MENU
klinika

Raporti i Tatimeve

Ekonomia, para dhe pas pandemisë

22.08.2020 - 16:21

Të dhënat zyrtare për vitin 2019 tregojnë se numri i bizneseve të regjistruara në Tatim-Taksa është i lartë, ndonëse disa biznese mund të vijojnë të mbajnë statusin “aktiv”, pavarësisht se nuk e ushtrojnë aktivitetin. Në total janë 6443 biznese me bashkëpronësi shqiptare dhe të huaj që zhvillojnë aktivitetin në vendin tonë. Ndryshimi i shpeshtë i barrës fiskale, problemi i pronësisë dhe pasiguria juridike janë disa nga arsyet se përse biznesi i madh i huaj nuk investon në Shqipëri.

Nga Alessia Selimi

Nëse treguesit ekonomikë të viteve 2018-2019 do të vijonin trendin e rritjes së numrit të ndërmarrjeve me kapital shqiptar dhe të huaj, do të kishim një tablo tjetër të të ardhurave apo numrit të të punësuarve në këto ndërmarrje, por situata ndryshoi menjëherë… Kushtëzimi për shkak të pandemisë COVID-19 apo edhe dëmet e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, kanë sjellë pasoja të dukshme, si për nga ulja e numrit të subjekteve ekonomike, ashtu edhe në rritjen e papunësisë. Numri i bizneseve të regjistruara vijon të mbetet i lartë, duke kapur shifrën e 162300 bizneseve të regjistruara, por rreth 83% e tyre janë biznese të vogla, vetëm 13% futen si biznes i madh. Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rezulton se pjesa më e madhe e sektorëve ekonomikë ka pësuar tkurrje të numrit të bizneseve aktive, duke filluar nga tregtia dhe industria. Numri i ndërmarrjeve tregtare u tkurr me rreth 2300 vitin e kaluar, duke vijuar tendencën rënëse. Në katër vitet e fundit, numri i bizneseve tregtare është pakësuar me afërsisht 7 mijë. Tendenca rënëse është shfaqur fillimisht në industri. Vitin e kaluar u regjistruan afërsisht 600 biznese më pak, në sektorin e hotelerisë dhe restoranteve; rezultojnë pothuajse dy mijë biznese aktive më pak krahasuar me vitin 2018. Rritje të lehtë të numrit të bizneseve shënoi sektori i ndërtimit, telekomunikacioni dhe shërbimet e tjera.

Kompanitë e huaja

Për një ekonomi të vogël si Shqipëria, tërheqja e kapitalit të huaj shihet si sukses, por, gjithsesi, numri i tyre në vendin tonë është i kufizuar. Në të gjithë vendin operojnë në total 6443 biznese me pronësi të huaj apo të përbashkët në ortakëri me shqiptarë, e thënë ndryshe, këto zënë vetëm 4% të totalit të bizneseve të regjistruara. Sipas të dhënave të Bashkisë Tiranë, 4232 subjekte të huaja apo me pronësi të përbashkët zhvillojnë aktivitet në kryeqytet. 65,3% të këtyre ndërmarrjeve përfaqësohen nga ndërmarrjet e vendeve të Bashkimit Evropian. Pronarë apo bashkëpronarë me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë konkretisht 53,4% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Këto të fundit janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës.

Ndërmarrjet aktive

Në regjistrat e tatimeve, si subjekte të regjistruara figurojnë 162342 ndërmarrje aktive në fund të vitit 2019, numër pothuajse i njëjtë me vitin 2018. Gratë menaxhojnë 25,4 % të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 25,7 % gjatë vitit 2018. Qarku i Tiranës ka edhe përqendrimin më të madh të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë, me 32,4 %. Edhe pse ky është një tregues i mirë për angazhimin e grave në biznes, përsëri shifra 25% tkurret kur nga të dhënat zyrtare, të siguruara nga gazeta “Fjala”, ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht ndërmarrje me 1- 4 të punësuar, të cilat zënë 90,5 % të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë. Në ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar, gratë drejtojnë 20,3 % të ndërmarrjeve. Tashmë situata ka ndryshuar, ku numri i kompanive inaktive rritet nga dita në ditë, duke njohur kulmin në periudhën e karantinës, për shkak të COVID-19. Ekspertët mendojnë që pavarësisht se disa kompani me kapital jo më shumë se 20 milionë lekë xhiro vjetore që futet si biznes i vogël, figurojnë të regjistruara si biznese, në praktikë një pjesë e mirë e tyre nuk e ka rinisur aktivitetin. Shumë prej pronarëve të tyre kanë vendosur t’i japin me qira, por edhe në këtë pikë interesi duket mjaft i vogël.

