MENU
klinika

25 vjet pas Srebrenicës

Si e humbi bota “oreksin” për të hetuar krimet e luftës

07.07.2020 - 09:21

Ratko Mlladiç, gjenerali serb i Bosnjës i dënuar për urdhërimin e vrasjes së 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë nga Srebrenica, do ta “kremtojë” këtë javë 25 vjetorin e masakrës në një qeli në Hagë, ku ai po qëndron prej 9 vitesh.

Por një çerek shekulli nga Masakra e Srebrenicës, bota duket se është mësuar me mizori të tilla. Vrasjet masive në Siri apo Jemen, nuk përbëjnë gjithmonë lajm. Kina ka burgosur më shumë se 1 milion ujgurë myslimanë, duke u imponuar sterilizime dhe aborte.

Kur bëhet fjalë për krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit, Mlladiç ka tani mjaft shoqëri.

Por ajo që e bën rastin e tij të pazakontë, është fakti që ai u kërkua për vite me radhë, u arrestua dhe u nxor para drejtësisë. Tre vjet më parë Mlladiç u dënua për gjenocid në Srebrenicë ndaj burrave dhe djemve të rinj boshnjakë, që u kapën kur ai drejtoi sulmin e vitit 1995 mbi atë që supozohej të ishte një “zonë e sigurtë” e OKB-së.

Ata u qëlluan për vdekje në ekzekutime masive të organizuara. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), e shpalli gjithashtu fajtor për 5 akuza të krimeve kundër njerëzimit, dhe 4 akuza për krime lufte për spastrim etnik, bombardime dhe sulme me snajper në Sarajevë, si dhe për pengmarrjen e paqeruajtësve të OKB-së.

Dhoma e Apelit, është tani është në garë me shëndetin e dobësuar të të dënuarit 77-vjeçar, që të përfundojë procesin ndaj tij sa kohë që ai është ende gjallë. Katërmbëdhjetë oficerë dhe zyrtarë të tjerë serbë të Bosnjës, u dënuan për rolin e tyre në Masakrën e Srebrenicës, përfshirë udhëheqësin e separatistëve serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiç.

Në total, Gjykata e Hagës shpalli dënimet për 90 të pandehur për krime lufte. Një gjykatë e ngjashme, ICTR, për krimet e luftës civile në Ruanda, dënoi 93 persona të gjetur fajtorë për gjenocidin e vitit 1994. ICTY dhe ICTR ishin gjykatat e para të ngritura që nga Gjykatat e Nurembergut dhe Tokios.

Ato pasqyruan entuziazmin e madh të pas fundit të Luftës së Ftohtë, se bota mund të bënte më shumë përballë mizorive masive.  Motoja e pas-Holokaustit “Kurrë më!” ishte frymëzimi kryesor. Gjykata të tjera të posaçme të ndihmuara nga OKB-ja u krijuan për hetimin e masakrave të kryera në Sierra Leone, Timorin Lindor, por edhe Kamboxhia, për të nxjerrë qofte edhe me vonesë para drejtësisë udhëheqësit e mbijetuar të Khmerëve të Kuq.

Bashkimi Evropian krijoi një gjykatë të veçantë për Kosovën, e cila muajin e kaluar bëri publike akuzat kundër presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, për krime të kryera në kohën kur ata drejtonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Një gjykatë speciale e ngritur në Hagë për të hetuar vrasjen në vitin 2005 të ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri, përmes shpërthimit të një bombe që vrau edhe 21 persona të tjerë, pritet të japë verdiktin e saj përfundimtar. Në vitin 2002, një gjykatë e përhershme për krimet e luftës nisi të funksionojë në Hagë, Gjykata Penale Ndërkombëtare (IÇ).

