Kohët e fundit, në tregjet monetare ndërkombëtare, por edhe në tregun monetar modest shqiptar, janë shfaqur disa shqetësime e pikëpyetje që kanë të bëjnë me disa “sjellje” apo tendenca specifike të disa prej monedhave kryesore ndërkombëtare, si euro apo dolllari amerikan, përfshirë këtu dhe rritjen galopante të çmimit të arit. Interesat, përfitimet dhe humbjet që vijnë nga ecuria e kursit të këmbimit janë shumë komplekse. Në Shqipëri janë të shumta rastet kur nënvleftësimi, ose mosnjohja sa duhet e këtij mekanizmi, i ka dëmtuar rëndë bizneset dhe individët.
“Sjellja” e lekut në raport me euron dhe dollarin
Në tregun monetar vendas ka ditë që dollari ka shfaqur shenja rënieje, duke zbritur në nivelet më të ulëta të gjashtë viteve të fundit, në raport me lekun. Aktualisht ndodhet në nivelin 104 -105 lekë, nivel ky i pa evidentuar që në muajin korrik 2014.
Shpjegimi më frekuent i aktorëve kryesorë të tregut vendas konsiston në faktin se “rënia e dollarit në tregun valutor në Shqipëri lidhet me nënçmimin e tij kundrejt euros në tregjet ndërkombëtare, por edhe me faktin se rritja e monedhës së përbashkët evropiane në bursat ndërkombëtare nuk po reflektohet në tregun vendas”.
Shifrat e javës së fundit dëshmojnë që, ndonëse në bursat ndërkombëtare euro u kuotua me 1,17-1,19 usd, në tregun tonë të brendshëm monetar, euro pati një rënie të lehtë në raport me kursin mesatar të javëve të fundit, duke u këmbyer në nivelet 123,4-123,8 lekë. Duke iu referuar logjikës së funksionimit të bursës, rënia e euros e shtoi presionin ndaj dollarit amerikan, duke shkaktuar një rënie edhe më të fortë tij.
Në rastin e tregut vendas kjo “kundërtendencë”, pra dobësimi relativ i euros, kur në tregjet ndërkombëtare monetare po ndodh e kundërta, shpjegohet me raportin specifik kërkesë-ofertë për euro, i cili, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik të muajve korrik-gusht, edhe pse këtë vit me ndikim ndjeshëm më të dobët, për shkak të kufizimeve të lëvizjes dhe frikës nga pandemia, dominohet nga rritja e ofertës në euro, e shtimit të masës monetare të euros.
Megjithatë, pas mbarimit të efekteve të sezonit turistik, është normale që “çmimi” i euros në tregun shqiptar të fillojë të ndjekë trendin e përgjithshëm të bursave ndërkombëtare, por dhe trendet historike sezonale të muajve shtator-dhjetor, me shumë mundësi, një forcim të lehtë të euros kundrejt lekut. Ndërsa “marrëdhëniet” e lekut me dollarin amerikan varen shumë pak nga koniunkturat monetare të tregut tonë të brendshëm valutor dhe më shumë nga ecuria e vlerës së dollarit në tregjet monetare ndërkombëtare.
Cilët janë fituesit dhe humbësit nga ndryshimet në kursin e këmbimit?
Është e vërtetë që tregu ynë monetar është një treg i vogël, nën efektin e disa zhvillimeve sezonale, në mjaft raste jo shumë transparent, i ndikueshëm direkt e indirekt nga transaksione të mëdha që realizohen nga operatorë të veçantë, i varur gjithashtu nga informaliteti dhe sasitë monetare informale që qarkullojnë etj. Por, megjithatë, në thelbin dhe “sjelljen” e tij orientohet ndjeshëm nga tendencat dhe zhvillimet në tregjet monetare ndërkombëtare, të cilat duhen njohur e analizuar me kujdes, në mënyrë informacioni për këto zhvillime të jetë sa më i plotë dhe sa më i përditësuar.
Në këtë mënyrë, jo vetëm strukturat e individët që ushtrojnë aktivitetin e këmbimit monetar, por veçanërisht bizneset me aktivitete import-eksporti, sipërrmarjet dhe individët që planifikojnë investime të rëndësishme në lek, euro apo dollar, që marrin kredi e vlerësojnë normat e interesit, të tjerë që kanë tashmë kredi në euro apo dollar, ndërkohë që të ardhurat kryesore i kanë në lek etj., duhet të jenë shumë të vëmendshëm ndaj ecurisë së kurseve të këmbimit në emër të vlerësimit më të mirë dhe menaxhimit më efikas të “riskut të kursit të këmbimit”. Janë të shumta rastet kur nënvleftësimi, apo mosnjohja sa duhet e këtij mekanizmi, i ka dëmtuar rëndë bizneset dhe individët.
