Shumë sektorëve ekonomikë e financiarë, aktiviteteve, bizneseve apo individëve “po iu dridhen këmbët” nga goditjet që morën gjatë kësaj periudhe. Prodhimet dhe shërbimet e tyre po gjejnë gjithnjë e më pak hapësirë në treg, mënyrat deri tani të suksesshme të administrimit dhe inxhinerisë menaxheriale, po kalojnë një sprovë të vështirë ekzistence duke ndier mbi supe etiketën “të vjetruara apo ezauruara në kushtet e reja post COVID-19”, duke u cilësuar si “zombie jobs”, “punë dhe profesione pa të ardhme” ose siç quhen tashmë “bizneset e vdekura të gjalla”, ndërkohë që në horizont po lindin me shpejtësi “profesione, zanate, prodhime, shërbime e modele të reja menaxheriale e digjitale” të cilave u përket e ardhmja.
Nga Adrian Civici
Tashmë është e sigurt: profesionet dhe tregu i punës post COVID-19 nuk do të jetë ai me të cilin jemi mësuar dhe kemi vepruar deri tani. Kriza planetare shumë dimensionale – ekonomike, financiare, sociale, psikologjike, mjedisore, sanitare etj. – e shkaktuar nga koronavirusi, përveç dëmeve të jashtëzakonshme të shkaktuara, ka vënë në pikëpyetje dhe “sjelljen e zhvillimet e pritshme në tregjet e punës dhe profesioneve”.
Kriza e thellë ekonomike e financiare dhe pasojat sociale të saj, masat e jashtëzakonshme sanitare anti COVID-19, paqartësitë e mëdha për të ardhmen, rritja e konfliktualitetit politik mbi mënyrat e menaxhimit të krizës dhe recetat për përballimin e saj etj., ndikoi dhe vazhdon të ndikojë ndjeshëm edhe në tregjet e punës, në “luftën” ndërmjet profesioneve e zanateve që u goditën rëndë nga kriza dhe atyre që po “përfitojnë e lulëzojnë” nga situata e re postkrizë dhe e ardhmja e saj.
Qeveritë, individët, ekonomitë dhe sistemet arsimore, sidomos ato me vokacion profesional, po reflektojnë me shpejtësi përballë kësaj situate të re. “Lufta e profesioneve” që po shoqërohet me “humbës dhe fitues” i është bashkëngjitur intensivisht “gjendjes së përgjithshme të luftës me armikun e padukshëm, por shkatërues e vdekjeprurës COVID-19”.
Cilat ishin profesionet që u goditën më shumë nga kriza?
Periudha e bllokimit total dhe e distancimit social e muajve mars-maj 2020 dhe muajt në vazhdim, gjithashtu të ndikuar ndjeshëm nga dinamikat e pandemisë, evidentuan një seri profesionesh e shërbimesh që u goditën më rëndë nga kriza.
Këtu mund të përmendim: profesionet që lidhen me ofrimin direkt të shërbimeve, të cilat kanë pak apo aspak mundësi të ofrojnë shërbime në distancë, si dentistët, berberët, avokatët, hoteleria dhe shërbimet turistike në përgjithësi, restorantet, bar-kafetë, artizanati, hidraulikët, mekanikët, transporti, tregtia me pakicë, aktivitetet industriale, industria fason, call center, shërbimet financiare, ndërtimi, produktet dhe shërbimet artistike e kulturore, profesionet e lidhura me sportin dhe modën, industria e kënaqësisë dhe relaksit etj.
Natyrisht, një pjesë e madhe e tyre u goditën si pasojë e “lockdown” total, dhe me “qetësimin e situatës” apo kthimin gradual në normalitet në muajt në vazhdim, mund t’i rifitojnë pozitat e humbura, por, për shumë prej tyre kanë filluar “kambanat e alarmit”, duke i konsideruar si “profesione pa të ardhme, nëse nuk bëjnë ndryshime thelbësore në përmbajtjen, kualifikimin, format e organizimit dhe shërbimet e tyre”. Dhe të punësuarit në këto profesione nuk janë pak, përkundrazi, në nivel mesatar global ata zënë rreth 60-70% të të punësuarve. Në Shqipëri, duke përjashtuar të punësuarit në sektorin bujqësor, ata zënë mbi 80% të të punësuarve.
