Në një situatë të tillë, kur Barcelona nuk e lejon falas Lionel Messin të largohet, e vështirë mund të thuash se cili klub do të arrijë të paguajë për yllin e futbollit botëror.
Dy ekipet nga Manchester, sidomos City (ndodhet trajneri Guardiola), dhe PSG ndodhen aktualisht në “pole-position”, por në merkato kurrë mos thuaj kurrë. Që pas transferimit të Neymar te PSG dhe Ronaldos te Juventus, tashmë gjithcka mund të ndodhë.
Barcelona ka vendosur klauzolën gjigante prej 700 milionë eurosh që lidh argjentinasin me katalanasit edhe për një sezon. Natyrisht, gjithkush e di që kjo është vetëm një strategji e klubit, pasi askush nuk mund të blinte Messin 33 vjec me këtë shifër.
Sipas sulmuesit, ai ka të drejtën për t’u liruar falas, duke apeluar atë klauzolë që skadonte më 10 qershor. Në krahun tjetër, klubet që e duan atë, e dinë mirë që kërkesat e Messit janë për të paktën 40 milionë euro në sezon, pa harruar bonuset.
Dhe në garën për të marrë Messin nuk mund të përjashtohet Inter. Gjithçka është pjesë e lëvizjeve të “Suning”, që me afrimin e argjentinasit do të siguronin edhe investime të rëndësishme publicitare: një bazë e çmuar nisjeje për të ndërtuar rreth Messit një kështjellë parash lidhur me të drejtat e imazhit.
Gjatë këtyre javëve kanë dalë shumë tregues në këtë front të hapur, duke nisur nga zhvendosja e babait Horge Messit në Milano, dy hapa larg selisë zikaltër. Benefitet fiskale të opsionit italian janë të ditura, taksat në Itali janë më të ulëta sesa në Angli dhe Francë.
Nga merkatoja kineze ndërkohë janë në afrim sponsorë për dhjetëra e dhjetëra miliona, të gjithë të dedikuar për Messin, sepse “Suning” ka një “Duomo” për të zhvendosur. Tifozët zikaltër ëndërrojnë, fundja do të mbetet një ëndërr vere…