Interesat, përfitimet dhe humbjet që vijnë nga ecuria e kursit të këmbimit janë shumë komplekse dhe nuk shkojnë në të njëjtin sens, domethënë vetëm pozitive apo vetëm negative për të gjithë aktorët e tregut. Eksportuesit, sidomos ata të zonës euro apo dollar, janë të interesuar për valuta të forta dhe lek relativisht të dobët; e kundërta për importuesit që janë të interesuar për lek të fortë dhe valuta të dobëta; bizneset dhe individët që kanë kredi në valutë dhe të ardhurat në lek janë të interesuar për lek të fortë dhe valuta të dobëta; ata që kanë kredi në lek dhe të ardhurat kryesore të aktivitetit të tyre në euro ose dollarë, janë të interesuar për valuta të mbivlerësuara dhe lek relativisht të dobët; bizneset që lëndën e parë e blejnë jashtë në euro apo dollar, ndërsa kostot dhe pagesat i bëjnë në lek, janë të interesuara për lek të fortë dhe valuta të dobëta; kursi i këmbimit ndikon gjithashtu në vlerën e borxhit publik, në vlerën e depozitave në lek, euro apo dollar, fuqinë blerëse dhe të ardhurat e familjeve që përfitojnë remitanca, orientimin e tregtisë me monedhë më të dobët në raport me lekun, sidomos importeve etj., pa folur për ata që bëjnë biznes me shitblerje monedhash.
Përse euro ka tendencë të forcohet dhe dollari të dobësohet?
Tregu ndërkombëtar i këmbimit monetar, FOREX, është tregu financiar më i rëndësishëm i botës. Në këtë treg çdo ditë ndodhin këmbime monetare në vlerën e 5300-5400 miliardë dollarëve, duke qenë 53 herë më i madh se Bursa e Nju-Jorkut dhe 27 herë më i madh se tregjet e bursave. Aktualisht, monedha më e këmbyer është dollari amerikan, i ndjekur nga euroja, jeni japonez dhe stërlina britanike. Megjithëse FOREX negocion shkëmbime në 170 monedha të ndryshme të botës, 85% e këtyre transaksioneve bazohen në 7 çifte monedhash: Euro/USD, USD/JPY, GBS/USD, USD/CHF etj.
Aktualisht, përqindja e këmbimit Eur/USD është në favor të monedhës së përbashkët evropiane, çka do të thotë se “amerikanët që duan të blejnë euro apo mallra e produkte të shprehura në euro, duhet të paguajnë 1,19 USD për 1 euro. Në mars, kjo shifër ishte 1,06 euro. Aktualisht është 7% më shtrenjt”. Rritje e rëndësishme, nëse do të kihet parasysh se volatiliteti i tregjeve të këmbimit gjatë muajve më të ashpër të pandemisë së COVID-19 ishte relativisht i limituar.
Megjithatë, ekspertët e tregjeve monetare po i tremben faktit të rritjes së infektimeve të reja me koronavirus në muajin gusht në vende të BE-së, si Spanja, Franca, Gjermania dhe Italia, çka mund të dëmtojë ritmin dhe cilësinë e rritjes ekonomike në eurozonë, si dhe të shkaktojë luhatje edhe në vlerën e euros në raport me dollarin amerikan.
Cilat janë shkaqet kryesore të këtij ndryshimi?
Ekspertët dhe kabinetet e specializuara në këtë fushë vlerësojnë se arsyeja kryesore e këtij fenomeni lidhet me planet e shpëtimit ekonomik të ndërmarra nga qeveritë dhe, sidomos nga bankat qendrore gjatë pandemisë, lidhet me kombinimin e kredive të garantuara, sasinë e kredive në përgjithësi, rritjen drastike të borxheve publike dhe deficiteve buxhetore etj. Ndërkohë, rritja ekonomike për shumë vende të botës, sidomos për ato më të zhvilluarat, nuk pritet të jetë as e lartë, as e shpejtë dhe as e barabartë për të gjitha vendet.
Megjithëse SHBA-ja ishte vendi që manovroi më shpejt për përballimin dhe daljen nga kriza, në raport me vendet e Bashkimit Evropian, Japoninë, Britaninë e Madhe etj., po ndien e para “efektin invers” të këtij procesi: dollari po humb vlera në treg, ndërkohë që euroja po vlerësohet në rritje.
