MENU
klinika

Ende pa ndërhyrje nga ajri

Flakët vijojnë të ‘përpijnë’ kurorën e gjelbër të Semanit

04.08.2020 - 09:35

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në pyllin e Semanit dhe atë të Rubikut prej disa ditësh. Edhe pse është kërkuar ndërhyrje nga ajri për shkak të terrenit të vështirë, kjo gjë ende nuk ka ndodhur, ndërsa zjarrfikësit po punojnë me mjete rrethanore.

Kurora e gjelbër e Semanit vijon të digjet duke shkrumbuar dhjetëra hektarë. Në shuarjen e flakëve janë angazhuar të gjithë strukturat e Bashkisë Fier, ndërsa vatrat e zjarrit janë lokalizuar me anë të dronit.

Në ndihmë të forcave zjarrfikëse u kanë ardhur dhe forcat ushtarake, pasi terreni i vështirë dhe era favorizojnë zjarrin duke shkaktuar vështirësi në ndërhyrje në shuarjen e flakëve.

Deri tani flakët kanë përpirë 20 hektarë pyje e shkurre, ndërsa vijon puna për vënien e nën kontroll të zjarri dhe shuarjen e tij.

Zjarri vijon edhe në pyjet e fshatit Katund i Vjetër në Rubik, edhe pse intensiteti ka rënë. Në këtë zonë për shkak të terrenit të vështirë është kërkuar ndërhyrje nga ajri, por ende nuk ka asnjë reagim nga shteti.

Shuarja e flakëve nga zjarrfikësit po bëhet me mjete rrethanore, ndërsa kërkohet ndihmë nga ushtria dhe emergjencat civile.