Administrata Trump ka vazhduar me idenë e sanksionimit të zyrtarëve kinezë dhe anëtarëve të partisë komuniste të Kinës.
Para se të pyesim nëse kjo është një ide e mirë, le të pyesim se si marrëdhëniet Sino-SHBA arritën në këtë fazë.
Lufta e ftohtë e SHBA-së me Bashkimin Sovjetik ishte luftë ideologjish, por konflikti me Kinën është ndryshe. Shteti Kinez nuk ka asnjë ideologji, asnjë fe, as axhendë morale.
Ajo vazhdon të veshë rroba socialiste por vetëm si një pretekst për të shpëtuar fytyrën. Në fakt, është bërë një diktaturë shtet-kapitaliste.
Ajo që sheh bota sot është një garë midis sistemit amerikan të kapitalizmit të tregut të lirë dhe kapitalizmit shtetëror kinez. Si duhet ta lexojmë këtë tabelë shahu?
Kur aplikova për të studiuar në SH.B.A. në vitet 1980, plotësova një pyetësor ku pyetej nëse kisha qenë ndonjëherë anëtar i partisë komuniste. Qëllimi ishte me sa duket shmangia e përplasjeve ideologjike.
Por padyshim se studentët kinezë që hynin me mua përfshinin shumë anëtarë të partisë në disa nga shkollat më të mira të SHBA-së, shpesh me bursa.
Amerikanët përgjithësisht supozuan se këta studentë do të përçonin vlerat liberale në Kinë. Ajo që ndodhte më shpesh, ishte që studentët kinezë arrinin në përfundimin se vlerat amerikane janë të mira për Amerikën, por kurrë nuk do të funksiononin në sistemin kinez.
Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Të kthyerit janë tani udhëheqës në pjesën më të madhe të biznesit dhe industrisë kineze, por ndjenjat anti-amerikane në Kinë janë më të forta sot sa ka qenë në epokën e Mao-s.
Uashingtoni mban përgjegjësi për atë që ka ndodhur. Në vitet pas masakrës së Sheshit Tiananmen në 1989, administratat e të dyja palëve menduan se plani më i mirë ishte ta linte Kinën të pasurohej.
Por, a e ndryshoi Kinën, konkurrenca kapitaliste? Politika e regjimit nuk ndryshoi aspak.
Ajo që ndryshoi ishte SHBA, drejtuesit e biznesit të të cilës tani iu afruan diktaturës kineze me buzëqeshje të shtirur. Për kompanitë evropiane dhe amerikane, ishte një ëndërr e realizuar.
Biznesi evropian dhe amerikan lulëzuan në fazat e para të bumit të Kinës. Por ata nisën të kërkonin më shumë. Kina sigurisht nuk e lejonte këtë. Tani çfarë mund të bënin kapitalistët perëndimorë? Ata vështirë se e dinin rrugën.
Covid-19 i ka bërë thirrje SHBA-së që të ndërgjegjësohet. Sëmundja është bërë një çështje politike për dy partitë e saj kryesore politike, por kriza e vërtetë është se vetë sistemi perëndimor është sfiduar.
A janë sanksionet zgjidhja e duhur?
Perëndimi ka nevojë të rishqyrtojë sistemet e tij, perspektivat e tij politike dhe kulturore dhe të rizbulojë humanizmin. Këto sfida nuk janë vetëm politike, por dhe intelektuale.
“Sanksionet” është një term i luftës së ftohtë që emërton një politikë të vjetër. Nëse SHBA nuk mund të mendojnë përtej tyre, roli dhe vendi i saj në botë do të ndryshojë.
Ai Weiwei është një artist dhe aktivist.
Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ Konica.al