Shqipëria ka njohur një rënie të eksporteve drejt Kosovës në rang 6 mujori (janar-qershor 2020). Në këtë periudhë 6 mujore, nga të cilat 4 ishin (dhe janë) në situatë të jashtëzakonshme si rrjedhojë e pandemisë, Shqipëria ka eksportuar 10 miliardë e 335 milionë lekë mallra drejt Kosovës.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë (janar-qershor 2019), rënia është në vlerë 4 miliardë lekë. Ajo që duhet evidentuar është se në muajin qershor të këtij viti ka një rritje, edhe pse të vogël, të eksporteve me Kosovën, ndryshe nga sa konstatohet në rang 6 mujori, çka dëshmon për një tendencë pozitive në rikthimin e rendit normalmes dy vendeve.
Ndryshe ka ndodhur me importet të cilat kanë qendruar thuajse në të njëjtat nivele si më parë. Në janar-qershor 2020, Shqipëria importoi nga Kosova 3.5 miliardë lekë mallra duke njohur një renie me rreth 200 milionë lekë më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Mallrat që eksportuam më pak në Kosovë
Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT për tregtinë e jashtme, sa i përket eksporteve, rënia më e madhe ëshët njohur në dy grupe mallrash; ‘minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike’ si dhe ‘materiale ndërtimi dhe metale’. Eksporti i grupit ‘ushqime, pije dhe duhan’ ka qendruar në të njëjtat nivele./Scan