Lufta e ftohtë ishte një luftë kulturore dhe si e tillë, Camaj e Koliqi, janë përfshirë në një betejë për kulturën. Ky është këndvështrimi i studiuesit e shkrimtarit Sadik Bejko, i cili, gjykon se historitë policore nuk i dëmtojnë dy shkrimtarët.
Ai nuk mendon se dalja e dokumenteve që përfshijnë Martin Camajn e Ernest Koliqin në shërbimet e huaja të inteligjencës dëmton imazhin e tyre si pika kyçe të kulturës shqiptare.
“Për mua kjo çështja Camaj-Koliqi si histori policore është pa vlerë. Ata mbeten dy personalitete te kulturës shqiptare e të historisë sonë. Zbulimet në arkiva, të kujtdo personi a arkive inteligjence nuk e rrëzojne emrin e tyre” – tha ai.
Duke përmendur emra si Sartri, Kamy, Pasternak, ai gjen paralele pozicionimesh e sponsorizimesh, në një luftë të ftohtë, që ishte, mbi të gjitha, kulturore.
“Shekulli XX i përdori shkrimtaret kudo në botë. Shërbimet e huaja, morën parasysh këshillën e Antonio Gramshit, që kush ka me vete intelektualët, artistët, shkrimtarët, piktorët, ai e fiton luftën. Në këtë kuptim, shërbimet e huaja u morën me intelektualët, ndonëse qëllimi nuk ishte spiunimi, por nxitja e ideve”.
Sipas Bejkos, lufta e ftohte ishte lufte kulturore, pyetja ishte, nëse do të fitonte arti modernist, apo realizmi socialist? Ndaj u financuan e sponsorizuan artistët, që të prodhonin art që shenjonte një kulture të caktuar. “Camaj e Koliqi u perfshine ne nje beteje kulturore”, gjykon Bejko.
Ai sjell shembujt e librave e revistave te Marin Barletit, Kostandin Kristoforidhit, Faik Konices me financime te huaja, por vlera te medha. Mbi riciklimin e akuzave komuniste per Camajn e Koliqin, Bejko, pa mohuar agjenturat qe jane pas, pohon: “Kjo është një mendësi. Ata që duan të shohin njerëz të varur në sheshin e Tiranës, ata që kërkojnë agjente e spiunë, ata i gjejnë”.
Bejko mendon, se kjo është një nxitje e mirë për Akademinë e Shkencave, të bëjë studime për figurat e Luftës së ftohtë.