Ndërmarrjet aktive në një ose më shumë vendndodhje

Në fund të vitit 2019 regjistrohen 172296 njësi lokale nga të cilat 160527 e ushtrojnë aktivitetin ekonomik në 1 vendndodhje. Ndërmarrjet që e ushtrojnë aktivitetin në më shumë se një vendndodhje janë 1815, të cilat përfaqësojnë vetëm 1,1 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej. Këtu është pjesa e biznesit të madh dhe shumë të madh. Çdo kompani me xhiro vjetore më të madhe se 20 milionë lekë kategorizohet si biznes i madh, por edhe brenda ndarjes “biznes i madh”, vetëm një numër mjaft i vogël konsiderohet si më me peshë në ndikimin ekonomik. Numri i të punësuarve në to është 26,6 %. Për nga ndarja rajonale, rajoni më i zhvilluar është rajoni në qendër, ku përfshihen sërish qarqet Tiranë dhe Elbasan.

Biznesi i madh dhe i vogël

Në fund të vitit të kaluar Shqipëria numëroi 1967 biznese të mëdha me mbi 50 punonjës, ose 139 ndërmarrje të mëdha më shumë sesa në vitin 2017. Por pavarësisht kësaj rritjeje, numri i korporatave në ekonominë shqiptare është thuajse i papërfillshëm, duke zënë vetëm 1,2 % në totalin e bizneseve. Pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve, ose 83% e tyre, janë të vogla dhe kanë nga 1 deri në 4 punonjës. Ky raport ka mbetur thuajse i pandryshuar prej disa vitesh, çka tregon vështirësinë e rritjes së biznesit shqiptar. Numri shumë i ulët i korporatave është një dobësi jo e vogël strukturore për ekonominë shqiptare, pasi janë jo vetëm investitorët më të mëdhenj, por edhe burimi kryesor i punësimit dhe rrogave më të larta për punonjësit. Ndonëse korporatat e mëdha zënë vetëm 1,2% të numrit total të bizneseve, ato mundësojnë pjesën më të madhe të investimeve dhe sigurojnë gati gjysmën e punësimit total. Çelësi i suksesit i një ekonomie të qëndrueshme, por edhe që sjell të ardhura dhe punësim mbetet tërheqja e kompanive të mëdha, të cilat në vendin tone, edhe pse përbëjnë sektorin kryesor të punësimit dhe, mbi të gjitha të të ardhurave që i sjellin buxhetit të shtetit nga taksat dhe tatimet, përsëri mbeten në numër shumë të kufizuar.

Tirana si “magnet” i bizneseve, nga kompanitë e mëdha te shërbimet

Subjektet private edhe në këtë kohë të vështirë të pandemisë vijojnë ta shohin kryeqytetin si hapësirën më tërheqëse për të zhvilluar aktivitetin e tyre, kjo për shkak edhe se në Tiranë është përqendruar numri më i lartë i popullsisë, pjesa më e madhe e shërbimeve, çka bën që konsumi të jetë më i lartë, si dhe standardi ekonomik. Ekonomia e vendit është e përqendruar kryesisht në aktivitetin tregtar, dukuri e cila vihet re edhe në ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2019; ndërmarrjet tregtare zënë 23,0 %, krahasuar me 23,2% gjatë vitit 2018. Ndërsa ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë 1,2 % të totalit të ndërmarrjeve aktive. Edhe pse kjo vlen sa për statistikë, ka një tregues se ku është përqendruar pjesa më e madhe dhe më e vogël në rang bashkish. Bashkia Tiranë ka numrin më të madh të subjekteve tregtare dhe ekonomike, ndërsa Bashkia Pustec, në Qarkun Korçë, shënon numrin më të ulët.

Barra fiskale dhe normat tatimore në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor

Shqipëria ka përqindje të lartë të tatimeve direkte (7,2% të PBB-së), ndërkohë që mesatarja e tatimeve direkte të BP-së është 5,2% e PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto). Vendi është pa dyshim mbi mesataren e BP-së, (Ballkanit Perëndimor) krah Serbisë dhe Malit të Zi. Ndonëse me barrë më të ulët fiskale se këto dy vende, Shqipëria prezanton një rezervë në arkëtimet nga tatimet e konsumit, si dhe nga taksat e tjera.