Një pjesë e madhe e bizneseve shqiptare të përballur me këtë realitet të ri, kanë filluar të kenë probleme serioze me rikthimin në punë “me kohë të plotë” të një pjese të madhe të punonjësve të tyre, me vështirësitë e respektimit të kontratave afatgjata të punës në këtë kategori profesionesh e zanatesh, duke menduar seriozisht për nevojën e “ndryshimeve të domosdoshme të strukturës profesionale, njohurive e kompetencave të reja që kërkojnë rikualifikime masive cilësore të tyre”, në përputhje me ndryshimet që po pësojnë sektorët e ndryshëm ekonomikë e financiarë në “këtë periudhë post COVID-19”. Përveçse një kosto shtesë për bizneset dhe sistemin arsimor e kualifikues, një proces i tillë kërkon largpamësi e vizion të qartë për “perspektivat e të ardhmes” në këto lloj aktivitetesh e shërbimesh.
Cilat ishin profesionet që i rezistuan më mirë dhe u përshtatën me krizën?
Gjatë kësaj periudhe 6-mujore krize të rëndë, të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, një kategori e caktuar aktivitetesh ekonomike, financiare apo shërbimesh, u prekën pak apo aspak nga kriza, për të ndaluar apo ngadalësuar aktivitetin e tyre. Bile, disa prej tyre u përshtatën shpejt me situatën, kufizimet dhe kërkesat e reja, duke ndryshuar strukturën menaxheriale, riorganizuar modelin e biznesit, përshtatur aktivitetin e tyre me rreullat e reja të protokolleve sanitare, duke u adaptuar me mënyrat e reja të konsumit të klientëve të tyre, duke ofruar produkte të reja, të kërkuara me urgjencë në treg dhe, mbi të gjitha, duke filluar në shkallë të gjerë rikualifikimin e stafit me kompetencat dhe njohuritë e reja.
Në analizat që i bëhen këtij grupi biznesesh e shërbimesh, ato cilësohen si “profesionet e shërbimeve esenciale të frontit të parë, të domosdoshëm për funksionimin e shoqërisë” ku futen: mjekët dhe infermierët, farmacistët, arkitektët dhe dizenjuesit e mjediseve të banimit apo shërbimeve, një pjesë e rëndësishme e profesioneve dhe e shërbimeve që lidhen me digjitalizimin e informatikën, mësuesit dhe pedagogët, specialistët e marketingut, shitjeve dhe komunikimit me klientët, tregtia me shumicë, industria agroushqimore, e-marketingu, një pjesë e shërbimeve financiare dhe bankat, disa linja prodhimi të sektorit fason, shërbimet e personalizuara për disa kategori të caktuara sociale, sektorët e prodhimit dhe shpërndarjes së detergjentëve e dezinfektuesve etj.
Edhe në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë, kjo kategori biznesesh e mbajti të paprekur numrin e punonjësve dhe pagat e tyre. Siç dëshmojnë mjaft statistika në vende të ndryshme të botës, por edhe në Shqipëri, shërbimet dhe bizneset e këtyre profesioneve e zgjeruan aktivitetin e tyre gjatë periudhës kufizuese të pandemisë, vazhduan me investimet për modernizimin dhe digjitalizimin e ofertave të tyre, përfituan nga kreditë me kushte lehtësuese të ofruara nga bankat, garantuan fitime të qëndrueshme të aktivitetit të tyre etj.
Në kontekstin e rezistencës dhe përshtatjes me tregun dhe kërkesat e reja, evidentohen disa elemente thelbësore të kësaj rezistence apo përshtatjeje të shpejtë e eficente.
Tregtia elektronike ose e-commerce. Izolimi social dhe mbyllja e një numri të madh distributorësh apo shitësish me shumicë e pakicë, e ndryshoi rrënjësisht natyrën e tregtisë dhe pagesave. Vëllimi i shitjeve dhe pagesave online, brenda pak javësh, u rrit 300-400% në krahasim me periudhën përpara pandemisë. Po kështu, dhe përdorimi i pagesave dhe transaksioneve online.
Profesionet dhe specialistët e tregtisë elektronike, digjitalizimit të ofertës dhe shërbimeve, digjitalizimit të pagesave, reklamës dhe publicitetit, komunikimit dhe psikologjisë konsumatore etj., u bënë nga më të vlerësuarat dhe më të kërkuarat gjatë kësaj periudhe krize. Kjo kategori biznesesh e shërbimesh, jo vetëm që nuk u prek nga kriza, por në shumë raste e rriti me 20-30% aktivitetin e saj, krahasuar me të njëjtat periudha të viteve të mëparshme.
Adaptimi i modeleve të biznesit me shkallë të lartë digjitalizimi. Veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë dhe izolimit social, digjitalizimi “pushtoi” çdo detaj të jetës sonë të përditshme, si në planin profesional, ashtu dhe në planin personal. Asnjëherë nuk kishim qenë kaq shumë të varur, edhe për shërbime jetike e profesionale, nga interneti dhe digjitalizimi.
