Kryeministri Edi Rama gjatë një komunikimi me gazetarët nga Vjena ka folur edhe për çështjen e detit me Greqinë. Sipas kryeministrit, Shqipëria ka shtrirë hapësirën e saj në ujërat territoriale me 6 milje që në vitin 1990.
“Ne jemi shtrirë në ujërat tanë territoriale me 6 milje që në vitin 1990. E kemi ushtruar këtë të drejtë. Greqia nuk e ka kontestuar dhe nuk ka çfarë konteston.
Midis ujërave territorialë të vendeve ka ujera të ndërmjetëm. Pra njësoj sic ka rrugë midis vendbanimeve dhe midis shteteve për të kaluar ka edhe rrugë për të kaluar në det që janë rrugë të përbashkëta. Marrja nga kjo rrugë e përbashkët në mënyrë simetrike të përcaktuara nga konventa është e drejtë e çdo shteti”, u shpreh Rama.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, çështja e zgjerimit të Greqisë në detin Jon nuk ka lidhje me ate cfare ndodh mes Greqise dhe Turqise.
“Nuk ka lidhje me atë çfarë ndodh mes Turqisë dhe Greqisë. Ajo është një mosmarrëveshje për delimitimin e ujërave territoriale. Një mosmarrëveshje që ne jemi duke e trajtuar në mënyrë konstruktive, por për të cilën nuk kemi një rezultat dhe dakordësine e të dyja palëve.
Dua të them që një marrëveshje ndërshtetërore nuk bëhet dot fshehurazi. Nuk është një konspiracion që bëhet mes dy palëve dhe nuk e merr vesh njeri. Marrëveshja kalon në të gjitha etapat institucionalë dhe bëhet ligj”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.