara se janë derdhur në arkat e klubit nga klubi i Premiera Division janë në një llogari në Itali që nuk ekziston.

Një lëmsh që nuk i dihet as fillimi e as fundi. Alaves donte të paguante edhe 20 mijë euro të tjera për Çinarin, por klubi kuqeblu nuk ka pranuar. Spanjollët duket se janë tërhequr dhe lojtari është rikthyer në Shkodër.

21-vjeçari nuk pranon të kthehet te Vllaznia dhe tashmë është në një udhëkryq. Ai është “viktima”, por gjithsesi, ky rast duhet të jetë një shembull edhe për futbollistë të tjerë, që mos lidhen me menaxherë anonimë thjesht se premtojnë ekipe të mëdha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN