MENU
klinika

Flet mbi serialin e ri ‘SNOB’

Dalina Buzi thyen heshtjen për ndërprerjen e ‘Hostel by Anabel’

01.08.2020 - 12:24

Në faqen zyrtare të Anabel Entertainment dhe në një faqe të posaçme të krijuar enkas për serialin, themeluesja e kompanisë, Dalina Buzi, njoftoi dje mbylljen e xhirimeve të dy serive të para të serialit “SNOB” dhe e cilësoi këtë prodhim të ri si “më cilësorin që ka realizuar ndonjëherë Anabel”. Projekti “Snob” u njoftua në maj nga kompania, menjëherë pas përfundimit të papritur të sezonit të 3-të të serialit “Hostel by Anabel”. Në faqen zyrtare të serialit, përveç fotove nga xhirimet dhe një bio e shkurtër e kastit, shumë pak informacione jepen në lidhje me përmbajten.

Çfarë është SNOB?

SNOB është një serial i gjinisë teen-drama, ku në qendër janë përplasjet midis disa të rinjve dhe familjeve të tyre nga statuse ekonomike të ndryshme për dashuri, para dhe pushtet.

Në një prononcimin që ju bëtë dje në instagram, cilësuat që ky është prodhimi me kualitetin më të lartë të realizuar ndonjëherë nga Anabel…

Është e vërtetë. Por më lejoni të theksoj, që është prodhimi më cilësor sipas standardeve të kompanisë sonë, jo sipas standardeve botërore, se njerëzit kanë tendencë të bëjnë krahasime dhe mund të thonë “Është ok, por jo si “Peaky Blinders” apo si “Game of Thrones” e krahasime të tjera me prodhime 1 milionë euro episodi (qesh). Gjithsesi, mendojmë që në total është bërë një punë shumë e mirë brenda të gjithë kushteve dhe kohës kur është realizuar ky projekt.

Keni realizuar vetëm dy episode, pse ndaluat këtu?

Ne vendosëm që të vepronim sipas standardit ndërkombëtar. Ajo çfarë realizuam brenda tre muajve është një projekt PILOT, që do të thotë: Si fillim realizohet seria e parë, e cila më pas marketohet tek klientët e duhur, për të mbledhur fonde për vazhdimësinë e serialit. Në rastin tonë, ne realizuam dy seri, sepse kështu na erdhi (qesh). Seritë e tjera janë ende në furrë, për t’iu rikthyer xhirimeve muajt në vazhdim.

Ju në maj njoftuat mbylljen e “Hostel by Anabel” dhe cituat “probleme financiare nga COVID”. Atëherë si arritët të realizoni këto dy seri?

Historia e krijimit të këtij seriali është një film më vete. As unë nuk e di se si u krijua. Di të them që vlerësimi më i madh që kam marrë në kaq vite karrierë, më ndodhi tani, kur shumë njerëz të aftë, të cilët në një situatë tjetër do të kërkonin shifra të papërballueshme për mua, në këtë moment të caktuar, ofruan të investoheshin me modestinë më të madhe, duke besuar tek suksesi i projektit dhe puna e Anabel gjatë viteve. Ka qenë shumë emocionues i gjithë procesi dhe akoma prekem kur kujtoj se sa të përkushtuar kanë qenë të gjithë si kasti, ashtu edhe ekipi, për të bërë më të mirën e tyre në kushtet më të jashtëzakonshme, siç është vetë kjo situatë e COVID-it.

Në realizimin e këtij projekti, “jeleku i shpëtimit” ka qenë “PO-ja” e dy njerëzve, ndaj të cilëve do jem falenderues përjetë: bashkë-producentit ekzekutiv, Ols Abazi, dhe regjisorit Redi Treni, të dy partnerë në kompaninë filmike “Nilor Film”. Kur ua dhashë si ide, jo vetëm që nuk u stepën, sepse shumëkujt do t’i dukej “qiqra në hell”, por madje thanë “Do ta bëjmë siç duhet”. Ndërsa unë shkruaja e rishkruaja skenarët, Redi madje më thoshte “Mos u step. Jepi fantazisë, se do t’ia dalim”. Ata u investuan me kreativitetin e tyre, me pasionin e tyre, me burime njerëzore dhe me të gjithë teknologjinë më të fundit që posedojnë për këtë projekt.

