MENU
klinika

Thirrje për hetim ndërkombëtar

Helmimi i rivalit të Putinit, “mollë sherri” mes Gjermanisë e Rusisë

25.08.2020 - 15:14

Helmimi i tij ka trazuar botën. Bëhet fjalë për Aleksej Navalni, disidentin rus, politikanin e opozitës, dhe rivalin  e presidentit Putin.

Madje së fundmi, çështja është bërë burim përplasjesh mes Gjermanisëe Rusisë.

Kreu i opozitës ruse dhe rivali i Presidenti Vladimir Putin, Alexei Navalny është transportuar në Gjermani për trajtim më të specializuar mjekësor.

Ai u sëmur teksa po udhëtonte me avion nga Tomsk për në Moskë. Ai kishte pirë një filxhan çaj në aeroportin e Tomsk përpara fluturimit. Pasi Navalny shfaqi probleme shëndetësore, avioni bëri ulje emergjente në Omsk.

Navalny është në gjendje kome, pasi dyshohet se u helmua teksa po pinte çaj. Një ditë më parë, mjekët rusë që e mjekuan deklaruan e se nuk ka shenja helmimi në gjakun e Navalny, ndërsa thanë se gjendja e tij është tepër e rëndë për t’u transportuar në spital tjetër.

Mirëpo pa kaluar as 24 orë nga kjo deklaratë, Navalny u nis me avion drejt Berlinit, ndërsa shpenzimet e udhëtimit janë paguar nga një OJQ gjermane.

Kremlini tha të martën se tani për tani nuk ekziston nevoja për të hetuar rrethanat që çuan në sëmurjen e papritur të politikanit të opozitës Alexei Navalny dhe se diagnoza fillestare për helmim e dhënë nga një klinikë gjermane ende nuk është përfundimtare.

Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje të hënën Rusisë të hetonte helmimin e dyshuar të zotit Navalny dhe për të mbajtur autorët përgjegjës. Komentet e saj erdhën pasi mjekët gjermanë gjetën shenja të një lënde helmuese në trupin e tij.

Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se klinika gjermane nuk e kishte identifikuar përfundimisht lëndën në fjalë dhe se nuk ishte e qartë se përse mjekët gjermanë “nxituan” të përdornin fjalën helmim.

“Duhet të kesh një arsye për të nisur një hetim. Për momentin, si ju ashtu edhe unë shohim se pacienti është në gjendje kome,” u tha zoti Peskov gazetarëve në një konferencë telefonike.

Ai shtoi se nëse helmimi përcaktohej përfundimisht si shkaku i sëmundjes, atëherë do të hapej një hetim.

“Nëse substanca është identifikuar dhe është përcaktuar se bëhet fjalë për helmim, atëherë, natyrisht, kjo do të jetë arsye për një hetim,” shtoi zëdhënësi i Kremlinit.

Kërkesat për hetim po shtohen. Ministrja e jashtme e Suedisë, Ann Linde tha të martën në Twitter se “rrethanat në lidhje me helmimin e dyshuar të Navalny-t duhet të sqarohen nga një hetim i pavarur”.

Edhe kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell i kërkoi mbrëmë Rusisë të hetojë.

Alexei Navalny, një kundërshtar i hapur i Presidentit Vladimir Putin, u dërgua të shtunën në Gjermani për mjekim, pas krizës që pësoi në bordin e një avioni kur ishte duke u kthyer për në Moskë nga Siberia.

Mjekët gjermanë që trajtojnë zotin Navalny në një spital të Berlinit thanë të hënën se analizat mjekësore flasin për helmim me një lloj frenuesi të kolinesterazës, megjithëse lënda konkrete ende nuk dihet.

Burimi: The Guardian, Washington Post, New York Times/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN