MENU
klinika

"Satrapi i Janinës"

Fjalët e fundit të Ali Pashës… mbi kë qëlloi me pistoletë?

31.08.2020 - 12:59

        Nga Aurenc Bebja

“Le Constitutionnel” ka botuar, të hënën e 25 marsit 1822, në ballinë, një shkrim në lidhje me sqarimin e momenteve të fundit të Ali Pashës nëpërmjet letrave të dëshmitarëve okularë të Janinës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:


“Ali Pasha ra më 5 shkurt, pas një mbrojtjeje me kokëfortësi prej më shumë se tetëmbëdhjetë muajve. Këtu po ju sjellim një përmbledhje të saktë të shkaqeve që i paraprinë katastrofës së tij, dhe ngjarjeve që e shoqëruan atë. Pas disa rrëfimeve kontradiktore të përhapura këtu në lidhje me këto ngjarjet e fundit, ne kemi marrë disa letra të dëshmitarëve okularë nga Janina, të cilat përputhen plotësisht mbi detajet e dhëna.

Rreth fundit të vjeshtës së kaluar, Thahir-Abbas (Tahir Abazi), një shqiptar mysliman dhe ish-oficer i Ali Pashës, ishte revoltuar me disa nga vëllezërit e tij të tjerë kundër Portës dhe u bashkua me suljotët në favor të komandantit të tij. Agjentët e qeverisë lakmitare, që, për fat të keq të Greqisë, është vendosur prej disa kohësh në rrethinat e saj, u shqetësuan mjaft për këtë ndryshim të shpejtë dhe të papritur.

Kur më vonë udhëheqësit shqiptarë të popujve myslimanë të Epirit dërguan disa deputetë në kongresin e Argos-it për të bashkuar përfundimisht fatin dhe interesat e tyre me ato të grekëve, këta agjentë u alarmuan aq shumë nga kjo rezolutë sa nuk mund të qëndronin, më gjatë, spektatorë, dhe pa u vonuar, bashkuan përpjekjet e politikës së tyre me armaturat myslimane. Ata arritën kështu të bindnin shqiptarët se projekti i grekëve ishte që të shkatërronin sa më shpejt që të mundnin Ali Pashën, të cilit ata kurrë nuk do t’i falnin bezdisjet e së kaluarës dhe më pas, të shfarosnin shqiptarët, gjendja shpirtërore e të cilëve, gjithmonë do t’i ndiqte si hije.

Chouschrid Pasha (Hurshid ose Hurshit), më vete, këshillohej nga njëra anë nga këta agjentë, dhe duke parë nga ana tjetër pamundësinë e nënshtrimit të Ali Pashës me armë, përdori si mjet tradhtinë. Ai bëri disa lëshime ndaj Thahir-Abbas-it (Tahir Abazit) dhe kolegut të tij Hagos-Mouhourdar (Hagos Muhurdar), duke u premtuar atyre në emër të sulltanit se do t’i emëronte, të parin pasha të Janinës dhe të dytin pasha të Delvinës, duke emëruar kështu Omer Vrionin, pasha i këtij qyteti të fundit, në pashallikun e Beratit. Që ata t’i besonin, ai dërgoi nga Kostandinopoja një letër dënimi për Ismaïl-Pachobey-n (Ismail Pasho beun), pashain e Janinës dhe Hysen Pashën, pashain e Beratit, të cilëve, të strehuar me sa duket në Selanik, u prenë kokat në Mezovon (Metsovo), një qytet larg Janinës.

Kjo masë pati efektin e saj; Thahir-Abbas-i (Tahir Abazi) vuri re vënien në ekzekutim të premtimeve të serasqerit Chouschrid (Hurshid); dhe, pasi shkëmbeu disa pengje me të, ai arriti në Janinë. Duke qenë ndërmjetës midis turqve dhe ish-pronarit të tij për të propozuar një marrëveshje, ai u prit me besim në fortesën e këtij të fundit dhe pati disa takime me të. Ndërsa Ali Pasha i shtynte propozimet turke, ai përfitoi nga vizitat e tij në kala dhe mori kontrollin e garnizonit që më parë kishte qenë nën urdhrat e tij, ku kishte ende shumë besim; garnizoni kaloi në anën e tij dhe dorëzoi vendin.