Megjithatë, kur analizohet tendenca në rënie e dollarit, ekspertët nënvizojnë se “kjo nuk do të thotë aspak se kemi të bëjmë me një tendencë afatgjatë pa kthim… përkundrazi, pas një faze dobësie që mund të zgjasë disa javë ose dhe disa muaj, dollari amerikan do t’i rikthehet tendës rritëse… Dollari mbetet valuta bazë e rezervave valutore të bankave qendrore dhe për momentin nuk duket se ka ndonjë alternativë tjetër… ndërkohë që në vitet e fundit, dollari ka qenë mjaft i mbivlerësuar në një pozicion jo natyral të tij… Fed e shikon me pozitivitet zhvlerësimin relativ të dollarit, si një mënyrë që favorizon konkurrueshmërinë e ekonomisë amerikane dhe riekuilibron bilancin tregtar të saj”.
Lind pyetja: përse euroja vazhdon të forcohet?
Me gjithë vështirësitë për të dhënë një përgjigje 100% të saktë e definitive, aq më tepër kur bëhet fjalë për tregjet monetare dhe ecurinë e kursit të këmbimit që ndikohet nga një shumëllojshmëri faktorësh të njohur e të panjohur, ekspertët vlerësojnë se “një nga shkaqet kryesore të forcimit të euros lidhet me faktin e uljes drastike të normave të interesit në këta muajt e fundit në SHBA, edhe pse ato nuk janë akoma në territor negativ. Por, diferenca ndërmjet normave të interesit ndërmjet dy kontinenteve është zvogëluar, gjë që i bën evropianët më pak entuziastë për të blerë obligacione të qeverisë amerikane, duke reduktuar kështu kërkesën për dollar”.
Një shkak i dytë që ndikon në vlerën e dollarit lidhet me situatën e tensionuar politike në SHBA, në prag të zgjedhjeve presidenciale, në nëntorin e ardhshëm. Dy kampet politike, republikanët dhe demokratët, si dhe dy kandidatët për presidentin e ardhshëm, Donald Trump për një mandat të dytë dhe Joe Binen, si sfidanti demokrat i presidentit aktual, i kanë ashpërsuar shumë tonet e qëndrimet ndaj njëri-tjetrit, ndërkohë që vendi ndodhet nën një goditje të fortë ekonomike e sociale, si pasojë e COVID-19. Kjo situatë po jep efektet e saj edhe te kërkesa për dollar dhe investime në dollar nga tregjet financiare e monetare ndërkombëtare.
Arsyeja e tretë lidhet më direkt me situatën dhe vendimet e fundit ekonomiko-financiare e monetare në Bashkimin Evropian. Vendimi i fundit i Komisionit Evropian për aplikimin e një instrumenti borxhi prej 750 miliardë eurosh – shumë kjo e padëgjuar ndonjëherë gjatë gjithë historisë së BE-së – të cilën vendet përfituese do ta marrin me kushte mjaft të favorshme: interesat do të fillojnë të paguhen që në vitin e ardhshëm 2021, ndërsa principali në periudhën tridhjetëvjeçare 2028 – 2058. Nga këto 750 miliardë euro, Komisioni Evropian propozon që 500 miliardë euro të shpërndahen në formën e kredive të parimbursueshme, ndërsa pjesa tjetër, prej 250 miliardë eurosh, të shpërndahet si kredi e rimbursueshme nga vendet përfituese.
Ndërkohë, Banka Qendrore Evropiane, përtej programeve të saj “të urgjencës”, përqindjes pothujase zero të normës bazë të interesit, programit të blerjes së borxhit publik e privat dhe gjithë arsenalit tjetër të politikave të saj monetare jokonvencionale, po angazhohet në mbështetje të planeve të ringritjes ekonomike, duke e zgjeruar paketën e blerjes së borxheve publike e private deri në fund të vitit 2022 etj.
Në këtë plan veprimi mjaft ambicioz, me gjithë një sërë dyshimesh, debatesh e paqartësish që ai përmban deri në zbatimin përfundimtar të tij, investitorët dhe aktorët e tregjeve financiare e monetare e shohin këtë si një hap pozitiv drejt konsolidimit dhe integrimit më të mirë të eurozonës, me në krye ekonominë gjermane si “lokomotiva garantuese dhe iniciuese bashkë me Francën, të këtij projekti gjigant mbështetjeje për përballimin e efekteve të krizës së rëndë shkaktuar nga pandemia e COVID-19 dhe planeve perspektive të rimëkëmbjes”.
Këto tendenca apo trende mund të ndryshojnë nën efektin e ndikimit të faktorëve të rëndësishëm strukturorë, siç janë treguesit e PBB (GDP), vendet e reja të punës të krijuara apo të humbura, niveli i deficiteve buxhetore e borxheve publike, ndryshimi i normave bazë të interesit nga bankat qendrore, ecuria e bilanceve tregtare, ashpërsimi i luftës tregtare dhe luftës së monedhave etj.
