Pandemia ka sjellë kushte të reja, si për sjelljen ashtu edhe për argëtimin e më gjerë. Gjithmonë me interes për vizitorët, muzetë dhe vendbanimet historike kanë qenë pranë tyre, kryesisht online deri vonë./Konica.al
Me t’u rikrijuar mundësia për rikthimin e vizitorëve, janë parë rregullat e reja, krahas menaxhimit të përshtatshëm me situatën. Sitet e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe muzetë në Shqipëri, po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.
Kësaj i shërben edhe nisma e ministrisë së Kulturës, që turistët dhe vizitorët, të dielave të vizitojnë falas muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin.
Ministrja e Kulturës, Margariti, ftoi sërish sot vizitorët vendas dhe të huaj, të mos e humbasin rastin këtë të diel, për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike, pa biletë.
Në kushtet e situatës së COVID-19, ministria e Kulturës ka marrë disa masa lehtësuese, që synojnë të nxisin turizmin, një ndër të cilat është dhe hyrja falas, çdo të diel, në muzetë dhe parqet arkeologjike.
Vizitat kryhen gjithnjë, duke respektuar protokollet e mbrojtjes kundër përhapjes së COVID-19.
Në Shqipëri, ndodhen një sërë sitesh arkeologjike, si: Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj, sikurse kalatë, si ajo e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj, ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj./Konica.al