Bizneset dhe sektorët e shërbimeve më largpamëse e inteligjente iu përgjigjën menjëherë kësaj situate, duke krijuar apo zgjeruar “telework” për një pjesë të rëndësishme të shërbimeve të tyre, krijuan profesione të reja, të lidhura me digjitalizimin, të tilla si “ekspert në komunikimin digjital”, “specialist i projekteve digjitale”, “ Webmaster”, Webdesigner”, “ekspert i marketingut digjital” etj.
Natyrisht, që një pjesë e këtyre “profesioneve” apo “zanateve” ekzistonin dhe përpara shfaqjes së pandemisë së COVID-19 dhe situatës së jashtëzakonshme shkaktuar prej saj, por, “situata dhe sfidat e reja” iu dhanë atyre një rëndësi dhe zhvillim shumë më të shpejtë se ritmi i zakonshëm i kohës përpara pandemisë. Tashmë, “pjesën e luanit” në shpenzimet e bizneseve për “kërkim-zhvillimin” dhe kualifikimin e stafit, e zënë të ashtuquajturat “profesionet digjitale”. Kur gjithçka u duk sikur u “fundos”, digjitalizimi rezistoi mrekullisht, duke treguar rrugën e së ardhmes!
Cilat janë profesionet e reja që po lindin post COVID-19?
Tashmë është e qartë se kriza e COVID-19 ka “provokuar” lindjen e nevojave të reja në një botë në ndryshim radikal. Nevojave dhe sfidave të reja po u “përgjigjen flakë për flakë” profesionet e reja që po profilizohen çdo ditë e më tepër. Veçanërisht bizneset e prodhimit dhe shërbimeve po përballen çdo ditë me “domosdoshmërinë e digjitalizimit sa më të gjerë të aktivitetit të tyre”, me ndryshime radikale të mënyrës së tyre të punës dhe, mbi të gjitha, me konstatimin shqetësues të mangësive serioze të digjitalizimit të deritanishëm të punës së tyre në të gjitha hallkat e zinxhirit menaxherial dhe modelit të biznesit”. “Telework” së bashku me digjitalizimin masiv të teknologjive të prodhimit, shërbimeve e proceseve të punës, tashmë është pjesë e çdo diskutimi, projekti, prioriteti e strategjie për të ardhmen.
Këto ndryshime kërkojnë me urgjencë dhe një evolucion të shpejtë të kompetencave të burimeve njerëzore në të gjitha hallkat e skemave menaxheriale. Prodhimi në distancë, puna në distancë, shitjet në distancë, komunikimi me klientët në distancë, marrëdhëniet me bankat në distancë, kontrolli në distancë, organizues eventesh online etj., të gjitha nëpërmjet ekranit të kompjuterit, janë shembulli më i mirë i kësaj epoke të re post COVID-19.
Inteligjenca artificiale, automatizimi dhe robotika, inovacionet dhe start up-et etj., të përfshira tashmë në nocionin e “revolucionit 4.0” po krijojnë kompetenca dhe profesione të reja: Specialist në sigurinë kibernetike, ekspert në mbrojtjen e të dhënave, inxhinier në inteligjencën artificiale, zhvillues të dhënash dhe ekspert në Big Data, këshilltar dhe anaslist inovacioni, ekspert eficence dhe aplikimi start up-esh, menaxher tranzicioni digjital, analist dhe këshilltar risku e paqartësie, Community Manager (Menaxher i Komunitetit), Product Owner (Pronar i Produktit), ekspert dialogimi, asistent virtual, ekspert videografie, multichannel communication consultant, menaxher rendimenti apo optimizues aktiviteti, ndërlidhës financiar, inxhinier i autonomisë financiare, ekspert tregjesh dhe monedhash virtuale, Zoom support specialists etj., janë disa nga profesionet e reja që po zhvillohen me shpejtësi duke qenë njëkohësisht dhe më të kërkuarat në treg.
Kjo nuk është thjesht një fazë e re në krijimin e profesioneve të reja, por, mbi të gjitha, është një fazë e fuqishme ekspansioni e këtyre profesioneve të reja, një sinjal i qartë i perspektivave të reja për muajt dhe vitet në vazhdim.
Ekonomia, financat, bizneset, shërbimet, sektori publik, administrimi, marrëdhëniet më të tretët etj., duhet të adaptohen shpejt me këtë tendencë të re të cilësuar si “delinearizim” i zakoneve të jetës, konsumit, prodhimit e shpërndarjes, financimeve, transportit, komunikimit, modelit të biznesit etj., të “provokuar” fort nga situata e pandemisë së COVID-19, por njëkohësisht të servirur si rruga drejt së ardhmes. Pothuajse çdo “vendim” apo “veprim” do të bazohet në teknikat digjitale, duke integruar modelin e biznesit me jetën reale”.