E rëndësishme është që ecuria e këtyre treguesve dhe ndikimi i tyre në kurset e këmbimit të ndiqet me kujdes, duke u reflektuar në planet dhe përpjekjet për një menaxhim sa më të mirë të “rreziqeve të kursit të këmbimit” nga ana e qeverive, bizneseve, bankave dhe individëve.
Çmimi i arit në rritje të vazhdueshme – përse?
Gjatë tetë muajve të fundit, janar-gusht 2020, çmimi i arit ka ardhur vazhdimisht në rritje. Në dhjetor 2019, 1 onc ar kushtonte 1450 usd, ndërsa aktualisht luhatet në nivelin 1950- 2200 usd, ndërkohë që në tremujorin e fundit të vitit 2018, çmimi i 1 onc ar luhatej në nivelet 1200 – 1250 usd. Përse kjo tendencë në rritje e çmimit të arit, sidomos në raport me dollarin amerikan? Cilat janë arsyet që mund ta shpjegojnë një rritje të tillë? Rekordi i fundit historik i çmimit të arit daton në vjeshtën e vitit 2011, kur çmimi i tij arriti në 2200 usd/onc ar.
Shkaku i parë, që vlerësohet si më i rëndësishëm në këto momente, është fakti se “ari ka qenë vazhdimisht një strehim par exelence për cdo lloj investimi që u reziston më mirë kapriçiove të tregut dhe krizave ekonomike e financiare”. Momentet e vështira dhe me shumë të panjohura që shkaktoi pandemia e COVID-19 dhe lockdown-i që e pasoi atë, ndikoi ndjeshëm në shtimin e pasigurisë së tregjeve financiare, bursave, investimeve financiare, frika ndaj një inflacioni të lartë të mundshëm, tensionet gjeopolitike, politikat monetare relaksuese të bankave qendrore etj., të cilat prodhuan “strehimin preferencial tek ari, si streha më e sigurt, më e garantuar dhe me efikase në këto momente”.
Nga ana tjetër, meqenëse ari është i koutuar në dollar amerikan, rënia e vlerës së dollarit është reflektuar në sens të kundërt me rritjen e çmimit të arit. Këtu duhet shtuar dhe efekti i politikave monetare konvencionale dhe jokonvencionale të bankave qendrore, veçanërisht në përiudhën e lockdown-it, të cilat i ulën ndjeshëm normat e interesit, shtuan masivisht masën monetare në qarkullim dhe lehtësuan maksimalisht aksesin në sistemin e kreditimit.
Por, pavarësisht se një politikë e tillë monetare ishte e domosdoshme dhe dha rezultate pozitive, kur përqindjet e interesit janë të ulëta, investitorët u largohen produkteve financiare që ofrojnë norma të ulëta fitimi, duke u orientuar drejt arit, i cili, veç të tjerave, është i mbrojtur edhe nga rreziku i inflacionit.
Një element i rëndësishëm me ndikim në çmimit e arit janë dhe blerjet masive të arit nga bankat qendrore, duke filluar pas krizës globale financiare të vitit 2008 e deri në ditët e fundit, gjë që ka ndikuar në rritjen e çmimit të arit. Blerësit më të mëdhenj të arit në këto vitet e fundit janë bankat qendrore të Rusisë, Kinës, Indisë, Turqisë etj., ndërkohë rezervën më të madhe në botë aktualisht e ka Fed amerikane me 8133 tonë ar.
Përveç këtyre faktorëve me natyrë deri diku koniunkturore të gjashtë muajve apo të vitit të fundit, rritja e çmimit të arit lidhet edhe me disa faktorë të tjerë afatgjatë e strukturorë. Ari vazhdon të mbetet një metal i rrallë, rezervat minerare të të cilit po vijnë duke u zvogëluar. Vlerësohet se rezervat botërore aktuale të arit janë rreth 190000 tonë, ndërsa ekspertët vlerësojnë se në nivel global ekzistojnë akoma rreth 55000 tonë që mund të prodhohen. Po të nisesh nga “prodhimi vjetor i arit që është rreth 3100 tonë në vit dhe kostos gjithnjë e më të lartë të nxjerrjes së tij, pas 16-18 vitesh rezervat e arit do të jenë shfrytëzuar tërësisht. Kjo rrallësi e tij, natyrisht që ndikon në rritjen e çmimit dhe kërkesës për ar, si garanci e qëndrueshme vlere.