“Ato ishin vite emocionuese. Ne kishim si model Nurenbergun dhe Tokion, dhe rindërtuam të njëjtat gjykata në fillim të viteve 1990, dhe vazhduam t’i përmirësojmë ato gjatë viteve 1990”- thotë Dejvid Shefer, ambasadori i SHBA-së për çështjet e krimeve të luftës në vitet 1997-2001, dhe që ka luajtur një rol kryesor në krijimin e disa prej gjykatave speciale.

Ndërkohë për Nerma Jelaçiç, një refugjate boshnjake që u bë zëdhënëse e ICTY, ajo ishte si një epokë e re. “Ishte e rëndësishme që të gjitha ajo vuajtje dhe vdekje të mos shkonin kot, pasi leksionet do të mësoheshin dhe do të na shërbenin për të ardhmen”- thotë ajo.

Ato gjykata u krijuan për të nxjerrë para drejtësisë vrasësit në masë. Por ndërkohë OKB-ja u përpoq të gjente mënyra për të parandaluar gjenocide të ngjashme, për ta shndërruar moton “Kurrë më!” në një politikë të sajën. Parimi i “përgjegjësisë për të mbrojtur”, nisi të zbatohej pas gjenocideve në Bosnje dhe Ruanda, teksa u miratua zyrtarisht në vitin 2005 .

Ai deklaroi se bashkësia ndërkombëtare kishte për detyrë të ndërhynte, atëherë kur një shtet nuk mbronte dot njerëzit e vet. Parimi u përdor në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 2011, që siguroi bazën ligjore për ndërhyrjen ushtarake në Libi, kryesisht për të mbrojtur popullsinë e Bengazit nga forcat e diktatorit Muamar Gadafi.

Por parimi i “përgjegjësisë për të mbrojtur” u zbeh me kalimin e kohës. SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca vazhduan ndërhyrjen e tyre derisa Gadafi u rrëzua:Rusia, që kishte abstenuar ndaj rezolutës, pretendoi se ishte mashtruar me çështjen e ndryshimit të regjimit, dhe u zotua se nuk do të lejonte të mashtrohej më.

Vrasja e Gadafit nga një turmë, dhe fragmentimi i Libisë shënuan fundin e një epoke të reagimin global ndaj krimeve të luftës. Vladimir Putin u rikthye në presidencë një vit më vonë, dhe e drejtoi Rusinë në një rrugë gjithnjë e më konfrontuese ndaj Perëndimit.

Pranvera Arabe u shndërrua në një kasaphanë në Siri, Kina nën Xi Jinping u bë më represive në vend, dhe më agresive në skenën botërore, dhe Donald Trump, që ka përbuzur institucionet multilaterale të të gjitha formave, e fitoi presidencën e SHBA-së në vitin 2016.

Do të ishte e vështirë të imagjinohej një klimë më e armiqësore se sa kjo për “përgjegjësinë për të mbrojtur”, apo për gjykatat e krimeve të luftës për Sirinë, Jemenin apo Mianmarin.

“Të gjithë u gëzuan pasi ndodhi ndërhyrja në Libi. Por mbetet një njollë e madhe në ndërgjegjen tonë, ajo që kemi lejuar të ndodhë në Siri. Masakrat dhe njerëzit që torturohen deri në vdekje, janë bërë një normë atje për gati një dekade”,- thotë Jelaçiç.

Ndërkohë, ICC, kompetencat e së cilës ishin të kufizuara në krijimin e saj nga fuqitë e mëdha, ka rënë pre e sulmit në javët e fundit nga administrata Trump, e cila ka kërcënuar zyrtarët e gjykatës (dhe familjet e tyre) me sanksione, nëse nisin hetimet ndaj ushtarakëve të SHBA-së dhe veprimeve aleate në Afganistan, apo mbi operacionet e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Gaza.

”Është një zhvillim shumë vetë-mposhtës. Ai minon besueshmërinë tonë për të ndjekur drejtësinë dhe sundimin e ligjit, dhe për të parandaluar krimet mizore jashtë shtetit”- thotë ish ambasadori Shefer. Përkundër një sfondi të tillë, shprehja “kurrë më” tingëllon veçanërisht e zbehtë.

