Në një të ardhme jo fort të largët, avionët luftarakë amerikanë mund të drejtohen nga inteligjenca artificiale. Testet për arritjen e këtoj objektivi kanë nisur prej kohësh dhe rezultatet e fundit të tyre janë mbresëlënëse.
DARPA (Defence Advanced Research Projects Agency), agjencia amerikane e projekteve të avancuara teknologjike në varësi të Pentagonit, njoftoi së fundmi se një kompjuter mposhti një prej pilotëve më të mirë të flotës ajrore amerikane në dyluftimet ajrore.
Në testim janë realizuar pesë raunde dhe në të gjitha ato, kompjuteri ka dalë fitues me një lehtësi të llahtashme, siç përshkruhet nga raporti i DARPA-s. Avionët e përdorur ishin të njëjtë, modelet luftarake F-16.
Kompjuteri i zhvilluar nga “Heron Systems” konsiderohet si preludi i një evolucioni gjigant në strategjitë luftarake. Megjithatë, në Pentagon tregohen ende të përmbajtur dhe deklarojnë se testimet do të vazhdojnë deri në krijimin e plotë të sistemeve autonome kompjuterike plotësisht autonome në drejtimin e avionëve luftarakë.
Megjithatë, ky zhvillim nuk vlerësohet ende aq historik sa momenti kur në 1997 kompjuteri Deep Blue i IBM-së mposhti në një lojë shahu kampionin e botës Garry Kasparov, duke konfirmuar teoritë se kompjuteri mund të luajë shah më mirë se njeriu.
Shahu është një lojë me një numër të pafundëm lëvizjes të mundshme dhe për gjeneratën e kompjuterave modernë mposhta e njeriut nuk është aspak problem.
Por, përshtatja e inteligjencës artificiale për drejtimin dhe manovrimin e një avioni luftarak është shumë herë më e komplikuar se sa një lojë shahu. Mund të gjenden ngjashmëri kur bëhet fjalë për numrin e lëvizjeve, por ka dallim të madh, pasi në shah lëvizjet janë të koduara në sistem, gjë që është e vështirë të realizohet kur bëhet fjalë për një dyluftim ajror të vërtetë.
Testimet u realizuan në një skenar të Luftës së Dytë Botërore, kohë kur avionët ishin të pajisur vetëm me një armë frontale për të sulmuar njëri-tjetrin në betejat ajrore. Avionët modernë janë më kompleksë dhe kanë një arsenal më të gjerë armatimi, përfshirë edhe raketat, që nuk u përfshinë në testim.
Për këtë arsye, Leitnan/Koloneli i Forcave Ajrore Amerikane, Dan Javorsek, që është gjithashtu edhe menaxher programi në DARPA, u tregua i vetëpërmbajtur për ta vlerësuar këtë moment si momeneti kur inteligjenca artificiale mposhti njeriun.
“Rezultatet e këtij testimi të inteligjencës artificiale nuk provuan se kompjuteri fitoi përmes manovrash që ne nuk i kishim parashikuar, apo që na habiti. Sigurisht, pati disa të papritur në sjelljen e tij, por sërish ky ishte një triumf i njeriut, që ka krijuar këtë sistem”, deklaroi ai.