SNOB ishte një projekt që kishe kohë që e mendoje?

Fare. As nuk ekzistonte në kokën time. Gjatë karantinës unë, në fakt, po punoja për një projekt tjetër, që nisi si film i shkurtër dhe më pas po merrte format e një filmi të gjatë e që ishte për mosha më të mëdha. Paralelisht, po hidhja copëza për një film artistik i llojit aventurë-komedi.

Kisha nisur të merresha edhe me kasting. Pastaj ndodhi ndërprerja e “Hostel by Anabel” dhe m’u desh që këtë ndërprerje ta justifikoja tek sponsorët e mi. Duke qenë se unë jam shumë e kujdesshme në marrëdhënie me ta, sepse në fund të fundit, ata na i japin rrogat dhe bëjnë të mundur prodhimet, mendova t’u propozoja diçka për target grupin e tyre, diçka rinore, më shumë për të mos i zhgënjyer dhe për t’u dëshmuar që kompania është e shëndetshme, edhe pse të gjithë e mirëkuptuan shumë mirë situatën e krijuar. Në fillim u thashë që pse s’bëjmë diçka me mini-seri për të rinjtë, por duke shkruar, duart dhe mendja më çuan në seri të plota 1 orëshe dhe në këtë prodhim shumë më të madh se #Love#Likes#Tirana apo Hostel by Anabel. Një ditë mund t’i pyesni vetë aktorët për aventurën e skenarit, që u ndryshua 7 herë përgjatë provave dhe madje u bë si shaka “Dalina, ke prapë ndryshime apo ta mbyllim me këtë variant?”

Ju keni cituar si arsye ndërprerjeje të “Hostel by Anabel” situatën globale, por tek reagimet e 5 vajzave nëpër media të ndryshme, është ndjerë një lloj hatërmbetjeje. Duket sikur u ndatë keq?

Unë nuk mund të gjykoj rrugëtimin emocional të askujt pas një ndarjeje, sepse historia ka treguar që askush nuk e përjeton njësoj një ndërpreje marrëdhënieje dhe sidomos kur marrëdhënia ka qenë krejtësisht e paqtë përgjatë gjithë sezoneve të këtij projekti. Kam 20 vjet në showbiz dhe kam përjetuar shumë ulje e ngritje e çfarë më ka mbajtur mendjen akoma në vend, janë vetëm leksionet që nxjerr nga çdo situatë dhe që më ndihmojnë shumë të korrigjohem e të përmirësohem në projekte të tjera.

Cili ishte leksioni që nxorrët nga kjo ndërprerje?

Që institucioni ka më shumë rëndësi se një projekt dhe në fund të ditës, përtej emocioneve të mia si krijuese dhe lidhjes shpirtërore që krijoj me njerëzit, të cilët punojnë dhe bashkëpunojnë me Anabel, unë duhet të mbroj institucionin i cili është më largpamës dhe ka nevojë për baza të shëndosha që të prodhojë e të jetojë gjatë. Në Anabel, roli im është ai i vizionarit ose artistit, siç njihet në librat e menaxhimit dhe pas kësaj situate, u sigurova të bëj një ristrukturim total të kompanisë, duke kaluar nga një sistem “familjeje” ku unë mikromenaxhoja shumë aspekte, sidomos në sektorin krijues, në një strukturë të një kompanie të madhe, siç unë dua ta shoh Anabel, ku detyrat janë të mirëpërcaktuara dhe të deleguara plotësisht. Në këtë mënyrë, secili ka vendin e tij, ndarja e përgjegjësive është më e qartë, po ashtu edhe shkallët e hierarkisë dhe unë kam të gjithë kohën në dispozicion të krijojë hapësira të reja për zhvillim të kompanisë, pa u përfshirë emocionalisht në situata të cilat të tjerë në kompani mund t’i menaxhojnë shumë më mirë se unë.

