Në të gjithë botën, vendet kanë filluar të dalin nga bllokimi i COVID-19. Megjithëse masat izoluese kanë shpëtuar mijëra jetë, ato kanë rezultuar në një krizë ekonomike që pritet të jetë ndryshe nga gjithçka që ka parë bota më parë. Gita Gopinath e FMN-së shpjegon ndikimin e Bllokimit të Madh.
Bllokimi i Madh pritet të zhvillohet në tre faza, së pari pasi vendet hyjnë në bllokim, më pas kur dalin, dhe më në fund, pasi shpëtojnë nga bllokimi, kur gjendet një zgjidhje mjekësore për pandeminë, shkruan Forumi Ekonomik Global.
Shumë vende janë tani në fazën e dytë, atë të rihapjes, me shenja të hershme të rimëkëmbjes, por me rreziqe të një vale të dytë infeksioni dhe rivendosjen e masave izoluese. Në aspektin ekonomik, shkalla e dëmit të izolimit global, është mjaft e rëndë. Më tragjikisht, kjo pandemi tashmë ka marrë me qindra mijë jetë në të gjithë botën. Kriza ekonomike që rezulton është e ndryshme nga çdo gjë që ka parë bota më parë.
Kjo është një krizë me të vërtetë globale. Krizat e kaluara, sado të thella dhe të rënda që ishin, mbetën të kufizuara në segmente më të vogla të botës, nga Amerika Latine gjatë viteve 1980, në Azi në vitet 1990. Edhe kriza globale financiare 10 vjet më parë, pati efekte më modeste në prodhimin global.
Për herë të parë që nga Depresioni i Madh, si ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim, do të jenë në recesion në vitin 2020. Azhurnimi i ardhshëm i perspektivave të ekonomisë botërore në muajin qershor, ka të ngjarë të tregojë norma negative të rritjes, edhe më të këqija sesa vlerësohej më parë. Kjo krizë do të sjellë pasoja shkatërruese për të varfrit e botës.
Përveç shkallës së papërsëritshme, izolimi global po shpaloset në mënyra që janë shumë të ndryshme nga krizat e kaluara. Këto karakteristika të pazakonta po shfaqen në të gjithë botën, pavarësisht nga madhësia, rajoni gjeografik ose struktura e prodhimit të ekonomive.
Së pari, kjo krizë ka shkaktuar një goditje të madhe në sektorin e shërbimeve. Në krizat e zakonshme, barra mbartet nga sektori i prodhimit, duke reflektuar një rënie të investimeve, ndërsa efekti në shërbime është përgjithësisht i heshtur, pasi kërkesa për konsum ndikohet më pak. Kësaj radhe është ndryshe. Në muajt e pikut të izolimit, tkurrja në sektorin e shërbimeve ka qenë edhe më e madhe sesa në prodhim, dhe ajo shihet në ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim. Ekzistojnë përjashtime – si Suedia dhe Tajvani, që ndoqën një qasje të ndryshme për krizën shëndetësore, duke kufizuar masat e kontrollit të qeverisë dhe si pasojë shërbimet pësuan një goditje më të lehtë në krahasim me prodhimin.
Është e mundur që me kufizimin e kërkesës së konsumatorit do të ketë një rimëkëmbje më të shpejtë, ndryshe nga krizat e mëparshme. Sidoqoftë, kjo nuk është e garantuar në një krizë shëndetësore, pasi konsumatorët mund të ndryshojnë sjelljen e shpenzimeve për të minimizuar bashkëveprimin shoqëror, dhe pasiguria mund të bëjë që familjet të kursejnë më shumë.
Në rastin e Kinës, një nga vendet që e hoqi më shpejt karantinën, rimëkëmbja e sektorit të shërbimeve është më e ngadaltë se ajo e prodhimit, sepse shërbime si hoteleria dhe udhëtimi nuk po arrijnë të rifitojnë kërkesën. Një shqetësim i veçantë është ndikimi afatgjatë në ekonomitë që mbështeten në mënyrë të konsiderueshme nga shërbime të tilla – për shembull, ekonomitë që varen nga turizmi.
Së dyti, pavarësisht tronditjeve të mëdha në furnizim që janë unike për këtë krizë, përveç inflacionit ushqimor, deri tani kemi parë një rënie të inflacionit dhe pritjeve të inflacionit në përgjithësi, si në ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim. Pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme monetare dhe fiskale, konvencionale dhe jo konvencionale në të gjithë globin, kërkesa agregate mbetet e ndrydhur dhe po rëndon inflacionin, krahas çmimeve të ulëta të mallrave. Me papunësinë e lartë që parashikohet të vazhdojë për njëfarë kohe, vendet me besueshmëri të lartë në politikën monetare ka të ngjarë të kenë rreziqe të vogla në inflacion.
