Letërkëmbimet mes tyre, fotografitë dhe dashuria që nuk i mbylli sytë kurrë.
Ndonjëherë nuk mjafton një jetë për të dashur dikë… Kështu zbriti prej qiellit dashuria e bukur mes Dritëroit dhe Sadijes. Gjithmonë bashkë. Gjithmonë të pandarë.
Muzë e tij!
Vargjet që shkrimtari ynë i madh i ka qëndisur dhe më pas veshur figurës së bukur të së shoqes, janë faqe të tëra libri dhe jete. Faqe nga ato të rrallat që formojnë dy gjysma për ta bërë dashurinë një dhe të plotë. Duket sikur ky realitet i përket të tjera botësh dhe qiejve por në fakt jo. Ky realitet si prej përralle, me nota pasioni dhe dashurie u takon atyre. Duke na zgjuar kështu dëshirën për të dashur. Sikundër ata bënë aq pastër me njëri-tjetrin.
Gruaja ime Sadija
Prej teje asgjë s’më ka ndarë.
Kam bredhur dete dhe vende
dhe çfarë s’kam parë!
Në dhoma hotelesh në botë
jastëkët më sillnin, veç erën tënde…
Në rrugë qytetesh me miliona shkëndija
shikoja dhe thosha me vete:
Sadija…
Dhe në fakt, ajo që ndan me të gjithë ne disa fotografi dhe një nga letrat e shumta të Sadijes për Dritëroin është një prej fruteve të dashurisë së tyre. Elona! E cila nuk rresht kurrë së foluri për atin e saj në gjithë kuptimet apo format e kujtesës.
Dashuri e vështirë
Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë
Abazhuri mbi qerpikët ndrit,
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.
Para teje ndal mendimi im
Jemi dashuruar edhe sharë,
Jemi ndarë shpesh në udhëtim;
Po drejt njëri-tjetrit kemi ngarë!
Dhoma hesht e rruga lart gjëmon
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë,
Unë, ndonëse pi dhe mogadon
mezi fle, se jam njeri pa gjumë.
Të kam pasur ëndërr çast e orë,
Ëndërr të trishtuar e të mirë.
Po të jem vërtet një Pitagorë
Ti je teorema më e vështirë.