Nuk pati fatin të luante në ndeshjet e fundit për shkak dëmtimi, por natyrisht kontributi i tij për Verona-n nuk mund të hidhet poshtë. Marash Kumbulla duket sikur ka realizuar shpejt ëndrrën e tij. E thotë vetë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale:
“Nëse ndalem për një moment të mendoj për sezonin që sapo ka mbaruar, më duket si ëndërr. Duke filluar nga ajo 25 gusht, data e debutimit në Serie A, të cilën nuk do ta harroj.
Ashtu siç nuk mund ta harroj me siguri 5 tetorin dhe gëzimin e golit të parë. Sfidat mr emrat e mëdhenj në kampionatin tonë, fitorja ndaj skuadrës kampione italiane, udhëtimi i një grupi të jashtëzakonshëm që meritonte çdo pikë të vetme dhe çdo kënaqësi të veçantë të një kampionati për të qenë thjesht krenarë” – shkruan Marash Kumbulla.
Pyetja që shtrohet tashmë është: Ku do të luajë mbrojtësi ynë i Kombëtares? Lazio dhe Inter duken më pranë, por tashmë sapo ka nisur merkatoja dhe mund të ketë të tjera pista. Le të presim…