MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Erdogani, “Putini i dytë” në dyert e Evropës!

04.08.2020 - 08:18

A është Turqia Rusia e re?

Kjo pyetje gjithnjë e më shumë po bëhet në kryeqytetet evropiane pasi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po vazhdon me një politikë të jashtme më agresive. Përveç përdorimit të migracionit për të kërcënuar dhe mashtruar Bashkimin Evropian, Erdogan gjithashtu përdor forcë ushtarake për të zgjeruar sferën e ndikimit të Turqisë në rajon.

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, Evropianët kanë parë sigurinë rajonale përmes një lente unipolare perëndimore. Ndërsa NATO garantonte sigurinë ushtarake, BE-ja me rregulloren e saj prej 80,000 faqesh për gjithçka, siguroi rendin ligjor.

Në vitet 1990, u supozua se dy lojtarët e mëdhenj rajonalë jo-perëndimorë, Rusia dhe Turqia, gradualisht do të respektonin e do të bëheshin pjesë e kësaj marrëveshje.

Por, gjatë 15 viteve të kaluara, ëndrra e unipolaritetit evropian i ka hapur rrugë një realiteti shumëpolar.

Rusia dhe Turqia kanë pasur një marrëdhënie dashuri-urrejtje me Evropën, dhe të dyja kanë udhëheqës kombëtarë që përçmojnë normat dhe vlerat e BE-së.

Prishja e marrëdhënieve BE-Rusi është e dokumentuar mirë; ato me Turqinë më pak. Lufta në Irak në 2003 ndërlikoi marrëdhëniet e Turqisë me NATO-n, dhe marrëdhëniet e saj me BE morën një kthesë për keq në 2007, kur Franca bllokoi negociatat e saj për anëtarësim në BE.

Që nga ajo kohë Turqia ka kërkuar ndikim në Siri, Ballkan dhe Libi, si dhe ka ndjekur lidhje të reja me Rusinë dhe Kinën.

Sigurisht, marrëdhënia Turqi-Rusi nuk është më pak e ndërlikuar, jo vetëm sepse Erdogan dhe Presidenti Rus Vladimir Putin mbështesin anët e ndryshme në luftën civile në Siri. Tensionet u shtuan kur Turqia rrëzoi një aeroplan ushtarak rus në 2015. Si përgjigje, Putini vendosi sanksione, të cilat shkaktuan kaos në ekonominë turke.

Pavarësisht se është një aleat i NATO-s, Turqia që prej asaj kohe ka vendosur të blejë një sistem të mbrojtjes nga Rusia edhe me kundërshtimet e Shteteve të Bashkuara.

Erdogan gjithashtu duket se është frymëzuar nga strategjia e përçarjes dhe e pushtimit të Kremlinit në Evropë. Ashtu si Putin shfrytëzon furnizimin me energji, Erdogan shfrytëzon ardhjen e migrantëve dhe refugjatëve që largohen nga konfliktet në Lindjen e Mesme.

Vetëm relativisht kohët e fundit blloku hartoi politika të reja dhe një regjim të fortë sanksionesh për të penguar agresionin rus. Dhe madje edhe tani , BE-ja ende nuk ka krijuar kanale efektive të komunikimit me Rusinë për adresimin e problemeve të përbashkëta.

Turqia nuk është ende një Rusi e re, por mund të bëhet një në qoftë se situate përkeqësohet.

Tani për tani, shumica e evropianëve ende e konsiderojnë Turqinë si një partner të komplikuar sesa si një “rivale” ttë vazhdueshme.

Por evropianët duhet të marrin mësim nga marrëdhënia me Rusinë gjatë 15 viteve të fundit.

Marrëdhënia BE-Turqi ka nevojë për një parim të ri, si dhe linja të qarta të kuqe për të parandaluar destabilizimin e mëtejshëm në rajon.

Për këtë qëllim, evropianët duhet të bëjnë të qartë se procesi i pranimit në BE do të varet nga kjo.

Sfida do të jetë të sigurohet që ka akoma vend për angazhim politik për çështje të sigurisë së përbashkët në një rajon të ndikuar jo vetëm nga Evropa dhe Turqia, por edhe nga Rusia, SHBA dhe Kina.

Mark Leonard është drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarat e Sekretarit amerikan të mbrojtjes

“Rusia nuk mund ta zëvendësojë kurrë SHBA-në”

'Lista e dëshirave' të presidentit rus

Çfarë kërkon Putin nga Evropa dhe Amerika?