“Sidomos pas dhunës në Siri, për mua tingëllon boshe dhe e pakuptimtë”- mendon Iva Vukusiç, historiane në Universitetin e Utrehtit, Holandë. Kur bëhet fjalë për përgjegjësinë për krimet e luftës, ajo thotë se jo gjithçka mund të hidhet poshtë. Ndjekja penale e Mlladiç dhe të tjerëve, është një arritje e dukshme.

“Para gjykatave për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, dikush mund të priste në mënyrë të arsyeshme që pas një lufte civile apo një diktaturë të egër, të mos ndodhte asgjë. Por tani mendoj se në 25 vitet e fundit, ne kemi parë vërtet një ndryshim të pritshmërive, me akademikë, studiues dhe aktivistë që kërkojnë përgjegjësi. Unë mendoj se në atë kuptim, ne nuk do të rikthehemi më aty ku kemi qenë dikur”- shton ajo.

Sulmi i Trump ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës, ka shkaktuar një reagim të ashpër midis mbështetësve të tij, përfshirë aleatëve më të afërt të Amerikës, që kanë dalë në mbështetje të institucionit. Aktualisht në ICC është duke u zgjedhur një prokuror i ri, dhe një rishikim i veprimeve të tij do të bëhet deri në fund të këtij viti, me synim bërjen sa më efektive të këtij institucioni.

Ndërkaq, në mungesë të një gjykate speciale për Sirinë, gjykatat në Gjermani, Holandë dhe Skandinavi kanë hetuar krimet e luftës atje, bazuar tek parimet e juridiksionit universal. Në prill, një gjykatë në qytetin gjerman të Koblencit, nisi gjykimin e 2 ish-zyrtarëve të regjimit sirian që kishin dezertuar në Gjermani.

Ajo është e para nga shumë ndjekje penale. Provat janë mbledhur nga Mekanizmi Ndërkombëtar i Paanshëm dhe i Pavarur , i ngritur në Gjenevë me mbështetjen e shumicës dërrmuese të asamblesë së përgjithshme të OKB, si një mjet për të anashkaluar ngërçin e fuqive të mëdha në Këshillin e Sigurisë mbi çështjen e gjykimit të krimeve në Siri.

Gjyqi i Koblencit bazohet në mbi 800.000 dokumente të regjimit sirian, të kontrabanduara jashtë vendit ndër vite nga ana e Komisionit për Drejtësi Ndërkombëtare dhe Përgjegjshmëri (CIJA) një organ i pavarur që punon mbi krimet në Siri nga Britania e Madhe, Kanadaja dhe Gjermania.

CIJA mbledh gjithashtu prova mbi mizoritë e ISIS-it në Siri dhe Irak. Jelaçiç është tani drejtuese e marrëdhënieve të jashtme në CIJA. “Ajo çka mund të shpëtohet është koncepti i përgjegjësisë, koncepti i atyre që janë përgjegjës për ato krime. Kjo është ajo që më nxit të vazhdoj punën time, pasi nuk mund të zhbësh parimet, konventat, ligjet ndërkombëtare të dakordësuara midis palëve shtetërore. Janë këto ligje, që na lejojnë të përpiqemi aq sa mundemi të bëjmë drejtësi për sirianët. Pra, kjo është ajo që nuk mund të zhbëhet”- shton ajo. / “The Guardian” – Bota.al

Aleksandar Vulin: E vërteta e vetme është se...

Xhandarmëria/ ”Patrullimi, i sinkronizuar me KFOR”

Komunat më të prekura

172 raste të reja me koronavirus

BE-Kosovë/ Ndihma financiare prej 100 mln eurosh

Miratohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së huasë

Njoftimi i Ambasadës Amerikane në Kosovë

Kur duhet të mbahet maska dhe kur jo?

LVV për lëvizjen e ushtrisë serbe në Karaçevë

“Qeveria nuk po mbron qytetarët”