Ndërkohë, Ballkani Perëndimor nuk ka pësuar ndryshime te normat tatimore mbi kapitalin, të ardhurat personale dhe pagat. Vendet e BP-së kanë një nivel pajtueshmërie të dukshme ndaj rekomandimeve të misioneve të FMN-së, si dhe të gjitha institucioneve monitoruese ndërkombëtare. Nga analiza që bëjnë ekspertët e ekonomisë, duke e krahasuar me vendet e zhvilluara të BE-së, konstatohet se në mesatare barra fiskale në Evropë është sa 40,1% e PBB-së. Tatimet mbi prodhimin dhe importet përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurave tatimore me një pjesë sa 13,6% e PBB-së, ku TVSH-ja mban një peshë sa 7,1% e PBB-së. Vendi ynë prej 15 vitesh ka një problem serioz në lidhje me tatimet dhe taksat, duke i ndryshuar dhjetëra herë. Për specialistët e ekonomisë ky është një tregues negativ për strukturat shtetërore, duke mos pasur një model të qartë si ekonomik, ashtu edhe për taksat e tatimet. Kjo situatë e paqëndrueshme ka bërë që shumë biznese të huaja ta shohin vendin tonë si “zonë me risk” për të investuar. Krahas paqëndrueshmërisë në barrën fiskale, një tjetër problem mbetet infrastruktura, fuqia punëtore e kualifikuar, por edhe pasiguria juridike dhe kjo lidhet pikërisht me problemet që vijnë nga sistemi i drejtësisë. Gjithashtu, mozgjidhja e problemit të pronave konsiderohet gangrenë 28-vjeçare, duke stepur kompanitë e mëdha për të investuar në Shqipëri.

Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor të fokusura në TVSH

TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar), është tatimi kryesor në të gjitha vendet e BP-së, në dallim nga vendet e BE-së, të cilat kanë si tatim kryesor tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin. Barra e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), e krahasuar me normat tatimore të saj (akciza takson një kategori specifike mallrash), ashtu si në rastin e tatimit mbi fitimin dhe mbi pagën, evidenton problemin që gjendet te kapaciteti i administrimit fiskal. Shqipëria, edhe pse zbaton një normë më të lartë TVSH-je se Maqedonia e Veriut, e ka barrën më të ulët se ajo. Duket se politika fiskale ka nevojë të përqaset më nga afër me modelimin e taksimit, pasi produktiviteti i saj është më i ulët se në vendet përreth. Mali i Zi dhe Serbia miratuan në 2016 norma të reduktuara të TVSH-së, respektivisht me 7% dhe 10%. Shqipëria dhe Serbia zbatojnë një normë standarde të TVSH-së në nivelin 20%. Nisur nga efektiviteti i barrës së taksimit progresiv, shikohet se ky model garanton më shumë të ardhura në buxhet, në raport me të ardhurat që garantohen nga modeli i taksimit të sheshtë. Norma tatimore kufi mesatare e Ballkanit Perëndimor për tatimin mbi të ardhurat individuale/paga është 14,5%. Por Shqipëria me 23% dhe Serbia me 25% zbatojnë norma mbi këtë mesatare; Kosova (10%), Bosnjë-Hercegovina (10%), Maqedonia e Veriut (10%), Mali i Zi (9%) zbatojnë norma nën këtë mesatare. Ndërkohë, për të ardhurat individuale, që taksohen në burim, secili shtet zbaton politika progresive të shkallëzuara, sipas segmenteve të të ardhurave personale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga tërheqja e blloqeve tek marrja e shërbimeve...

Si duhet të veprojnë bizneset pas mbylljes së sportelit të Tatimeve?

Nga ekonomisti Iljas Mehmeti

Recesioni dhe Konsumi!


shkak, temperaturat e larta dhe thatësira e prillit!

Prodhimi i grurit rus, në pikëpyetje

Ndikim të drejtpërdrejtë financiar në të gjithë kategoritë

Gati ndryshimi rrënjësor për pensionet! Detajet

Paralajmërimi i miliarderit Elon Musk

“Dollari mund të bëhet i pavlefshëm…”