COVID-19 nuk zhvilloi e transformoi vetëm profesionet dhe kompetencat ekzistuese në kuadrin e revolucionit 4.0 apo digjitalizimit maksimal, por, mbi të gjitha, krijoi një fushë të gjerë veprimi digjitale nga A te Zh-ja në të gjitha aktivitetet ekonomike, financiare, tregtare, shëndetësore, arsimore, kulturore, sportive etj., në shërbim të zhvillimit ekonomiko-social, nivelit të jetesës dhe mirëqenies sa më të gjerë. Sipas shumë studimeve e analizave të specializuara në këtë drejtim, “25-30% e bizneseve që nuk arrijnë të përshtaten me sfidat dhe profesionet e reja digjitale, rrezikojnë të falimentojnë dhe të dalin përfundimisht nga tregu”.
Transformimi dhe përshtatja e sistemeve të edukimit profesional
I gjithë ky ndryshim radikal që po ndodh “në jetën reale”, i shtyrë përpara veçanërisht edhe nga kriza e COVID-19, kërkon me urgjencë “ndryshime radikale dhe në sistemet e edukimit në përgjithësi dhe ato të formimit profesional në veçanti”. Sistemet arsimore, në të gjitha nivelet e tyre, por veçanërisht universitetet dhe kolegjet profesionale, duhet të reagojnë me shpejtësi, në përputhje me sfidat e reja, për t’u paraprirë këtyre ndryshimeve të kësaj epoke të re ku kemi hyrë.
Programet mësimore, përmbajtja e diplomave, silabuset, tekstet bazë dhe ato ndihmëse, metodat e mësimdhënies, format dhe modelet e komunikimit, laboratorët dhe kabinetet e ndryshme, lloji i njohurive, informacionit dhe dijeve, metodologjia e kërkimit shkencor, botimet e ndryshmne akademike e shkencore etj., duhet të përshtaten me shpejtësi me situatën e re, në mënyrë që të përgatisin dhe nxjerrin ekspertë e specialistë cilësorë të barazvlefshëm me profesionet dhe kompetencat e reja që po zhvillohen me shpejtësi.
Shumë nga njohuritë dhe dijet që kanë marrë apo vazhdojnë të marrin nxënësit dhe studentët aktualë shumë shpejt do të jenë thjesht “pjesë e historisë dhe të së kaluarës”, duke mos iu përgjigjur dot zhvillimeve dhe kompetencave të reja”. Ashtu si bizneset, edhe kolegjet profesionale, universitetet dhe qendrat kërkimore-shkencore po lëvizin me shpejtësi drejt përballimit me këto sfida të reja, në mënyrë që t’i paraprinë kësaj tendence të re dhe jo të mbeten në bisht të saj, thjesht në rolin e konstatuesit.
Skemat mbështetëse për ruajtjen e vëndeve të punës, të aplikuara gjerësisht gjatë periudhës intensive të ndikimit të pandemisë së COVID-19, ndihmuan në parandalimin e papunësisë masive afatshkurtër, duke “shpëtuar në vendet e BE-së mbi 50 milionë vende pune”, por, këto lloj skemash mbështetjeje financiare nuk mund të vazhdojnë pafundësisht, pasi janë shumë të kushtueshme dhe e zgjidhin përkohësisht problemin e papunësisë dhe mbështetjes sociale. Aq më tepër në shumë vende të varfra apo ato me ekonomi emergjente, të cilat janë të kushtëzuara nga vështirësitë buxhetore e financiare për të aplikuar për një kohë të gjatë skema të tilla. Tashmë sfidat për ruajtjen e punësimit dhe gjendjes së ekonomisë e bizneseve janë krejtësisht të reja, dhe në mjaft raste të panjohura më parë.
Aktualisht, p.sh., vetëm në pesë vendet më të zhvilluara evropiane, si pasojë e “zombie jobs”, “punëve e profesioneve pa të ardhme” ose siç quhen tashmë “bizneset e vdekura të gjalla”, këto vende po i tremben një “pamundësie rikthimi në kushte normale në punë të rreth 8-9 milionë punonjësve”, si pasojë e “mbylljes apo ngushtimit të aktiviteteve të profesioneve të goditura rëndë nga kriza dhe në pamundësi përshtatjeje me kushtet e reja”. Riaftësimi i tyre profesional me profesionet apo zanatet e reja që po lulëzojnë në këtë periudhë mbetet sfida më e madhe e qeverive dhe e sistemeve arsimore e kualifikuese./ Fjala.al