Së treti, shohim një divergjencë të habitshme të tregjeve financiare nga ekonomia reale, me tregues financiarë që tregojnë perspektiva të forta të një rimëkëmbjeje, ndryshe nga çfarë sugjeron aktiviteti real. Pavarësisht korrigjimit të fundit, S&P 500 ka rifituar pjesën më të madhe të humbjeve që nga fillimi i krizës; indeksi i tregut në zhvillim FTSE dhe indeksi i Afrikës janë përmirësuar ndjeshëm; Bovespa u ngrit në mënyrë të konsiderueshme pavarësisht rritjes së fundit të shkallës së infeksionit në Brazil; dhe flukset monetare në ekonomitë në zhvillim janë stabilizuar.
Me pak përjashtime, rritja e shpërndarjes së garancisë sovrane dhe zhvlerësimi i monedhave të tregjeve në zhvillim, janë më të vogla se ato gjatë krizës financiare globale. Kjo është e dukshme po të marrim parasysh shkallën më të madhe të tronditjes në tregjet në zhvillim gjatë Bllokimit të Madh.
Kjo divergjencë mund të sjellë paqëndrueshmëri më të mëdha në tregjet financiare. Lajmet më të këqija shëndetësore dhe ekonomike mund të çojnë në korrigjime të mprehta. Do të kemi më shumë për të thënë në lidhje me këtë divergjencë në Raportin e Stabilitetit Global Financiar.
Një faktor i mundshëm që qëndron pas kësaj divergjence, është reagimi më i fortë i politikës monetare gjatë kësaj krize. Politika monetare është bërë mjaft akomoduese, me mbështetje të jashtëzakonshme nga bankat qendrore, dhe lehtësime monetare në tregjet në zhvillim, përfshirë përdorimin për herë të parë të politikave jokonvencionale.
Politikat fiskale diskrecionale kanë qenë të mëdha në ekonomitë e përparuara. Tregjet në zhvillim kanë vendosur ndihma më të vogla fiskale, të kufizuara në njëfarë mase edhe nga hapësira e kufizuar fiskale. Për më tepër, një sfidë unike me të cilën duhet të përballen tregjet në zhvillim këtë herë, është se sektori informal, zakonisht një ekuilibrues i shokut, nuk ka qenë në gjendje të luajë këtë rol nën politikat e kontrollit dhe, në fakt, ka kërkuar mbështetje. Tani jemi në fillimet e fazës së dytë, pasi shumë vende kanë nisur të lehtësojnë politikat e kontrollit dhe gradualisht po lejojnë rifillimin e aktivitetit ekonomik. Por mbetet një paqartësi e thellë në lidhje me rrugën e rimëkëmbjes.
Një sfidë kryesore për të shpëtuar nga Bllokimi i Madh, do të jetë sigurimi i prodhimit të mjaftueshëm dhe shpërndarjes së duhur të vaksinave dhe trajtimeve kur të bëhen të disponueshme – dhe kjo do të kërkojë një përpjekje globale. Për vende të veçanta, minimizimi i pasigurisë shëndetësore duke përdorur mënyra më pak shkatërruese ekonomikisht si testimi, gjurmimi dhe izolimi, të përshtatura sipas rrethanave specifike të vendit dhe me një komunikim të qartë për rrugën e politikave, duhet të mbetet një përparësi në forcimin e besimit në rimëkëmbjen ekonomike. Teksa rimëkëmbja përparon, politikat duhet të kujdesen për rialokimin e punëtorëve nga sektorët në tkurrje, në sektorë me perspektivë më të fortë.
FMN-ja, në koordinim me organizatat e tjera ndërkombëtare, do të vazhdojë të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar një likuiditet të mjaftueshëm ndërkombëtar, për të siguruar financim urgjent, për të mbështetur nismën e G20-s për pezullimin e shërbimit të borxhit dhe për të ndihmuar vendet të menaxhojnë një barrë të tolerueshme borxhi. FMN-ja gjithashtu do të mundësojë këshilla dhe mbështetje, përmes mbikëqyrjes dhe zhvillimit të kapaciteteve, për të ndihmuar në përhapjen e praktikave më të mira, pasi shtetet mund të mësojnë nga njëri-tjetri gjatë kësaj krize të pashembullt, shkruan Monitor./ Fjala.al