MENU
klinika

Zgjedhjet dhe ndryshimet kushtetuese

Sot takimi PS-PD-LSI, në tryezë edhe Rama

20.07.2020 - 07:11

Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore rimblidhet sot në orën 11:00 për të diskutuar mbi propozimin e 28 deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimin e dy neneve në Kushtetutë.

Në riformulimin që propozojnë të bëjnë në nenin 64 dhe 68 të Kushtetutës, deputetët e rinj në Parlament, të mbështetur edhe nga maxhoranca, kërkojnë që të heqin koalicionet parazgjedhore, vendosjen e një pragu kombëtar dhe hapjen e pjesshme të listave.

Nisma në Parlament është kundërshtuar fort nga ndërkombëtarët dhe opozita e bashkuar. Ndërkohë, pas rreth 10 ditësh akuza dhe kundërakuza në distancë, palët ranë dakord që të rimblidhen sot në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore.

Një ditë para se të mblidhej Këshilli Politik, ishanëtari i Gjykatës së Strasburgut, juristi Ledi Bianku, përmes një postimi në “Twitter” dha një arsye tjetër përse disa rregulla elektorale në Kushtetutë apo në ligjin zgjedhor nuk duhen prekur pa disa garanci. Bëhet fjalë për pragun elektoral, për të cilin Ledi Bianku sjell një vendim të Gjykatës së Strasburgut. Vendimi thotë qartë se pragu elektoral nuk mund të ndryshohet nëse nuk lejohen koalicionet dhe nëse vendi nuk ka një Gjykatë funksionale Kushtetuese.

“Për kujtesë, Këshillit Politik etj. – në Yumak dhe Sadak k. Turqisë, 2008, Gjykata e Strasburgut u shpreh se pragu elektoral mund të pranohet, por kur ka sisteme korrigjuese të tilla si koalicionet zgjedhore dhe kur ka garanci institucionale dhe procedurale – Gjykata Kushtetuese”, shkroi ish-anëtari i Gjykatës së Strasburgut në një postim në “Twitter”. Një nga pikat që diskutohet sot prek edhe pragun elektoral. Deputetët e opozitës parlamentare kërkuan fillimisht që pragu të ngrihej nga 3% që është aktualisht, në 5%, por më vonë e kërkuan 2%.

Në zgjedhjet e fundit, pragun 3% e kaluan vetëm 3 parti politike: PS, PD dhe LSI. Palët në Parlament kanë vendosur që këtë çështje ta përfshijnë në Kodin Zgjedhor dhe akoma nuk ka një vendim përfundimtar.

TAKIMI

Takimi që zhvillohet këtë të hënë nuk ka axhendë diskutimi, por palët ranë dakord të ulen pas debateve në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Ndryshe nga Këshilli Politik që prodhoi draftin konsensual të amendamenteve të Kodit Zgjedhor, këtë herë Këshilli Politik do të ketë formulë më të zgjeruar.

Nga maxhoranca, përveç Damian Gjiknurit që përfaqësonte më herët Partinë Socialiste në Reformën zgjedhore, do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, nga opozita e bashkuar nuk do të jetë kryedemokrati Lulzim Basha, por sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Po ashtu, do të ketë më shumë përfaqësues edhe nga opozita parlamentare. Përveç Rudina Hajdarit, e cila ka qenë pjesë edhe më herët e tryezës, do të bashkohet edhe Myslim Murrizi. Ai u propozua që të zëvendësonte më herët Rudina Hajdarin nga tri grupe parlamentare të opozitës në Parlament.