Kështjella ra kështu në duart e turqve,  Ali Pasha u tërhoq me rreth njëqind e dyzet burra në Esocastron (fortesë e brendshme), ku deklaroi se në fund të fundit, do të hidhte në erë fortesën me të gjitha thesaret. Turqit, të informuar për vendimin e tij, pas disa bisedimesh, i dërguan një konventë (kontratë) të mbuluar me firmat (nënshkrimet) e të gjithë pashallarëve, bejlerëve dhe oficerëve që gjendeshin në Janinë, ku ata iu betuan mbi profetin, mbi kokën e Sulltanit dhe mbi besimin si myslimanë sunitë (ortodoksë), një tërheqje të ndershme, gëzimin e pasurisë së tij dhe të gjithë sigurinë dhe mbrojtjen e Portës së Lartë.

Ali Pasha, duke parë këto nënshkrime të shumta, e lëshoi veten për një moment. U ra dakord që vendi i tërheqjes së tij, të ishte kalaja e Gjirokastrës. Kështu, pasi la oficerin e tij më besnik në krye të garnizonit të tij të vogël në fortesë, u nis, më 1 shkurt, bashkë me gjashtë bashkëpunëtorët e tij, për në kalanë e Ile du Lac (Ishullit të liqenit), që ishte ende nën urdhrat e tij.

Atje, ai u ftua nga serasqeri të dorëzonte fortesën para se të nisej për në destinacionin e tij. Ndërsa ish-satrapi hezitonte ende, atij iu dërgua një konventë e dytë, e mbushur me një numër më të madh nënshkrimesh, dhe në të cilën i premtonin të njëjtin besim. Atëherë, ai nxorri nga xhepi një palë tespihe dhe i dërgoi në kalanë e tij. Pas kësaj shenje që kishin rënë dakord, oficeri shqiptar dorëzoi vendin, por kur turqit hynë i prenë kokën.

Në të njëjtën kohë, Hasan Pasha, i shoqëruar nga shpatëmbajtësi i Chouschrid Pashës (Hurshid Pashës), shkoi me 60 burra në ishull dhe i paraqiti Ali Pashës letrën e sulltanit. Kur ky i fundit vuri re se, në vend të letrës së faljes që i ishte premtuar, i kishin sjellë vetëm një letër dënimi me vdekje, kapi një pistoletë: “Dhe ju që shkelni betimin në mënyrë tradhtare, – tha ai, – kujtoni, se Aliu është grua?” … duke folur kështu, ai qëlloi mbi Hasan Pashën dhe e plagosi. Me një të shtënë të dytë, ai vrau një oficer të pashait. Gjashtë oficerët e tij ndoqën shembullin e tij; ata vranë dymbëdhjetë turq, plagosën disa dhe humbën jetën ndërsa po luftonin. Koka e Ali Pashës u transportua më pas, e shfaqur në portën e kalasë së madhe, gjatë gjithë ditës së 6 shkurtit dhe të nesërmen, u dërgua në Kostandinopojë. I tillë ishte fundi i satrapit shqiptar, i cili u ther, por nuk u mund.

Letrat e fundit nga Janina, na tregojnë se Chouschrid Pasha (Hurshid Pasha) u largua nga ky qytet, më 13 shkurt, me trupat e tij, duke u nisur për në Mezovon (Metsovo); ndoshta për të pushtuar paradat e Pindit dhe për të favorizuar kalimin e thesareve të Ali Pashait. Ai ia dorëzoi Omer Vrionit komandën e Epirit, i cili është në krye të shqiptarëve.

Të njëjtat letra tregojnë se Chouschrid Pashën (Hurshid Pashën) e kanë larguar nga posti i tij i serasqerit, dhe duhet të shkojë në Kostandinopojë për të dhënë llogari për paratë e Ali Pashës. Nuk do të ishte e pamundur që ai të përjetojë fatin e paraardhësit të tij Pasho beut, të cilit iu pre koka disa ditë para Ali Pashës, armikut të tij të betuar.

Disa e vlerësojnë thesaret e Aliut të një shume prej 250 milionësh; disa të tjerë, nuk mendojnë se arrijnë 100 milionëshin; por ka shumë, që pretendojnë se janë më të arsimuar (ditur), sigurojnë që thesaret e tij të mëdha janë gruposur dhe fshehur, dhe se satrapi i mjerueshëm mbante vetëm një pjesë të vogël me vete.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mit'hat Frashëri për bashkëkombasit

“Ali Pasha ka thënë: dy shqiptarë janë shumë!”

Letra e Xhavellas drejtuar Ali Pashë Tepelenës

‘Tradhtar, kusar, do të hakmerrem’

Historia e grave guximtare që u hodhën nga shkëmbi

“Më mirë të vdekura se robinja”


Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB