MENU
klinika

Në kulmin e përplasjes me Turqinë

Marrëveshja e detit/ Greqia interes për negociatat me Shqipërinë

19.08.2020 - 14:49

Greqia, një fqinj me ulje ngritjet e veta në raport me Shqipërinë, por pothuaj në çdo dimension, fqinj i rëndësishëm për vendin, duket se aspiron që vitin 2020, veç të tjerash, ta kthejë në vit për finalizim marrëveshjesh të mbetura pezull.

Marrëveshjet për kufijtë detarë i ka mbyllur tashmë me Italinë dhe Egjiptin.

Tani është radha e Turqisë, ku në ditët e fundit janë evidentuar tensione edhe pse Turqia si shtet nuk është pjesë e konventës për të drejtën e deteve, çka mund të vështirësojë marrëveshjen.

Por, Greqia ka paralajmëruar se radha për rikthim në tryezën negociatore po i vjen dhe Shqipërisë.

Gazeta greke “Ta Nea” shkruante se Athina do të tentojë të gjejë një gjuhë të përbashkët me Tiranën për të arritur shpejt një marrëveshje për kufirin detar.

Gjuhë kjo që së fundmi u thye në vitin 2018, në negocimin Bushati-Kotzias. Por, edhe e njohura si Marrëveshja e Detit e 2009-s u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese më 15 prill 2010, ku presupozohej të humbte 350 km hapësirë detare.

Jo vetëm kaq, dosja shqiptaro-greke, që mban pluhurin e 70 viteve, do të duhet të ketë në vëmendje përveç ujrave territorialë, Ligjin e Luftës në fuqi nga viti 1940 e çështjen çame.