Të shkruash për Yllka Mujon nuk është dhe aq e lehtë. Yllka është një prej atyre aktoreve që do të flitet, shkruhet, mbahet mend përgjatë çdo brezi që do të vijë. Një aktore tërë gjallëri në skenë, talentin dhe bukurinë e së cilës e kemi dashur.
Por mendoj që bukuria dhe gjallëria, në rastin e saj, është e një cilësie tjetër; një aktore që në fakt komunikon mendim, muzikë, pikturë dhe poezi.
Yllka nuk është aktore. Është Artiste! Nga ato që në fakt lindin rrallë. Nga ato që Perëndia e zbret dhe në vendin e gabuar ndonjëherë. Arti është i ashpër. Ndoshta më i ashpër se politika, zgjedhjen e së cilës ajo e ka bërë. Më thoni, a ka artist që veten e ndan vetëm në skenë me publikun dhe kurrë jashtë? Në kohën sot, kjo nuk perceptohet.
Por Yllka këtë vendim e ka marrë herët, si duket. Nënteksti i së cilës, në këtë lojë të madhe shahu, nuk është egoizmi apo madhështia e të qenët i famshëm, por pajtimi me të vërtetën. Realiteti!
Ndaj ka zgjedhur të flasë vetëm nëpërmjet punës. Nuk e ka dashur zhurmën. I pëlqen natyra. Lulet, këngët, dhe vetmia. Një vetmi filozofe. E mbaj mend herën e parë që e takova, do të punoja me të. Mbante një kapele në kokë, një vazo të vogël në duar dhe syze. Dukej e lumtur. Ishte 8 mars. Në fakt m’u duk si mars që po e lexoja faqeve të ndonjë romani.
Moti i kthjellët, rrezet e diellit dhe një zonjë e bukur që sapo del nga ndonjë sallon elegant prej ku shijoi çajin e preferuar nën tingujt e pianos dhe dy-tri mikeshave. Yllka ishte ndryshe. Është ndryshe.
Do të ishte vetëm 8 vjeçe, kur do të kuptonte se cilës botë do t’i përkiste. Kështu rrugëtimi i saj do të niste me muzikën. Do bëhej këngëtare. E njohu skenën herët. I pëlqenin filmat dhe i dukej se kjo botë ishte e magjishme. Shumë e bukur! E në fakt, instikti nuk gabon kurrë.
Kam shkuar në mënyrë inkoshiente drejt kësaj rruge, thotë ajo, por tani jam e lumtur. Falenderoj fatin!
Do të studionte kanto në lice artistik. Muzika e ka ndihmuar shumë, dëgjojmë tek shprehet mes miqve të saj shpesh. Një ndërlidhje e ndërkallje që lëndën e mjeshtrisë së aktorit, do e kishte dhe më të lehtë.
Më 1975, bëhet pjesë e Teatrit Kombëtar. Asokohe gjen aty një trupë prej 40 aktorësh. Kolosët e vlerave kulturore të Artit tonë, prej ku do të merrte më shumë formë dhe ndjeshmëria e saj profesionale në këtë mozaik shkolle, ndryshe tashmë.
Ishte, vazhdon Yllka, një gëzim i një tjetër niveli të ishe mes artisësh si Kadri Roshi, Liza Vorfi, Drita Pelinku, Sulejman Pitarka, Margarita Xhepa e shumë të tjerë. Edukata e jashtëzakonshme ndaj asaj çka përftova nga kjo elitë…më ka bërë shumë mirë.
Nuk mungon dhe Naim Frashëri, të cilin e ka pasur pedagog për të thënë se…”miqësia filloi të merrte tjetër kuptim nga njerëzit më të mëdhenj se vetja’’. Ndër të tjerësh dhe Marie Logoreci.
Sikundër në teatër, kush nuk i mban mend filmat ku Yllka Mujo interpretoi?
I teti në Bronx – 1970, Malet me blerim mbuluar- 1971, Beni ecën vetë – 1975, Zonja nga qyteti – 1976, Taulanti kërkon një motër – 1984, Rikonstruksioni – 1988, Shpella e Piratëve – 1990 , Letra në erë – 2003, Lule të kuqe, lule të zeza – 2003 etj.
Nga filmi ‘’Lule të kuqe, lule të zeza’’ shija duket se nuk i ka ikur falë sinqeritetit të ndjenjës dhe veprimit të rolit që interpretoi. Natasha Lako, që në çastin që e shkroi, mendoi se do të ishte pikërisht përvoja, sharmi dhe ushqimi i individualitetit të Yllkës ajo që do të inicionte dhe më pas interpretonte këtë personazh.
Ndërsa nëse e pyesim se si i hyri këtij tapeti të kuq të botës së filmit, ajo tregon se ishte gjithçka rastësi. Mbante veshur vetëm një përparëse kur kurioziteti i saj shkoi të merrte pjesë në shesh-xhirimim e një filmi. Sigurisht, portretin e saj, syri i mprehtë i Ilia Tërpinit do ta shquante lehtë në një pasdite me shi‘’. – A dëshiron të luash në një film?’’
Mandej doli dielli.
Në festivalin e komedisë në Monte Carlo, krah artistëve të mirënjohur të skenës botërore si Giancarlo Giannini, Franco Nero, Robert Hossein, Maria Gracia Cucinotta etj., Yllka ngjiti lart, jo vetëm veten, por emrin Shqipërisë duke u nderuar me Çmimin e Karrierës.
Yllka Mujo, kjo aktore e mirënjohur, e cila të nxit falë energjisë dhe fantazisë pjellore, spontane, e befasishme, mbetet një prej figurave magjike të skenës sonë, kontributi i së cilës jo gjithmonë është vlerësuar mirëfilli nga ky komb. Ky komb që ka tokën dhe kërkon qiellin. Atë qiell që Yllka ka yllin e saj.
Në mbyllje ju sjell vetëm një dialog, nga ‘’Mallkimi i Fukarenjve’’ i regjisorit Kastriot Çipi, së cilës i thoja përpara premiere:
Yllka, ke emocione?
Jo, sonte do të bëj qejf.
Dhe kjo ndodh kur e do shumë këtë profesion. Kjo aktore e madhe e teatrit shqiptar. Sepse teatri është i bukur. Kinematografia është e tillë. Por jo për çdo yll ata kanë një emër, si ky yll që quhet YLLKA.