E keni problem që njerëzit do të bëjnë krahasime të kastit të “Hostel by Anabel” me kastin e ri që keni përzgjedhur?

Jo, sepse s’ka vend për kurrfarë krahasimi. SNOB është një projekt krejtësisht tjetër, është dramë, është serial kinematografik dhe jo reality dhe jo serial web-i. Është si të krahasosh psh “Friends” me “Lost”. Nuk ka sens. Anabel do të prodhojë gjithmonë dhe gjithmonë do të ketë vend për njerëz të rinj, në varësi të projektit dhe specifikave tona. Tani është teen drama, më vonë mund të jetë komedi, një ditë mund të bëj edhe një film me 2 të moshuar. Në kinema nuk ka të pazëvendësueshëm dhe ndaj i dashuroj aktorët e muzikantët e kërcimtarët e vërtet profesionistë, sepse ata rriten e edukohen nëpër audicione, ku eksperienca apo aftësia e tyre, shpesh nuk është parametri kryesor, por mund të penalizohen p.sh., për portretin jo të duhur, apo se rolit i duhet një mezzo dhe jo një soprano. Unë mendoj se kemi kastin perfekt për këtë prodhim, siç mendoj që edhe “Hostel by Anabel” ka pasur kastin perfekt për atë lloj përmbajtjeje. Çdo gjë që del nga mendja e zemra ime, ka të njëjtën dashuri, vëmendje dhe asgjë nuk ngjason me tjetrën dhe asgjë nuk sfidon tjetrën, por vetëm bëhet më cilësore, sepse edhe unë rritem profesionalisht dhe kërkoj më shumë nga vetja dhe nga përzgjedhja e bashkëpunëtorëve në prodhim, si në këtë rast është Nilor Film.

Ju keni thënë që “SNOB” është një projekt televiziv. Që do të thotë se do të shkëputeni nga YouTube e do të kaloni në televizion?

Absolutisht jo. Në Youtube ne kemi menduar prodhime të tjera të reja, që do të vijnë paralelisht me “SNOB”. Youtube është një platformë, është një kompani, por prodhimet tona nuk janë detyrimisht të lidhura vetëm me këtë kompani. “SNOB” është një prodhim i madh dhe i kushtueshëm dhe për nga cilësia, është një prodhim jo për standardin e Youtube (duke përjashtuar Youtube Premium). #Love#Likes#Tirana ishte një projekt enkas për Youtube,sepse ishte i shkurtër dhe nuk kishte parametra teknikë apo në koncept të përshtatshme për ekranin e vogël, pavarësisht se puna për realizim ka qënë shumë e madhe. Por “SNOB” është një tjetër standard në çdo aspekt. Do jetë televizion apo platformë digjitale pay-per-view, apo qoftë edhe online me pagesë siç është investimi më i ri i Ermal Mamaqit www.filmshqip.al këtë nuk e dimë. Mund të jetë kudo. Ne do të zgjedhim aty ku na leverdis, por e sigurt që do të shihet edhe në celular.

Netflix për shembull?

Ne duam të punojmë me parametrat teknikë të Netflix dhe platformave ndërkombëtare dhe nëse Netflix do ketë nderin që një ditë ta konsiderojë edhe tregun dhe gjuhën tonë, pse jo? Kush jemi ne ta refuzojmë (qesh)? Por as nuk flemë e gdhihemi duke menduar për të. Mjafton që të kemi mundësi ta përfundojmë siç duam ne këtë projekt dhe kjo është fitore. Gjithsesi, eksperienca ka treguar që nuk i dihet kurrë asgjëje, mjafton që ne të mos ndalojmë së punuari e të përmirësuarit të vetes.