MENU
klinika

Kufiri detar

Rikthehet përplasja Meta-Rama për negociatat me Greqinë

28.08.2020 - 07:35

Vendimi i shtetit fqinj për t’u shtrirë 12 milje në det do të rikthejë domosdoshmërinë e negociatave me Shqipërinë për kanalin e Korfuzit. Presidenti Ilir Meta, i cili duhet të japë mandatin për grupin negociator, tha se do të zbatojë Kushtetutën. Sipas kryeministrit Edi Rama, ata që sulmojnë marrëveshjen me Greqinë, e bëjnë “për orekset e tyre politike”.

Nga Blerina Gjoka

Negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar do të rikthehen për herë të tretë në skenë, pas kërkesës së qeverisë greke. Por, duket se edhe këtë herë vështirësia e këtyre negociatave do të përplaset në Presidencë. Kur Tirana zyrtare po përjeton një konflikt politik mes krerëve të shtetit, grupi negociator i qeverisë mund të legjitimohet vetëm me një mandat nga ana e presidentit Ilir Meta.

Dy vite më parë ai refuzoi fillimisht që t’ia jepte këtë mandat ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, duke i mbajtur peng këto negociata, të cilat nuk u përmbyllën dot me një marrëveshje, edhe pse e morën autorizimin presidencial në një moment të dytë. Një ditë pas deklaratës së kryeministrit grek për kufirin detar Meta ka paralajmëruar se ai do të respektojë Kushtetutën. Kryeministri Edi Rama iu rikthye dhe një herë dje marrëveshjes së negociuar nga qeveria e tij, e mbetur pa firmosur, duke i cilësuar kundërshtimet ndaj saj të lidhura me orekset politike dhe pushtetin. Marrëveshja e parë mes dy vendeve, e arritur gjatë kohës së qeverisjes Berisha, në vitin 2009, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për disa arsye, e para prej të cilave ishte “mospajisja e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga presidenti i Republikës, për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes”. Bazuar në këtë vendim çdo negociatë e re me Greqinë do të kalojë më parë nga zyra e Metës.

Qëndrimi i presidentit

Pasi kishte zgjedhur një sfond patriotik në fshatin Drashovicë, ku u kujtua 100-vjetori i luftës së Vlorës, presidenti Ilir Meta komentoi dje deklaratën e kryeministrit grek për çështjen e kufirit detar. Ai iu drejtua qytetarëve duke u shprehur se duhet të jenë të sigurt se presidenti gjithmonë do të mbrojë Kushtetutën dhe do zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen në fjalë.

“Pa asnjë diskutim shqiptarët duhet të jenë të sigurt se presidenti gjithmonë do të mbrojë Kushtetutën për çështjen në fjalë do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe këtë duhet ta bëjnë të gjitha institucionet tona”. Gjykata Kushtetuese në vitin 2010 hodhi poshtë marrëveshjen detare me Greqinë, ndërsa negociatat mes dy vendeve u rihapën pas ardhjes së Partisë Socialiste në qeveri, për të arritur një pakt për kufirin detar. Por Meta refuzoi në fillim të vitit 2018 që t’i japë mandatin ministrit Bushati, pasi e cilësoi kërkesën e tij të paplotë me informacione dhe pa objekt të qartë negocimi.

Refuzimi i Metës gjithashtu u bazua në përbërjen e grupit negociator dhe për çështjen e standardeve dhe metodologjisë së përdorur për negocim. Por vetëm pak javë më vonë, pasi në grupin negociator u përfshi dhe një specialist i përzgjedhur nga Meta, historiani Ksenofon Krisafi, ai e lëshoi autorizimin.

Kryeministri: Pse disa nuk e duan marrëveshjen

Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje zyrtarisht pasi një deklaratë e homologut të tij grek, Kiriakos Mitsotakis, për zgjerimin e kufirit detar në Jon, shkaktoi reagime në Tiranë. Rama e nis reagimin e tij me shprehjen latine “padituria nuk është argument” dhe më tej sqaron se “Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujërat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay, në vitin 1982”. Ai ka kujtuar rastin kur marrëveshja e qeverisë së tij me Greqinë po bëhej një dokument konkret, duke thënë se nacionalizmat që ushqehen nga padituria e minuan atë.

“Arsyeja pse nxitësit e sulmit kundër marrëveshjes sonë me Greqinë, e cila ende mbetet për t’u kryer në frymën e dialogut dhe të qasjes konstruktive nga të dyja palët, nuk e duan arritjen e marrëveshjes, s’ka asnjë lidhje me të vërtetën e marrëveshjes që ende nuk është finalizuar. Ajo është thjesht, vetëm dhe mjerisht, një arsye lufte për pushtet. Por një gjë është e sigurt dhe nuk e luan as topi: Ignorantia argumentum non est. Padituria nuk është argument. Nuk është as faj për sa kohë nuk përdoret si argument. Prandaj kushdo që është i interesuar për këtë çështje, s’ka pse bëhet bashkëfajtor me ata që detin e duan kos për orekset e tyre politike dhe që pa pikën e turpit, ushqejnë paditurinë me helmin e nacionalizmit.” – theksoi Rama, duke bërë akuza për kundërshtarët e kësaj marrëveshjeje. Kreu i qeverisë, i cili është në fund të mandatit të dytë, tha se Partia Socialiste e drejtuar prej tij nuk e ka përdorur kurrë pushtetin në dëm të interesit kombëtar.

Boks te shkrimi kryesor

Balla: Meta, avokat i paktit detar që u rrëzua nga Kushtetuesja

Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, ka folur dje lidhur me zgjerimin detar me 12 milje të Greqisë në detin Jon, duke sjellë në vëmendje rrëzimin e marrëveshjes së parë me Greqinë, të firmosur nga qeveria “Berisha”. Duke i njohur meritat PS-së për rrëzimin e kësaj marrëveshjeje nga Gjykata Kushtetuese, ai i ka kujtuar presidentit Ilir Meta se ka mbështetur avokaten mbrojtëse të kësaj marrëveshjeje.

Balla hapur akuzon Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Ilir Metën se ishin tre avokatët kryesorë të marrëveshjes antikombëtare. “Në 26 nëntor 2009, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi paraprakisht kërkesën tonë, ku vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare dhe legjitimimin e PS-së si palë ankimuese. Seancat në Gjykatën Kushtetuese zgjatën deri në prill të vitit 2010, ndërsa u karakterizuan nga debate dhe polemika të forta. Për të mbrojtur marrëveshjen e me Greqinë, Sali Berisha kishte angazhuar si avokate të qeverisë së tij Marsida Xhaferllarin, të cilën Ilir Meta si president, me një dekret të paligjshëm, e ka pseudo-shpallur gjyqtare kushtetuese. Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ilir Meta ishin publikisht tre avokatët kryesorë të marrëveshjes, kundër interesave të Shqipërisë.” – deklaroi Balla në një reagim publik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Një gjë është e sigurtë dhe nuk e luan as topi…"

“Falje deti grekut?” Rama reagon sërish

"Shqiptarët të jenë të sigurt, respektoj vendimin e Kushtetueses"

“Greqia zgjerohet me 12 milje në detin Jon”, Reagon Presidenti Meta