MENU
klinika

Sipas Greqisë!

Çfarë domethënie ka zgjerimi i ujërave territoriale në detin Jon?

28.08.2020 - 12:21

Burime diplomatike greke sqarojnë sot se çfarë domethënie ka zgjerimi i ujërave territoriale të Greqisë në detin Jon nga 6 në 12 milje detare.

Sipas tyre, Greqia ka vendosur të ushtrojë të drejtën që asaj i jep ligji ndërkombëtar dhe konkretisht neni 3 i Konventës së Kombeve te Bashkuara të vitit 1982 për të Drejtën e Detit dhe për zgjerimin e ujërave të saj territoriale nga 6 në 12 md. në detin Jon dhe ishujt e tij, deri në Kepin Tenaro në Peleponez.

Ky vendim zgjeron ndjeshëm, për herë të parë pas shumë vitesh, territorin në të cilin vendi ushtron sovranitet. Dhe kjo nënkupton gjithashtu edhe zgjerimin njëkohësisht të hapësirës ajrore mbi këtë zonë.

Ky zgjerim ndodh pas delimitimit të zonave detare që bëri Athina me Romën në 9 qershor 2020 dhe theksohet se nuk ndikon te përkufizimi i këtyre zonave detare.

Sipas burimeve diplomatike greke, Athina, në kontekstin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë që promovon me dy vendet e saj fqinje, informoi me kohë qeveritë e Italisë dhe Shqipërisë për këtë zgjerim.

Zgjerimi i ujërave territoriale do të zbatohet me miratimin e një ligji nga Parlamenti. Do t’i paraprijë publikimi i një dekreti presidencial, i cili do të mbyllë gjiret (do vendosë pra si vijë fillestare matëse vijën e hequr nga njëri kep te tjetri dhe që aty do të fillojë matja e 12 miljeve, jo si më parë që fillonte nga njëri kep dhe shkonte vetëm në 6 milje) dhe do të hartojë vijën bazë të drejtë në zonë, në zbatim të dispozitave përkatëse të Konventës për Ligjin e Detit.

Theksohet se “mbyllja” e gjireve krijon në zonat specifike bazuar në ligjin e detit “ujërat e brendshme”, ku sovraniteti i ushtruar nga vendi është ekuivalent me atë të ushtruar në territorin e tij.

Theksohet se Greqia, si çdo vend, ushtron sovranitet të plotë mbi hapësirën e saj ajrore, në ujërat e saj territoriale, duke përfshirë thellësinë e detit dhe nëntokën. Sidoqoftë, theksohet gjithashtu se rregulli i “kalimit të sigurt” të anijeve të huaja nga ujërat territoriale, siç përcaktohet nga Ligji Ndërkombëtar Detar, vazhdon të zbatohet.

“Kujtojmë”, thonë burimet diplomatike greke, “se si Italia, ashtu edhe Shqipëria, vende që janë anëtare të UNCLOS kanë zgjeruar tashmë ujërat e tyre territoriale në 12 md. Përveç kësaj, nga 168 shtetet anëtare në Konventën për Ligjin e Detit, vetëm 3 nuk i kanë zgjeruar plotësisht ujërat e tyre territoriale në 12 md, ndërsa vendet që nuk kanë nënshkruar UNCLOS (SHBA dhe Turqia në rajone të ndryshme) gjithashtu kanë zgjeruar ujërat me 12 md”.

“Ky zhvillim i rëndësishëm është pjesë e nje strategjie të gjerë të vendit për të ushtruar të drejtat që burojnë nga e Drejta Ndërkombëtare, por edhe për të kërkuar konsensus me vendet fqinje, për të lidhur marrëveshje me ta për delimitimin e zonave detare, promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë, sigurinë dhe prosperitetin dhe bashkëpunimin midis vendeve të rajonit”, përfundojnë burimet diplomatike greke.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Një gjë është e sigurtë dhe nuk e luan as topi…"

“Falje deti grekut?” Rama reagon sërish